Shën Flavia Domitila, martire romake, në kalendarin e sotëm
(07.05.2010 RV)Në sa flasim për Shën Flavia Domitilën, kujtojmë se nga fundi
i shekullit I pas K. Ungjilli kishte hyrë tashmë edhe në jetën e aristokracisë romake.
Në historinë e Shën Euzebit të Cezaresë lexojmë: “Në vitin 95 pas K. Flavia Domitila,
mbesë e Flavio Klementit, asokohe konsull i Romës, së bashku me shumë persona të tjerë,
qe internuar në ishullin Ponza, sepse dëshmoi Krishtin”. Më pas qe dënuar me vdekje
edhe vetë Flavio, i akuzuar si ateist, siç quheshin në atë kohë të krishterët, sepse
nuk pranonin të adhuronin zotat e paganizmit romak. Shumë aristokratë të kohës, të
krishterë e judenj, u dënuan me vdekje ose me sekuestrimin e pasurive. E internuar
në Ponza, Flavia pësoi një martirizim të gjatë. Ky martirizim përshkruhet në shekullin
V me nota legjendare në një shkrinm me titull: “Mundimet” që flet për dy eunukë: Nereun
e Akileun, të cilët, ndërsa Domitila ishte në prag të martesës me Aurelianin, bir
i një konsulli, i folën për Krishtin e për bukurinë e virgjërisë, që do ta bënte vajzën
“motër me engjëjt”. Ajo, e prekur thellë në shpirt, hoqi dorë nga martesa dhe e mbuloi
kokën me velin e bardhë si dëbora të virgjërave të Zotit.Perandori Domician, kushëri
i Flavies, i zemruar keq nga prishja e fejesës, e internoi vajzën në ishullin, ku
përfundonin aristokratët e krishterë. Atje u flakën edhe Nereu e Akileu, të cilët
u shtrënguan me të gjitha mënyrat ta bindnin Flavien të hiqte dorë nga feja e re.
Po ata nuk pranuan e prandaj u dënuan me prerjen e kokës. Edhe vetë Aureliani vdiq
nga rraskapitja gjatë një mbrëmjeje vallëzimi, organizuar për t’ia ndërruar mendjen
së fejuarës. I vëllai, për t’u hakmarrë, i vuri zjarrin shtëpisë së Domitilës, e cila
u dogj brënda, duke ia kushtuar kështu deri në fund virgjërinë e saj Krishtit. Gjithsesi
rikujtojmë se ky rrëfim është më shumë legjendë sesa histori e vërtetë, ndonëse nuk
mungojnë në të edhe elemente të së vërtetës.