Para tre vjetësh zbulimi një kishe të vitit 1000 në Derven. Flet at Santuçi, jezuit
(06.06.10 RV)Tre vjet më parë në Derven të Shqipërisë qe zbuluar
një Kishë e vitit 1000. Që krishterimi në Shqipëri i ka rrënjët në fillimet e historisë
së tij, pak a shumë dihet. Shpesh, studiuesit kërkojnë prova që aktualisht zbulohen
nga arkeologjia, e cila nxjerr në dritë historinë e shkuar e të lashtë të këtyre trojeve.
Por në Shqipërinë e varfër, edhe kjo mundësi shfrytëzohet me pikatore, për shkak të
mungesës së fondeve për gërmimet arkeologjike. Para tri vjetësh në Derven të Krujës
është zbuluar një Kishë e lashtë e krishterë, e cila daton ndoshta para vitit 1000.
Është zbuluar jo nga ndonjë ekip i Monumenteve të Kulturës, por nga punëtorët e krahut
të një meshtari italian jezuit, i cili kishte ndërmend të ngrinte aty një kishë të
re për popullsinë e zonës. Quhet at Ernesto Santuçi S.J. dhe ndodhet në Shqipëri
që prej gati 20 vjetësh. Ja historia e këtij zbulimi, treguar prej tij në mikrofonin
e Radio Vatikanit:
Patëm filluar të gërmonim themelet
për kishën time të nëntë në fshatin e Dervenit afër Krujës, e cila do t’i kushtohet
shenjtit napoletan Jozef Moskatit, shenjtit mjek. Ndërsa gërmonim dolën disa mure.
U ndalëm dhe lajmëruam menjëherë përgjegjësit e Monumenteve të Kulturës në Tiranë,
që erdhën dhe vërtetuan se muret janë të një kishe përreth vitit 1000, e cila është
përmbytur dhe ka mbetur nën baltën e shumë shekujve. Pak a shumë, si shtëpitë e Pompeit
në Itali. Me sponsorizimin e Bankës Italo-shqiptare, vazhduam gërmimet e dolën në
dritë gjëra shumë interesante: muret, absida, tulla të bëra vetë, të cilat madje duket
se janë të kohës bizantine, pra para vitit 1000. Sensacional ka qenë zbulimi i disa
pikturave të mrekullueshme në absidë, të cilat janë pa kokë, sepse kupola ka rënë.
Është një Krisht Pantokrator me shën Pjetrin nga njëra anë e shën Palin nga ana tjetër.
Shën Pjetri dallohet nga çelësat që ka në dorë. Nga njëra anë ka edhe dy figura të
tjera, që sipas ekspertëve, duhet të jenë shën Gjon Pagëzuesi e Zoja. Më
pas gjatë gërmimeve, gjetëm një portë të mbyllur me mur, në të cilën ishte hapur një
kamare ku ishte një pikturë e mrekullueshme e Lajmërimit të Zojës së Bekuar.
Cila
është rëndësia e këtij zbulimi për krishterimin?
Pikërisht tani kur po flitet
për rrënjët e Evropës, vihet në dukje se Shqipëria i ka rrënjët e saj te krishterimi.
Sfidoj këdo, që të gërmojë në të gjithë Shqipërinë e të gjejë një xhami nën tokë.
Nuk ekzistojnë! Populli shqiptar ka qenë i krishterë e po kthehet tani në katolicizëm.
Ky për mua, është një gëzim i madh, një ngushëllim ..
Si kanë reaguar Kisha
katolike lokale dhe autoritetet e vendit, para këtij zbulimi?
Ka ardhur
për vizitë kryeipeshkvi i Tiranës, i cili i ka parë gërmimet. Vetëm se autoritetet
civile shqiptare e kanë nënvlerësuar këtë zbulim, flasin për mungesë fondesh, prandaj
aktualisht punimet janë ndërprerë, ndoshta do të rifillojnë në tetor… thonë. Mua vetë
më është dashur t’i mbuloj me qese plastmasi këto zbulime e të rrethoj vendin me rrjetë
teli për të mos lejuar që njerëzit të hyjnë brenda. …edhe ata që luten, sepse mjafton
ndezja e një qiriu që të shkatërrohet çdo gjë.
Po njerëzit
si kanë reaguar?
Me një rizgjim të fesë në banorët e fshatit. Njerëzit vijnë,
ndezin një qiri, lënë oferta, por sidomos shihet një rizgjim i fesë. Në këtë zonë,
ekziston aktualisht kisha e vjetër, gjithashtu kemi një kishë të vogël të re që e
kemi ndërtuar me dru e plastmas, sa për të mos e thënë meshën jashtë e, pastaj, janë
themelet e kësaj kishe të re, muret e së cilës do të fillojmë t’i ndërtojmë pas 10-15
ditësh, sapo burokracia të na japë lejet.
Ç’rëndësi ka për krishterimin
në Shqipëri, zbulimi që është bërë në Derven?
Fatkeqësisht unë nuk jam shqiptar.
Nuk e njoh gjuhën, prandaj nuk mund të shfrytëzoj biblioteka, libra e dokumenta që
flasin për këtë zonë, e cila është shumë e lashtë. Shumë afër Dervenit, menjëherë
pas Mallkuqit, ekzistojnë rrënojat e një Bazilike të shekullit IV-V. Janë krejtësisht
të braktisura, të shtijnë frikën me barin një metërsh që i rrethon, por është e qartë
se kjo është një zonë ku krishterimi ishte i zhvilluar. Gjatë gërmimeve
kemi gjetur monedha turke të vitit 700, monedha ari e në dyshemenë e kishës kemi gjetur
dy skelete, njëri prej të cilëve afër kokrrave të një rruzareje të prishur tashmë.
Siç duket, kanë qenë viktima të përmbytjes së atëhershme, por kanë qëndruar deri në
fund me rruzaren në dorë. Janë gjëra që të bëjnë të mendosh, të fusin drithmat.