2010-05-06 17:28:59

Betohen 30 alabardierë të rinj të Rojes Zvicerane në Vatikan


(06.05.2010 RV)RealAudioMP3 Sot, Roja Zvicerane Papnore kujtoi flijimin e 147 ushtarëve të vet, rënë gjatë “Plaçkitjes së Romës”, më 6 maj 1527, duke mbrojtur Papën Klementi VII nga sulmi i lancikenekëve, ushtarëve mercenarë gjermanë. Po sot, u betuan edhe ushtarët e rinj të Rojes Zvicerane.
Kremtimet u hapën dje, me Mbrëmësoret në Kishën e Zojës në Rrëmaj, të kryesuara nga ipeshkvi i San Galos, imzot Markus Byhel. Ndërsa dita e sotme filloi me meshën e kryesuar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone në Elterin e Katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan. Më pas u nderuan të rënët dhe u vendos një kurorë dafinash në monumentin përkujtimor në Oborrin e Shën Damasit. Zv.sekretari i Shtetit, imzot Fernando Filoni u dha medalje e tituj nderi disa prej anëtarëve të Korpit të Rojeve Zvicerane.
Pasdite, në orën 17.00 u mbajt ceremonia e betimit të rojeve të reja dhe e zv.komandatit të ri, majorit Uiliam Kloter. Konfederata helvetike u përfaqësua nga Presidentja e Këshillit Federal, Doris Lojthard, e cila paradite u prit në audiencë nga Papa Benedikti XVI. Ishin të pranishëm ambasadorë e anëtarë të Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë. Manifestimet do të përfundojnë nesër, me një koncert të bandës muzikore të Uzvilit, që do të ekzekutohet në Oborrin e Shën Damasit në orën 16.30.
Alabardierëve të rinj, kardinali Tarçizio Bertone u kujtoi sot paradite, gjatë Meshës:
“Roja Zvicerane Papnore karakterizohet nga gatishmëria e anëtarëve të saj për t’u vënë në shërbim të Papës, për t’u kujdesur për mbrojtjen e tij të veçantë; është një vullnet që ju – të dashur alabardierë – keni shprehur si të krishterë, pra të motivuar nga dashuria për Krishtin e për Kishën. Jemi të mbledhur në këtë kremtim eukaristik për t’i thënë faleminderit Zotit për bujarinë tuaj”.
Por cila është mënyra e betimit të rojeve zvicerane dhe elementet e tij? Pyetëm kapelanin e tyre, atë Alan dë Remì:
Kemi fillimisht flamurin: rekruti shkon tek flamuri dhe e merr me dorën e majtë. Mbi flamur është stema e Xhulit II, themeluesit të Rojeve; është stema e Papës aktual; është stema e komandantit dhe janë edhe ngjyrat e familjes së Mediçëve nga ku vinte Klementi VII, shpëtuar nga Rojet Zvicerane. Pastaj ngrihet dora e djathtë drejt qiellit me tre gishta të hapur, që personifikojnë Trininë Shenjte.







All the contents on this site are copyrighted ©.