2010-05-06 17:22:53

Fini viziton Tiranën: “Marrëdhëniet me Shqipërinë të shkëlqyeshme.”


(06.05.2010 RV)“Marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë janë të shkëlqyeshme”. Kështu u shpreh zëvendësministri italian Xhanfranko Fini, pas takimit me kryeministrin shqiptar Sali Berisha, sot paradite në Tiranë. Fini nënvizoi faktin se lidhjet e Italisë me Shqipërinë janë të lashta dhe kanë ecur përpara duke u përmirësuar. “Është e pamohueshme se qëkur Shqipëria është bërë vend demokratik marrëdhëniet janë të shkëlqyeshme”. Më pas Fini tha se një meritë e madhe për përmirësimin e këtyre lidhjeve ka kryeministri Sali Berisha. Zëvendëskryeministri italian vuri në dukje se lufta kundër kriminalitetit, trafikut të drogës, kontrabandës dhe emigracionit klandestin janë disa prej treguesve të këtyre arritjeve.
Nga ana e vet kryeministri Berisha falenderoi Finin për mbështetjen e fortë që ka dhënë dhe po jep parlamenti dhe qeveria italiane për pranimin në NATO dhe afrimin me Bashkimin Evropian. Më tej Berisha falenderoi Finin edhe për përmirësimin e gjendjes së bashkësisë shqiptare në Itali dhe në veçanti të 20 mijë studentëve shqiptarë që studjojnë pranë universiteteve italiane. Kjo është vizita e dytë e Finit në Shqipëri nga fillimi i mandatit të tij.
Pas takimit me Berishën, Fini mori pjesë edhe në debatin televiziv “Italia dhe Shqipëria 2010. Migracioni dhe integrimi, kthimi dhe zhvillimi” me kryeparlamentaren Jozefina Topalli, moderuar nga gazetari italian Bruno Vespa. Pikërisht ky i fundit qe edhe protagonisti i një shakaje ndërmjet Finit dhe Berishës. Pas shtrëngimit të duarve me Finin në kryeministri, Berisha e pyeti se ku është Bruno Vespa. Sakaq Fini i prezantoi Vespën duke thënë: Ja zëvendësministri [i Italisë].







All the contents on this site are copyrighted ©.