2010-05-05 18:56:56

Vizitat Baritore të Ipeshkvit të Kosovës Imzot Dodë Gjergji


Nëpërmes vizitës baritore Imzot Dodë Gjergji, ipeshkv yni, dëshiron të njihet për së afërmi me besimtarët, meshtarët dhe me motrat rregulltare, të cilat jetojnë dhe veprojnë në bashkësinë e famullive Kishtare, si dhe me të gjitha organigramën përbërëse që ka një bashkësi famullitare e Kishës. Gjatë vizitës baritore, ipeshkvi dëshiron të njihet nga afër si është:


Koha e vizitës baritore: marsi dhe prilli 2010 për pjesën e Gjakovës, me fillim të premtën dhe përfundim të dielën. Të dielën pasdite fillon vizita në ndonjë famulli tjetër.
Radhitja e vizitës do të jetë: Doblibare, Beci, Novosella, Pjetroshani, Bishtazhini dhe Gjakova.

Vizita baritore në famullinë e Shën Mëhillit në Doblibare

Në kuadrin e vizitës baritore që ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, ka ndërmarrë në Dioqezën tonë, arriti që prej datës 12-14 mars, të jetë në famullinë e Shën Mëhillit në Doblibare, ku famullitar është Don Kolë Thaqi dhe ku shërbejnë motrat Bijat e Dashurisë Hyjnore. Pranimi i Ipeshkvit filloi në oborrin e Kishës, ku e kanë pritur fëmijët, të rinjtë e të moshuarit e famullisë. Fjalën përshëndetëse në emër të pranishmëve e bëri drejtori i Shkollës Fillore në Doblibare, duke i uruar mirëseardhjen, i cili ndër të tjera tha: “Për ne sot është një ditë e gëzueshme që ndodhet në mesin tonë Ipeshkvi shumë i nderuar Imzot Dodë Gjergji”, kurse fëmijët i dhuruan një tufë me lule të bukura Ipeshkvit. Në fillim të vizitës Ipeshkvi i paraqiti popullit arsyen e pranisë së tij në Doblibare: “Kam ardhur me bashkëpunëtorët e mi – tha ai – për të parë punën që zhvillojnë meshtari dhe motrat në famullinë e Doblibares”. Morën pjesë një numër i madh i besimtarëve të famullisë, gjatë lutjes së Udhës së Kryqit, po ashtu edhe në Meshën Shenjte, të cilën e udhëhoqi Ipeshkvi, është vënë re në fytyrat e besimtarëve dashuria e madhe që kanë për Zotin dhe Barinjtë e Kishës.
Pas Meshës Ipeshkvi bëri një takim me Këshillin e famullisë, ku anëtarët shprehën shqetësimet e tyre kryesore mbi familjen, emigracionin dhe shkurorëzimet. Ipeshkvi theksoi arsyet kryesore që hasin në shkatërrimin e familjes së sotme: mërgimi, mungesa e dialogut mes burrit e gruas dhe materializmi e konsumizmi i tepruar në familje.
Në fund të mbledhjes, për këshilltarët u organizua edhe dreka e përbashkët. Takimi ishte shumë i përzemërt dhe të gjithë u ndanë të kënaqur.
Të nesërmen pati edhe një vizitë me drejtorin e shkollës dhe personelin e saj, ku i falënderoi për punën e madhe dhe të palodhshme që bëjnë për edukimn e brezave të ri, të cilët janë e ardhmja e Doblibares dhe fshatrave përreth. Ndërsa pasdite vizitoi disa të sëmurë dhe familje të varfëra në famulli, si familjen e Mëhill e Gjergj Drenaj. Të sëmurët mbetën të kënaqur që patën mundësinë që edhe mes dhimbjeve të takonin Bariun e tyre.
Në ora 16.00 në Berdosanë, filialë e Doblibares, u kremtua Mesha Shenjte, ku Kisha ishte përplotë me besimtarë, me të rinj e fëmijë. Në pasdite vonë u mbajt takimi me të rinjtë, ku ipeshkvi foli mbi rolin e fesë në përcaktimin e vlerave dhe në veçanti theksoi se jeta e të riut s’ka kuptim pa vlera, pa sakrificë dhe pa ideale. Në mbrëmje u shtrua darka me Këshillin e famullisë dhe përfaqësuesit e të rinjve.
Të dielën, me 14 mars, në ora 11.00, si festë për të gjithë të krishterët, Kisha u mbush me plot besimtarë, ku mblidhen për të kremtuar Meshën Shenjte me Bariun e vet të dashur Imzot Dodë Gjergji. Famullitari falënderoi Ipeshkvin dhe bashkëpunëtorët e tij, për ardhjen e tij në këtë famulli dhe për hiret e bekimet që ai i sjellë Kishës gjatë kësaj vizite baritore. Mund të konstatojmë se të gjithë mbetën të kënaqur me vizitën e Ipeshkvit.
 
