2010-05-08 17:21:44

Shtegtimi i Benediktit XVI në Fatima të Portugalisë. Devocioni marian i Papës në qendër të udhëtimeve të tij apostolike.


(09.05.2010 RV)Portugalia e pret me gëzim mbërritjen e Papës të martën e ardhshme në Lisbonë. Shtegtimi i 15-të ndërkombëtar i Benediktit XVI do të ketë si çast kulmor vizitën në Shenjtëroren e Fatimës. Devocioni marian, që e karakterizoi aq shumë magjisterin e Papës Gjon Pali II, ndjehet shumë i fortë edhe në papninë e Benediktit XVI, që në çdo udhëtim të tij baritor është lutur në vendet e lidhura me Zojën.RealAudioMP3

Le të na udhëheqë Maria në takimin me Jezusin: kjo është ftesa, që Benedikti XVI nuk lodhet së përsërituri besimtarëve, që nga fillimi i papnisë së tij. Një thirrje kjo, që Papa e rinovon veçanërisht gjatë vizitave në shenjtëroret mariane, duke filluar që nga ajo e Altoting, në Bavarinë e tij, tek ajo e Aparesidës, me mijëra kilometra larg, në zemër të kontinentit latinoamerikan. Në Lurdë, në shtator të 2008-ës, Papa na pati bërë thirrje ta përqafojmë mesazhin e kthimit në fe dhe të shpresës, që gurgullon nga Shpella e Masabielës:
“Maria i fton të gjithë njerëzit vullnetmirë e në veçanti, ata që vuajnë, të ngrenë sytë drejt Kryqit, për të gjetur burimin e jetës e të shpëtimit”.
Të shikojmë Marinë për t’u takuar me Krishtin: kjo është thirrja që Papa i drejton Evropës, në shtator 2007, në shenjtëroren austriake të Mariacelit. Para shtatores së Zojës, që mban në duar Fëmijën Hyjnore, Papa u flet më të vegjëlve, më të pambrojturve:
“Jezusi Fëmijë na kujton natyrshëm edhe të gjithë fëmijët e botës, përmes të cilëve dëshiron të takohet me ne”.
E Papa ankohet se Evropa po varfërohet, pasi nuk bën më fëmijë. Duam gjithçka vetëm për vete – thekson Benedikti XVI – e ndoshta nuk besojmë aq shumë në të ardhmen. Prandaj, duhet t’i lejojmë Zojës të na tregojë fytyrën e Zotit, sepse ku është Zoti, është e ardhmja. Ati i Shenjtë nënvizon se nga Shën Maria mund të mësojmë si të lutemi. E bën këtë sidomos në shenjtëroren mariane polake të Çestokovës, në maj 2006, në udhëtimin pas gjurmëve të paraardhësit, Karol Vojtilës:
“Është Ajo që na tregon si ta hapim mendjen e zemrën para fuqisë së Shpirtit Shenjt, i cili vjen në ne për t’u përcjellë prej nesh në botën mbarë”.
Në botë, përmes Kishës! Në nëntor 2006, në shenjtëroren mariane të Efesit, Benedikti XVI vë theksin mbi përmasën kishtare të amësisë së shën Marisë. Si nënë, aventura e saj fillon në Nazaret e përfundon në këmbët e Kryqit. Virgjëra Mari, Nënë e Krishtit dhe e Kishës – shton Papa – është Nëna e atij misteri bashkimi, që Krishti e Kisha, të pandarë, përfaqësojnë e ndërtojnë në botë e gjatë historisë. Në shtator 2007, në Loreto, Benedikti XVI i fton të rinjtë të pranojnë thellësisht Fjalën e Zotit, siç na mëson Zoja:
“Për ta sjellë Zotin në sheshe, duhet më parë ta bëjmë tonin në shtëpi, si Maria në Lajmërimin e Zojës. E anasjelltas, shtëpia hapet mbi sheshin: e sugjeron këtë edhe fakti se Shtëpia e Shenjtë e Loretos ka tri mure, jo katër: është një Shtëpi e hapur: e hapur para botës, para jetës, edhe para këtij Takimi të të rinjve italianë”.
Në një vend tjetër simbol të Zojës, në pompei të Italisë, Papa vëren, në tetor 2008, se shenjtëroret nuk janë kurrë katedrale në shkretëtirë. Këto “kështjella të Marisë”, thekson Ati i Shenjtë, janë gjithnjë të ndërthurura me territorin, si shembull i qytetërimit të dashurisë, për t’u ndërtuar nën vështrimin amnor të Marisë. E i fton besimtarët të lusin Rruzaren Shenjte, gjë që mund ta bëjnë të gjithë:
“Është lidhje shpirtërore me Marinë për të mbetur të bashkuar me Jezusin, për t’u bërë si Ai, për t’i ngjasuar në ndjenja e sjellje. Rruzarja është ‘armë’ shpirtërore në luftën kundër së keqes, kundër çdo dhune, për paqen e zemrave, në familje, në shoqëri e në botë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.