2010-05-10 18:09:07

Intervistë e imzot Ortigës: shtegtimi Apostolik i Papës drejt Fatimës, “elterit të botës”, shembëlltyrë shprese për mbarë njerëzimin!


(10.05.2010 RV)Vizita e Papës në Portugali, e pritur prej kohe, ngjall shpresa të reja për Kishën vendase. E pikërisht për këto shpresa flet, në mikrofonin e Radio Vatikanit, imzot Jorge Ferreira da Costa Ortiga, kryeipeshkëv i Bragës e kryetar i Konferencës ipeshkvnore portugeze:RealAudioMP3

Pyetje: - Benedikti XVI pranoi të vizitojë Portugalinë me rastin 12-13 majit. Ç’mesazh i sjell kjo vizitë shoqërisë portugeze?

Përgjigje: - Mendimi të shkon tek kriza në vijim, që është krizë ekonomiko-financiare por, siç e dinë të gjithë, me rrënjë shumë më të thella. U la pas dore përmasa shpirtërore e njeriut e, prej këndej, edhe e shoqërisë; u këput lidhja me disa vlera absolute, të përhershme, të cilat s’njohin kufij, në emër të një relativizmi, që e ngujon horizontin dhe jetën njerëzore në fushën tejet të ngushtë të vlerave materiale. Në këto rrethana vjen Papa në Portugali. Sigurisht do të sjellë një mesazh, që do t’u kujtojë portugezëve se përtej kushteve materiale, është edhe një përmasë tjetër e jetës njerëzore, që duhet zbuluar, ose më mirë të themi, rizbuluar, një jetë që bazohet mbi disa vlera, të cilat tregojnë një rrugë të caktuar. E këto vlera nuk i përkasin vetëm Kishës katolike, por mbarë njerëzimit. Janë pikërisht këto vlera, që mund të tregojnë rrugën për të dalë nga kriza, sepse kriza përfshin edhe përmasën pozitive të një sfide, e cila duhet përballuar.
Për Atin e Shenjtë do të jetë një çast krejt i veçantë, në të cilin besoj se do të propozojë projektin e përtëritjes personale, që çon më pas në përtëritjen e mbarë shoqërisë. Mesazhi, që do të sjellë Papa, nuk i përket vetëm Portugalisë; i përket mbarë Kishës. E në se, pastaj, kemi parasysh se Fatima është ‘elteri i botës’, jam i bindur se ky mesazh do t’i kapërcejë kufijtë e Portugalisë, për t’u përhapur menjëherë në hapësirat e pafundme të Kontinentit të Vjetër; e edhe më tutje. Do të bëhet pronë e të gjithë të krishterëve, që do të kenë rastin ta dëgjonë e ta pranojnë.

Pyetje: - Benedikti XVI e njeh si moskush zemrën dhe të renë që sjell mesazhi i Fatimës, të cilin e shpjegoi, duke komentuar “sekretin e tretë”, kur ishte Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Mendoni se prania e tij në Kova da Iria do t’i japë një forcë të re këtij mesazhi?

Përgjigje: - Jam i bindur. Besoj se Fatima sot ndikon mbi botën mbarë, jo vetëm mbi atë katolike. Prania e Papës do të jetë rast i përshtatshëm që kjo botë, e cila beson ose jo në realitetin e Fatimës, të fitojë ndjeshmëri shpirtërore. E një ndjeshmëri të tillë mund ta gjejë, më shumë se kudo, pikërisht në Shenjtëroren e Fatimës.
Prandaj, sigurisht, shumë njerëz të tjerë, duke parë Fatimën, mund të bëhen kureshtarë për ta njohur nga afër, e prej këtij kontakti të parë, mund të lindë një lidhje më e thellë, më shpirtërore e, pse të mos e themi – edhe kthesa e madhe në rrugën e Zotit, përtëritja shpirtërore, bindja se jeta njerëzore duhet jetuar ndryshe, nuk duhet ngujuar në horizonte të ngushta, por duhet të sfidojë horizontet e pafundme, që i hapen përpara.

Pyetje: - “Së bashku me ty, ecim në shpresë” - është parrulla e këtij shtegtimi apostolik të Benediktit XVI në Portugali. Mendoni se shoqëria portugeze, në përgjithësi, mund ta pranojë këtë dritë? Sepse i përket edhe njeriut, që nuk beson, e edhe atij mund t’i japë shpresa të reja?

Përgjigje: - Besoj se po. E me Atin e Shenjtë nuk duam të shkëmbejmë thjeshtë dy fjalë, por të tregojmë shembëlltyrën e shpresës së madhe. Një shembëlltyrë shprese, që u kujton portugezëve se po jetojmë në një kohë vërtet të vështirë, madje në disa këndvështrime, dramatike. Por Krishti na kujton se nuk duhet të ndalemi, se duhet të lëvizim, të ecim përpara, sepse e nesërmja mund të jetë më e mirë, në se secili nga ne nuk e pret shpëtimin nga jashtë, por jep ndihmesën e vet për ardhjen e ditëve më të mira. Për mua kjo është themelore: shpresa që vjen nga lart, nga qielli, nga Zoti! Papa sigurisht nuk do të na ftojë për më shumë aktivizëm, por do të na lërë sfidën e fesë, sepse pikërisht në fe është e ardhmja e shoqërisë. Vetëm tek feja gjindet shpresa: e kjo domethënë të besosh në njeriun, në lidhjen me Zotin e, në emër të Krishtit, të hapësh shtigje të reja për lindjen e një humanizmi të ri, që mund t’i sigurojë popullit portugez jetën e lumtur, gëzimin dhe përmbushjen e plotë të ëndrrave e të shpresave.







All the contents on this site are copyrighted ©.