Vizita baritore në famullinë e Lindjes së Virgjërës Mari në Bec

Të dielën, më 14 mars, edhe në famullinë e Becit në oborrin e Kishës kishin dalur një numër i madh i besimtarëve ta presin Bariun tonë. Kjo e dielë për Becin ishte e veçantë dhe shumë prekëse: në Meshën e orës 9.00, të udhëhequr nga Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi ynë zyrtarisht e hapi vizitën e tij baritore në këtë famulli. Ipeshkvi gjatë predikimit theksoi rolin konstruktiv të Kishës dhe të prijësve të saj, të cilët gjatë shekujve kanë shërbyer në ruajtjen e vlerave njerëzore, morale dhe fetare. Përfaqësuesja e të rinjve përshëndeti ipeshkvin, ndërsa famullitari falënderoi ipeshkvin dhe bashkëpunëtorët e tij për vizitën e tij baritore në këtë famulli.
Të martën paradite Ipeshkvi vizitoi familje të sëmurë dhe varfër të famullisë. Ndërsa pasdite u takua këshillin e famullisë, ku ishin të pranishëm përfaqësues të të gjitha fshatrave të famullisë së Becit. Në këtë takim u propozua zgjerimi i objektit të vjetër në Lugun e Bunarit, ku kremtohet Mesha Shenjte dhe administrohen sakramentet. Ipeshkvi e mori në shënim këtë kërkesë, të cilën e quajti të drejtë, edhe pse për momentin nuk mund të realizohet, sepse ka përparësi tjera në Ipeshkvi, si ndërtimi i Katedrales Nëna Tereze në Prishtinë, ndërtimi i Kishës së re në Llapushnik. Gjatë diskutimeve u analizuan sjelljet dhe qëndrimet e Kishës ndaj fejesave, shkurorëzimeve, vrasjeve etj.
Më 17 mars, në ora 10.00, Ipeshkvi u ndal tek Shkolla e Becit, ku një turmë e madhe nxënësish, pa dallim feje, të udhëhequr nga drejtori dhe arsimtarët e tyre, i bënë pritjen dhe i dhuruan lule. Ipeshkvi iu drejtua fëmijëve me fjalët “të jenë sa më të mirë, të përparojnë në dije, të dëgjueshëm ndaj mësuesve dhe prindërve – dhe shtoi – në asnjë mënyrë të mos bëjnë dallime në fe, sepse të gjithë jemi vëllezër”. Pastaj u bë edhe një takim vetëm me drejtorin dhe profesorët e kësaj shkolle, ku Imzoti vendosi theksin mbi një formim të duhur dhe të përshtatshëm për fëmijët.
Më pas Ipeshkvi vazhdoi sërish vizitën e tij në Bec, ku u prit me gëzim të madh prej hoxhës dhe shehut të fshatit, u diskutua për marrëdhëniet ndërfetare mes bashkësive fetare në fshatin e Becit. Gjatë bisedës me përfaqësuesit e Bashkësive fetare, Ipeshkvi e vlerësoi bashkëjetesën ndërfetare në këtë zonë dhe theksoi se populli shqiptar është shembull për rajonin dhe më gjërë për kultivimin e marrëdhënieve të mira ndërfetare.
Në takim me të rinjtë Imzot Dodë Gjergji shpjegoi shumë mirë disa gjëra të nevojshme për familjen dhe kurorën e martesës.
Ipeshkvi gjatë qëndrimit të në famullinë e Becit vizitoi edhe motrat Baziliane që shërbejnë në këtë famulli. Në këtë vizitë zyrtare Ipeshkvi shprehu falënderimet për kujdesin e mbarë bashkësisë, sidomos ato motra që shërbejnë drejtëpërsedrejti në famulli.
Dhe mëqenëse me fundin e vizitës baritore po afrohej përjetimi i Javës së Madhe, pra i Mundimeve të Jezu Krishtit, u mendua që kjo vizitë të mbyllej me kremtimin e Udhës së Kryqit dhe të Meshës Shenjte, në ditën e premte pasdite më 19 mars. Në Meshën Shenjte ishin të pranishëm edhe Don Lush Gjergji, Don Shan Zefi, Don Kelmend Spaqi dhe Don Albert Jakaj.

