2010-05-10 18:08:51

Benedikti XVI niset për në Portugali. Atmosferë pritjeje në Fatima, ku Papa do të kryesojë Meshën në 10-vjetorin e Lumnimit të vegimtarëve.


(10.05.2010 RV)Vlojnë përgatitjet në Lisbonë, Porto e Fatima, tre qytetet, që këtë javë do të presin për vizitë Benediktin XVI. Papa do të niset nesër paradite me avion, nga Aeroporti Ndërkombëtar romak ‘Leonardo da Vinçi” i Fiumiçinos. Pritet të arrijë rreth orës 11.00 në kryeqytetin portugez, pas një fluturimi prej rreth dy orësh. Kulmi i këtij shtegtimi të 15-të apostolik ndërkombëtar do të jetë vizita në Shenjtëroren e Zojës së Fatimës, ku Ati i Shenjtë do të kryesojë Meshën solemne, të enjten e ardhshme, dhjetë vjet pas lumnimit të vegimtarëve të vegjël, Xhaçintës e Françeskut. Për atmoferën e pritjes, të ndjekim të dërguarin e Radios sonë, Roberto Piermarini – nga Fatima:RealAudioMP3

"Portugalia është gati për të pritur atë, që shtypi vendas e quan “Papa i tretë në Fatima”, pas vizitave të Palit VI e të Gjon Palit II. Lisbona është plot me pllakata të kaltërta, ku shkruhet: “Obrigado Bento XVI”- “Faleminderit Benedikt XVI”. Afishet e pankartat mbushin të gjitha muret e rrugëve, nëpër të cilat do të përshkohet Papa, për të arritur në Sheshin e Tregtisë, ku nesër do të kremtojë Meshën e parë të madhe në Portugali. Me kalimin e orëve, atmosfera bëhet gjithnjë më festive. Gazetat e televizionet – që kanë në qendër të vëmendjes krizën ekonomiko-financiare në Greqi e, sidomos, frikën e shtrirjes së saj të mundshme edhe në Portugali – po i kushtojnë gjithnjë më shumë vëmendje vizitës papnore e shumë intelektualë, që e quajnë veten agnostikë ose jo besimtarë, po shprehin admirimin e tyre për thellësinë shpirtërore, morale e intelektuale të Papës dhe po e mbrojnë nga sulmet që i janë bërë gjatë muajve të fundit. Benedikti XVI do të takojë një vend, ku shekullarizimi vijon t’i cënojë ndjenjat e thella fetare popullore të portugezëve, 88% e të cilëve deklarojnë se janë katolikë, por vetëm 20%, praktikantë.
Pas divorcit e abortit, qeveria e kryeministrit socialist Sokrates i tha ‘po’ edhe martesave gay, por ligji u bllokua nga presidenti i Republikës, Cavaco Silva, sepse në kundërshtim me Kushtetutën. Me rastin e vizitës së Papës qeveria dekretoi një ditë pushimi për nëpunësit publikë: nesër, në Lisbonë e më 13 maj, në të gjithë vendin. Mediat katolike po e theksojnë në mënyrë të veçantë temën e vizitës: “Bashkë me ty, ecim në shpresë”, posaçërisht përsa u përket temave, që lidhen me fenë e arsyen, shenjtërinë e ungjillëzimin, të cilat Papa do t’i prekë gjatë takimeve të Lisbonës, Fatimës e Portos me botën e kulturës, të shkencës e të artit, me drejtuesit e baritorisë shoqërore e me meshtarët.
Por ky shtegtim i Benediktit XVI ka posaçërisht një përmasë të theksuar mariane, me vizitën në Shenjtëroren e Fatimës, zemra portugeze e fesë, me rastin e 10-vjetorit të Lumnimit të barinjve Xhaçinta e Françesko të cilët, së bashku me kushërirën e tyre, Luçinë, qenë dëshmitarët e parë të dukjeve të Zojës, në vitin 1917. Me këtë vend lidhet edhe “sekreti i tretë”, me të cilin u mor personalisht kardinali i asokohshëm Racinger, duke i bërë komentin teologjik që - sipas Patrikut të Lisbonës, kardinalit Polikarp - mbetet pika më e lartë e gjithsa është shkruar mbi argumentin.
E, sapo të arrijë në qytezën mariane, Papa do të kujtojë pikërisht atentatin kundër Gjon Palit II, më 13 maj 1981. Në Fatima, meditimi i Papës do të shtrihet mbi gjithë historinë e njerëzimit, duke u përqëndruar në kuptimin e kësaj historie".







All the contents on this site are copyrighted ©.