2010-05-08 14:39:39

Shenjtorët e javës sipas kalendarit Kishtar


Sot 9 maj e diel, Kisha kremtoi të dielën e 6-të të Pashkëve e po sot kalendari përkujtoi edhe Shën Pakomin, abat dhe Shën Izainë, profet.
Liturgjia e ditës pohon se ndjekur Zotin, dishepulli i vërtetë e dëshmon Krishtin e Kryqëzuar e të Ngjallur duke i lidhur ngushtë fjalët me vepra. Meriton kështu epitetin ‘njeri i drejtë’ dhe premtimin për të kundruar fytyrën e Zotit në amshim.

Nesër e hënë 10 maj, nga kalendari Kishtar përkujtohen Shën Jordanin, martir; Shën Jobin, Shën Kataldi dhe të Lumin Nikola Albergatin.
Liturgjia e festës na kujton se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim. Liturgjia e ditës na fton të bashkojmë zërin në thirrjen: “Bekoje, o Zot, veprën e duarve tua”.
 
Të martën më 11 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Injacin e Lŕkonit; Shën Gualtierin apo Walterin. Liturgjia e kësaj dite na kujton se të kesh fe, do të thotë t’i besosh Zotit e të lëshohesh plotësisht në dorë të tij, edhe në çastet e rënda të provës, ashtu si bëri Moisiu. Duhet ta dimë mirë se e keqja nuk na vjen kurrë nga Zoti, madje ai na rri gjithnjë pranë e nuk na braktis kurrë.
 
Të mërkurën e ardhshme më 12 maj, përkujtohen Shenjtorët Nereu e Akileu, martirë; Shën Pankraci, martir dhe Shën Leopoldin Mandiç.
Liturgjia na kujtojnë se në këtë shtegtim krezhmor duhet të ndalohemi dhe një herë e të meditojmë mbi Jezusin e mbi veprat që kreu, për t’i besuar kështu me gjithë zemër e për t’i lartuar lutjen: “Dëgjoje, o Zot, britmën e njeriut të varfër, që të lutet!”.
 
Të enjten më 13 maj, kalendari kishtar kremton festën e Zojës së Bekuar të Fatimes; përkushtimi i Kishës së Marisë “tek Martirët” në Patheon të Romës dhe përkujton Andreun Uberto Fournet, meshtar.

Të premten e ardhshme më 14 maj, do të kremtohet festa e Shën Matisë që, i dashur nga Ati qiellor, u bashkua me 12 Apostujt. Na kujton se nuk jemi ne që e zgjedhim Zotin, por është Ai që na fton të bëhemi misionarë të Fjalës së Tij.
 
Liturgjia e së shtunës me 15 maj na kujton se trishtimi për kthimin e Krishtit tek Ati Qiellor, shndërrohet në gëzim, sepse Zoti na premton Ngushëlluesin. E është pikërisht Shpirti Shenjt që do t’i bindë ata që nuk besojnë, për lumninë përfundimtare të Krishtit e për dënimin e tij të padrejtë me vdekje. Është festa e Shën Sofisë, e Shën Torkuatit, ipeshkëv i Guadiksit dhe e Shën Isidorit, bujk.

Me ndihmën e Shpirtit Shenjt ecim plot shpresë në kërkim të së vërtetës së plotë, që gjendet në Jezusin e në Atin qiellor, lumturia e të cilit shkëlqen në mbarë universin. Këtë na kujtojnë Shën Aleksandri, ipeshkëv e Shën Ubaldi, ipeshkëv i Gubios, që do të përkujtohen të dielën që vjen më 16 maj, e po përmendim se më 16 maj Kisha kremton festën e të Shëlbuemit.







All the contents on this site are copyrighted ©.