Vizita baritore në famullinë e Shën Rrokut në Novosellë

Të enjten, më 25 mars, vizita baritore do të vazhdonte në famullinë e Novosellës. Menjëherë pas arritjes së Ipeshkvit në ora 10.00, u bë Bekimi i Rrëfyestorëve të reja në këtë famulli. Deri në ora 10.45 ishte mundësia për rrëfime, sepse këtë ditë kjo famulli ka pas rrëfimet në nivelin e dekanatit.
Në ora 11.00 u bë vizita në shkollën fillore “Shtjefën Kurti” në Novosellë. Ipeshkvi, i shoqëruar nga famullitari dhe nga bashkëpunëtorët e tij, u mirëprit nga nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle. Ipeshkvi pasi që i përshëndeti nxënësit dhe u përgjigj në çdo pyetje të nxënësve që kishin përgatitur për të. Po ashtu ipeshkvi zhvilloi takim me drejtorin e shkollës dhe mësimdhënësit e saj, ku mbajti fjalën e rastit dhe foli për rolin e shkollës, si faktor i rëndësishëm në formimin e brezave të ri. Drejtori z. Tunë Frrokaj, në emër të kolektivit falënderoi vizitën e Ipeshkvit dhe e quajti atë ditë si ditë historike për shkollën e tyre, sepse për herë të parë në historinë e shkollës “Shtjefën Kurti”.
Në ora 11.30 vizitoi Ambulancën e fshatit dhe u njoftua nga znj. Guse Hajdaraj rreth aktiviteteve të kësaj ambulance.
Pasdite në ora 15.00 u kremtua Mesha në fshatin Plançor, filialë e famullisë së Novosellës. Famullitari Don Lush Sopi falënderoi Zotin për këtë hir të vizitës baritore të Sh.T. Imzot Dodë Gjergji në famullinë tonë. Prania e Ipeshkvit na gëzon dhe na bën të përjetojmë edhe më shumë bashkësinë e krishterë. Ipeshkvi gjatë predikimit nxiti besimtarët që të jetojnë Meshën dhe Fjalën e Zotit, të angazhohemi sa më shumë në transmetimin e vlerave të krishtera në shoqëri. Pas Meshës vizitoi Shtëpinë strehuese për fëmijë të braktisur në Plançor, ku përgjegjës ishte çifti i mrekullueshëm Zef e Bora Dedaj. Ipeshkvi përgëzoi për punën e madhe që bëjnë këta edukatorë për fëmijët e braktisur të famullisë.
Në mbrëmje ishte darka dhe takimi me Këshillin e famullisë, ku mes të tjerash diskutuan për ndërtimin e Kishës në Plançor. Famullitari u zotua se sivjet do të fillojnë me ndërtimin e Kishës së re dhe do të kenë mbështetjen morale edhe të Ipeshkvit tonë.
Kjo vizitë u pasua në Novosellën e Ultë, ku filloi vizitën me shkollën fillore të këtij fshati. Në oborrin e shkollës u prit nga nxënësit, drejtori dhe arsimtarët e shkollës. Në emër të arsimtarëve Ipeshkvin e përshëndeti drejtori z. Pjetër Geci, njëkohësisht e përgëzoi iniciativën e tij që gjatë vizitës së tij baritore, të vizitojë edhe shkollën fillore të Novosellës së Ulët. Pastaj u zhvillua edhe një takim vetëm me drejtorin dhe me profesorët e kësaj shkolle, ku Imzoti vendosi më shumë theksin për një formim të duhur dhe të përshtatshëm për fëmijët dhe të rinjtë.
Ardhja e Ipeshkvit u mirëprit edhe në shkollën fillore në Dobrigjë, ku nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle i dhuruan një mirëseardhje familjare.
Në ora 15.45, Kisha ishte mbushur përplot me besimtarë, të cilët kishin ardhur të lusin Udhën e Kryqit, që është simbol i vuajtjes dhe i kryqit të jetës sonë dhe ka kuptim nëse e mbartim Kryqin bashkë me Krishtin drejt Kalvarit. Pas Udhës së Kryqit pasoi Mesha Shenjte, të cilën e udhëhoqi Ipeshkvi. Menjëherë pas Meshe u zhvillua takimi me të rinjtë e famullisë. Aty Monsinjori, ndër të tjera, nënvizoi disa këshilla të rëndësishme për të rinjtë, ku më rëndësishmja ishte që të rinjtë të mos kenë frikë të ndjekin Jezusin. Pas takimit u mbajt një program festiv në sallën e famullisë. Në mbrëmje, në darkë, ishte i ftuar edhe mysafiri special Dr. Pal Lekaj, Kryetari i Komunës së Gjakovës.
 Përfundimi i vizitës baritore në këtë famulli u zhvillua në të Dielën e Larit, me 28 mars, në ora 9.00, me ç’rast ipeshkvi i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në Meshën Shenjte dhe, në mënyrë të veçant, ifalënderoi famullitarin dhe motrat e kësaj famullie.
 
