2010-05-07 18:14:14

Thirrja e imzot Miliores në OKB për një botë të çliruar nga armët bërthamore.


(07.05.2010 RV)Duhet punuar me urgjencë për një botë të lirë nga armët bërthamore, në se duam që njerëzimi të mos shuhet”. Këtë theksoi dje kryeipeshkvi Çelestino Miliore, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, në fjalimin e mbajtur nga tribuna e Konferencës së OKB-së për rishkimin e Traktatit mbi mospërhapjen e armëve bërthamore, që vijon punimet në Pallatin e Qelqit, në Nju Jork.

Vetëm fakti që ekzitojnë këto bomba – tha prelati – krijon frymën e inkurajimit për përhapjen e tyre, e njëkohësisht, edhe rrezikun që materiali bërthamor, i prodhuar për përdorimin paqësor të energjisë, të shndërrohet në armatime. Këto armë – shtoi përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë – nuk janë zhdukur; përkundrazi, ekzistojnë në sasi të stërmëdha, madje, disa prej tyre, janë gati për t’u përdorur. Qëllimi i tyre nuk është thjesht mbrojtës, sepse tashmë janë rrënjosur në doktrinat ushtarake të fuqive të mëdha e, si pasojë, rreziku i përhapjes së tyre është thelluar, ndërsa kërcënimi i terrorizmit bërthamor, bëhet gjithnjë më real.
Imzot Miliore u kërkoi fuqive bërthamore t’i respektojnë traktatet e ndryshme mbi këtë çështje, duke theksuar se premtimet duhen vënë në jetë sa më shpejt. Kërkoi, gjithashtu, që këto armë të mos shikohen si mjet i sigurimit dhe i mbrojtjes, e aq më pak, si masë e fuqisë. Është fakt – nënvizoi – se asnjë forcë në botë nuk do të jetë në gjendje t’i mbrojë popullsitë civile nga shpërthimi i bombave bërthamore, që mund të mbysin, në një çast të vetëm, miliona njerëz. Selia e Shenjtë – vijoi – e mbështet me forcë çarmatimin bërthamor transparent, të verifikueshëm, global, të përhershëm; kërkon hyrjen në fuqi të Traktatit mbi ndalimin e plotë të provave bërthamore si dhe hartimin e menjëhershëm të një traktati mbi ndalimin e prodhimit të lëndës bërthamore, çështje që duhet trajtuar me përgjegjësi të lartë e pa asnjë vonesë.
Imzot Miliore kujtoi edhe thirrjen që bëri Papa të mërkurën e kaluar, në audiencën e përgjithshme: “Paqja – pohoi Ati i Shenjtë - mbështetet mbi besimin e mbi respektimin e zotimeve të marra, e jo vetëm mbi ekuilibrin e forcave”. Me këtë frymë, Benedikti XVI inkurajoi nismat, që kanë për qëllim çarmatimin progresiv dhe krijimin e zonave të lira nga armët bërthamore, në perspektivë të zhdukjes së tyre të plotë nga planeti. Papa e përfundoi thirrjen, duke i nxitur “të gjithë pjesëmarrësit në takimin e Nju Jorkut, t’i kapërcejnë kushtëzimet e historisë e të krijojnë me durim kushtet ekonomike e politike, që sigurojnë paqen, për të ndihmuar kështu në zhvillimin e gjithanshëm njerëzor e për t’i bërë realitet shpresat e vërteta të popujve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.