Vizita Baritore e Ipeshkvit tonë Imzot Dodë Gjergji (2)

 
Ç’është vizita baritore? Është “një shenjë e pranisë së Zotit që viziton popullin e tij në paqe” (Pastores gregis, 46). Është një veprim apostolik, një ngjarje hiri që reflekton, në një farë mënyre, vizitën me të cilën Biri i Hyjit, Bariu i barinjve, e pa dhe e shpërbleu popullin e vet.
Kush vjen? Ipeshkvi, që në vizitën baritore paraqitet si kreu i dukshëm dhe themel i njësisë së Kishës lokale (i Dioqezës që përbëhet nga të gjitha famullitë e saj): është dëshirë e tij, e gjallëruar nga dashuria baritore, që çdo bashkësi ta realizojë bashkimin dhe misionaritetin.
Përse bëhet vizita baritore? Për të promovuar jetën e bashkësisë famullitare dhe në veçanti të organizmave të saj në pjesëmarrjen kishtare (këshillin baritor të famullisë dhe këshillin për çështjet ekonomike); për të ndihmuar bashkësitë famullitare që të zhvillojnë dimensionin e shërbesës dhe të bashkëpërgjegjësisë, duke iu referuar në mënyrë të veçantë laikëve.
Vizita Baritore, sipas normave të Kodit të së Drejtës Kanonike, është njëra prej detyrave të Ipeshkvit që ka për detyrë të vizitojë mbarë dioqezën e tij, të paktën çdo pesë vite (krah. CJC, 396 §1; 398).
Kujt u drejtohet? Të gjithë njerëzve që banojnë në Dioqezën e Kosovës, por në mënyrë të veçantë, meshtarëve, bashkësive rregulltare, bashkëpunëtorëve të famullisë, si dhe laikëve të angazhuar në Kishë.
Si zhvillohet? Ipeshkvi shkon famulli më famulli dhe qëndron në çdo bashkësi për disa ditë, gjatë të cilave kremton Eukaristinë dhe takon e bisedon me besimtarët.
Kur zhvillohet? Fillon më 1 mars 2010 dhe përfundon në fund të vitit 2010. Në harkun e kësaj kohe çdo famulli e Ipeshkvisë sonë do të vizitohet.
Si të përgatitemi? Çdo famulli përgatitet me lutje, që vizita baritore ta ndihmojë secilin për të takuar Zotin Jezus dhe bashkësinë në shërbesë dhe në bashkëpërgjegjësi.
Konkretisht - Ipeshkvi takon zyrtarët e lartë të komunës, organizmat pastoralë në famulli, katekistët, ministrantët, bashkëpunëtorët e famullitarit, shoqëritë dhe lëvizjet kishtare të pranishme në famulli. Dëgjon njerëzit që duan të bisedojnë me të. Viziton të sëmurët. Udhëheq kremtimet liturgjike, në mënyrë që vizita baritore të shndërrohet në lutje dhe ka për qëllim që të zbulojmë se ne jemi Kisha e gjallë: Fjala, Lutja, Eukaristia e sakramentet, vëllazëria e formimi. Pra, zbatojmë përvojën e Zakeut me Jezusin: “Jezusi hyri në Jeriho dhe po kalonte nëpër qytet... Kur Jezusi erdhi në atë vend, shikoi përpjetë dhe i tha: “Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!” Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim.” (Lk 19, 1.5-6).

Vizita baritore në famullinë e Zojës Rruzare në Bishtazhin

Të premten, më 9 prill, në ora 10.00, ishte një ditë e veçantë për famullinë e Bishtazhinit, sepse besimtarët e kësaj famullie në oborrin e Kishës me gëzim po prisnin Bariun e tyre. Sipas Ritit për Vizitën baritore Ipeshkvi puthi kryqin dhe hyri në Kishë, ku famullitari përshëndeti ngrohtësisht Imzot Dodë Gjergjin për Vizitën e tij në Bishtazhin dhe luti Zotin për një Vizitë të suksesshme në këtë famulli. Motrat që veprojnë në famulli, kishin përgatitur një program të shkurtër kulturor, që u shfaq nga fëmijët e famullisë, të cilët e pritën Ipeshkvin me këngë e valle. Paradite po ashtu Ipeshkvi pati mundësinë të takohet me famullitarin Don Rrok Gjonlleshaj, me vikarin e famullisë Don Tomë Gjugja dhe Motrat françeskane të “Zojës së Papërlyer”, që shërbejnë në këtë famulli.
Pasdite vizita vazhdoi në familjet me nevoja të veçanta, si në familjen e Nikollë Oroshit, të cilin aksidentalisht e ka mbytur rryma dhe ka lënë katër vajza jetime. Po ashtu vizituam edhe familjen e Pjetër Oroshit, këshilltar i Kishës, ku Ipeshkvi iu dha bekimin e Zotit të gjithë anëtarëve që banojnë në këtë shtëpi. Në mbrëmje, në ora 18.00, u zhvillua takimi me Këshillin e Kishës, ku Ipeshkvi falënderoi dhe shpjegoi rolin e këshilltari. Të jesh këshilltar do të thotë të jesh bashkëpunëtori më i ngushtë i famullitarit. Falënderoi Don Rrokun se ka rolin e dyfishtë, përveçse është famullitar në Bishtazhin, njëkohësisht është edhe Ekonom dioqezan, i cili në bashkëpunim të ngushtë me Ipeshkvin ka për detyrë të administrojë të mirat dioqezane të Kishës sonë dhe në veçanti kontributin e madh që jep në ndërtimin e Katedrales në Prishtinë. Ipeshkvi kërkoi që të themelohet Këshilli i të Rinjve, të cilët në marrëveshje me famullitarin, do të përpiqen të organizojnë aktivitete të ndryshme brenda famullisë. Gjithashtu kërkoi nga famullitari që të themelohet edhe Këshilli ekonomik (dy anëtarë laikë dhe famullitari), të cilët do të ndihmojnë famullitarin në administrimin e të mirave, të kujdesohen në mirëmbajtjen e Kishës, të gjejnë mjete financiare për të paguar shërbimet (uji, dritat, telefoni, ngrohja...) dhe për aktivitetet e famullisë. Ipeshkvi dëshmoi se gjatë vizitës së tij në këto fshatra ka parë shumë toka të papunuara dhe bashkimi i këtyre arave, padyshim se do të parandalonte edhe emigracionin dhe do të ulte papunësinë në këtë zonë të Gjakovës. Vizitoi edhe zyrën e Kolpingut në Bishtazhin, ku rreth veprimtarisë së kësaj zyre na folën Don Tomë Gjugja dhe Shtjefën Kajtazi, kryetar.
Të nesërmen, më 10 prill në ora 10.00, vizitoi Shkollën fillore “At Gjergj Fishta” në Bishtazhin, ku u takua vetëm me stafin e mësimdhënësve. Drejtori Zef Shala në emër të kolektivit këtë ditë e quajti si ditë historike për shkollën, sepse për herë të parë këtë shkollë e ka vizituar një personalitet i lartë, siç është Ipeshkvi i Kosovës. Imzot Doda vendosi theksin në një formim të duhur dhe të përshtatshëm për fëmijët dhe të rinjtë tanë, të cilët janë e ardhmja e vendit tonë. Po ashtu vizitoi edhe Shkollën e mesme “Hajdar Dushi” në Bishtazhin, ku koordinatori Mëhill Shala e njoftoi për të arriturat e kësaj shkolle. Menjëherë vizita vazhdoi në Ambulancën e fshatit, ku znj. Gjyle Nokaj përveçse tregoi se ka mungesë ilaçesh po ashtu falëndëroi Ipeshkvin që vizitoi Ambulancën. Pastaj vizitoi edhe Zyrën e vendit, ku Mikel Çupi na njoftoi se kjo zyre posedon Librat e vjetra të famullisë së Bishtazhinit dhe të Smaqit, që janë konfiskuar me dhunë nga regjimi i vjetër komunist. Gjithashtu vizituam edhe Bibliotekën e fshatit, për të cilën kujdesej me shumë dashuri z. Gjon Çuni.
Në ora 12.00 vizituam familjen e Martin Dushit, familje e varfër dhe me dy fëmijë me aftësi të kufizuara, ku Imzoti ftoi që të gjejnë ngushëllimin në Jezu Krishtin e kryqëzuar, sepse vetëm në Të kemi fitoren.
Ndërsa pas dreke, në ora 14.00, vizitoi truallin e vjetër të Kishës famullitare në Smaq. Dhe në këtë vend, në praninë e Ipeshkvit, të famullitarit dhe të disa dhjetra besimtarëve, pronari i truallit Prek Ndue Lleshdedaj, ia fali Kishës 50 ari tokë. Dhe aty për aty u vendos që ngrihet një pllakatë mermeri, ku do të shkruhen të gjithë emrat e martirëve katolikë, që u vranë nga regjimi shovinist serb. Po ashtu u vendos që të ndërtohet edhe një Kapelë e vogël, pikërisht në themelet e Kishës së vjetër famullitare të Smaqit. Ipeshkvi u zotua se do të jetë donator i pllakës së mermerit.
Vizita vazhdoi në familjen e Augustin Bisakut dhe të Gjergj Noshit, i biri i kësaj familje Luz Noshi është këshilltar i Kishës. Gjithashtu vizituam edhe Fermën e shpesëve “Ereniku” në Gjakovë, ku pronari Zef Pjetri, burrë modest dhe punëtor, na foli për dy ndërmarrje të shpezëtarisë në Gjakovë dhe Gjilan, dhe ku janë derdhur investime kolosale në vendin tonë. Aty aktualisht janë të punësuar mbi 100 punëtorë. Ipeshkvi ynë i përgëzoi për punën që bëjnë dhe shprehu kënaqësinë që një prodhues shqiptar nga Kosova, ka arritur sukses me prodhimtarinë e tij në Gjakovë dhe Gjilan, dhe theksoi se ai që punon me ndershmëri edhe vetë Zoti i ndihmon.
Të dielën, më 11 prill, në ora 11.00, u zhvillua Mesha pontifikale, e udhëhequr nga Ipeshkvi ynë Imzot Dodë Gjergji, ku koncelebruan Don Rrok Gjonlleshaj, Don Lush Gjergji, Don Shan Zefi dhe Don Albert Jakaj. Kisha ishte e mbushur përplot me besimtarë. Pasi u lexua Fjala e Zotit, Ipeshkvi theksoi disa pika të rëndësishme gjatë pretkut, por sidomos theksin e vendosi tek falja, duke thënë se “jeta jonë dhe e ardhmja e jonë varen vetëm nga Zoti dhe jo nga dora e njeriut. Pra, jeta e njeriut i përket vetëm Zotit, prandaj askush nuk ka drejtë të vrasë dhe të hakmarrë!” Në fund të Meshës Imzoti bëri bekimin e tri truporeve, që janë sjellë dhuratë për këtë famulli. Në Meshën Shenjte Ipeshkvi ndau edhe Sakramentin e Martesës një çifti të ri bashkëshortor nga Bishtazhini. Kështu u krye edhe Vizita baritore në këtë famulli dhe të gjithë besimtarët u ndan të kënaqur.

Vizita baritore në famullinë e Shën Pjetrit e Palit në Gjakovë

Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji, këtyre ditëve (prej 13-20 prill) bëri vizitën baritore në Kishën famullitare të Shën Pjetrit e Palit apostuj në Gjakovë, të cilën e drejtojnë Etërit Françeskanë.
Më 13 prill, në ora 09.40, u realizua arritja e Ipeshkvit në Kishën e Shën Pjetrit e Shën Palit, ku një numër i madh i besimtarëve e pritën me gëzim Bariun e tyre. Më 13 prill ishte e Martja e pestë e Shën Ndout dhe Meshën e udhëhoqi Don Robert Jakaj, meshtar në Zllakuqan, ku në pretkun e tij na foli për jetën e Shenjtit të madh mrekullibërës, i cili na drejton drejt Jezu Krishtit të Ringjallur. Në fund të Meshës Ipeshkvi përshëndeti të pranishmit, të cilët kanë ardhur prej viseve të ndryshme të Kosovës të gjejnë hire e bekime prej Shën Ndout dhe në këtë mënyrë shënoi zyrtarisht fillimin e Vizitës baritore në Gjakovë. Gjithashtu Ipeshkvi i bekoi fëmijët, të sëmurët.
Pasdite Ipeshkvi pranoi në vizitë znj. Jelena Mandic, udhëheqëse e Shoqatës Iniciativa Ekumenike e Grave, ku u njoftua rreth veprimtarisë së tyre dhe që kanë për qëllim integrimin e pakicave në shoqërinë kosovare dhe emancipimin e gruas në rajonin e Europës Juglindore. Në ora 15.00 u zhvillua takimi me këshilltarët e Kishës në Gjakovë, me ç’rast bisedoi me ta dhe i dëgjoi mendimet e tyre. U njoftua se në këtë famulli janë rreth 1.400 fëmijë e të rinj që vijojnë Katekizmin, ku përgatiten për të pranuar Sakramentët. Ipeshkvi falënderoi këshilltarët e Kishës, të cilët janë bashkëpunëtorët më të ngushtë të famullitarit. Po ashtu ftoi famullitarin të themelojë Këshillin e të rinjve, të cilët në harmoni me famullitarin do të përpiqen të organizojnë shtegtime, aktivitete rinore brenda famullisë, turne sportive, koncerte...etj, e që kanë për qëllim bashkimin e të rinjve katolikë brenda famullisë. Gjithashtu ftoi të krijohet një Këshill ekonomik, dy laikë ekspertë në ekonomi, njëkohësisht që gëzojnë autoritet në famulli, të cilët do të ndihmojnë famullitarin në mirëmbajtjen e Kishës dhe që do të gjenin mënyra të mbështesin aktivitetet e të rinjve brenda famullisë. Në ora 17.00 u nisëm drejt fshatit Vogovë, ku Ipeshkvi pati Meshën Shenjte në këtë filialë, e cila drejtohet prej Etërve françeskanë. Pas Meshës vizituam edhe bamirësin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, Kolë Syla i cili jeton dhe punon në SHBA, por që ndodhej në vizitë në fshatin e tij të lindjes në Vogovë.
 Të nesërmen në ora 10.30, më 14 prill, Ipeshkvi ynë vizitoi Shkollën e Mesme Profesionale “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë. Historiku i Shkollës fillon mes Caritas-it Zviceran dhe Dioqezës së Prizrenit, ku kanë vendosur të themelojnë një shkollë të re aftësuese profesionale në Gjakovë. Shkolla për aftësim profesional është plotësisht e integruar në sistemin publik arsimor të Kosovës, në kuadër të kësaj shkolle ekzistojnë tri degë: Teknologji, Administrim biznesi dhe Bujqësi. Shkollimi zgjat tre, respektivisht katër vite të arsimit të mesëm, ku nxënësit fillojnë shkollën në moshën 15-vjeçare. Maturantët mund të vendosin, se a do të angazhohen në aktivitetet e tyre profesionale, apo të vazhdojnë me studimet universitare në degë të caktuar. Kjo Shkollë ka filluar punën më 1 nëntor 2004 dhe mbart emrin e priftit jezuit shqiptar nga Gjakova, i cili jetoi gjatë viteve 1702-1752 dhe gjatë një vizitë më 1743 në Romë, Gjon Nikollë Kazazi, si Ipeshkëv i Shkupit, në Bibliotekën e Kongregatës për Përhapjen e Fesë (Congregatio de Propaganda Fide) kishte hasur në ekzemplarin e vetëm të Mesharit të Gjon Buzukut (1555). Kazazi veprën e vjetër e përshkruante si "një libër të përdorur ndër vite për mesha". Pastaj ai bëri një kopje, të cilën ia dërgoi themeluesit të Seminarit të Shqipes në Palermo, Gjergj Gjyzetës (Giorgio Guzzetta) dhe nga fundi i shekullit XVIII, Meshari gjendej te Kardinali Stefan Borgja (Stephan Borgia) e më vonë, në Bibliotekën e Vatikanit.
Paradite Ipeshkvi u takua me profesorët e kësaj shkolle, ku në emër të stafit folën Binak Morina dhe Rrok Frrokaj, të cilët e njoftuan Ipeshkvin me ciklin mësimor të kësaj shkolle. Vizita vazhdoi në Kuvendin e Motrave të Shën Kryqit, afër Spitalit dhe pasdite vizituam edhe filialën në Osek Pashë, e cila drejtohej kryesisht prej fratit kroat At Mijo Shuman, i cili për një kohë të shkurtër kishte mësuar shumë mirë të fliste Gjuhën shqipe. Kapela ishte e mbushur përplot me besimtarë, të cilët kanë ardhur të presin Bariun e tyre shpirtëror. Në emër të besimtarëve Ipeshkvin e përshëndeti këshilltari Binak Gjokaj, i cili i dhuroi një unazë. Pas Meshës vizitoi familjen e Luigj Rrukajt, ku kjo familje kishte rezervuar për Ipeshkvin një mikpritje shumë të ngrohtë familjare, tipare këto të një familje tipike shqiptare të Rrafshit të Dukagjinit.
Të enjten, më 15 prill, në ora 10.30, Ipeshkvi ynë me bashkëpunëtorët e tij vizitoi Bashkësinë Islame në Gjakovë dhe u prit nga myftiu Fatmir Iljazi, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame. Ipeshkvi u shpreh i kënaqur për vizitën e tij dhe njëherësh falënderoi për mikpritjen, që iu bë. "Është një rast i mirë për të falënderuar kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës për këtë pritje të ngrohtë vëllazërore dhe miqësore. Kemi kënaqësinë që t’ia shprehim njëri-tjetrit gatishmërinë për bashkëpunim, por edhe vullnetin tonë që si bashkësi fetare të ruajmë tolerancën vëllazërore e ndërfetare dhe të japin kontribut që të jemi bartës të paqes dhe bashkëjetesës së ndershme dhe të rehatshme mes njerëzve”, tha Imzot Dodë Gjergji. Më pas Ipeshkvi me bashkëpunëtorët e tij vazhduan vizitën në xhaminë e Hadumit, ku u njohën nga z. Iljazi për vlerat fetare që mbart ky objekt.
Më pas vizita vazhdoi në Komunitetin Bektashian në Gjakovë. Gjatë bisedës me Baba Mumin Lama, u fol për vlerën e bashkëjetesës fetare dhe për futjen e mësimit fetar nëpër shkolla. Ipeshkvi gjatë intervistës së rastit nga TV Syri, televizion lokal në Gjakovë, deklaroi: “Se formimi apo edukimi fetar duhet të bëhet në Kishë e Xhami, ndërsa informimi i nxënësve si lëndë religjioni në aspektin historik, ku mësohet për çdo religjion të botës, pra për Islamin, Krishtërimin, Hebraizmin, Budizmin... mund të bëhet nëpër shkollat tona”.
Në 12.30 vizitoi edhe Spitalin e Gjakovës, ku punojnë Motra Simona Nikollbibaj dhe Motra Lindita Dedaj, në repartin e Kirurgjisë. Ndërkaq z. Ajet Bunjaku, ushtrues i detyrës së drejtorit të qendrës spitalore në Gjakovë, vlerësoi për punën e palodhshme të Motrave, të cilat me dashuri të madhe përkujdesen për të sëmurët.
Pasdite në ora 15.30 u nisëm për në fshatin Korenicë dhe kur flasim për këtë fshat duhet të dimë se më 27 prill të vitit 1999 nga masakra e Mejes dhe Korenicës përfshinte pesëmbëdhjetë fshatra të Rekës së Keqe dhe më gjerë, u vranë dhe u zhdukën 377 shqiptarë. Prej kësaj përmase të të vrarëve, vetëm nga Korenica ishin ishin shtatëdhjetë veta, duke i shtuar edhe numrin e tridhjetë e dy të vrarëve nga të strehuarit atë natë nga fshatrat Guskë, Brekoc, Babaj të Bokës, Duzhnje dhe Gjakovës që arrin numrin në njëqind e dy të vrarë në Korenicë. Monsinjori në takimin që pati me besimtarët e këtyre fshatrave, edhe përkundër kryqeve të mëdha në jetë, forcën dhe ngushëllimin mund të gjeni vetëm në Jezu Krishtin. Gjithashtu vlen të theksohet se banorët e këtyre fshatrave kanë qenë të dëbuar me dhunë gjatë luftës për në Shqipëri, gjegjësisht në famullinë e Kallmetit (Lezhë), në këtë famulli Ipeshkvi ynë, atëherë Don Doda, ka shërbyer si famullitar për shumë vite. Menjëherë pas takimit në ora 17.00, Ipeshkvi Meshën Shenjte ia kushtoi të gjithë të rënëve në masakrën e Mejes e Korenicës. Në mbrëmje në ora 19.00 u shtrua Darka me këshilltarët dhe përfaqësuesit e grupeve të famullisë.
Të nesërmen, më 16 prill, në ora 10.30, Ipeshkvi vizitoi Kuvendin Komunal në Gjakovë, ku u prit nga Kryetari i Komunës z. Pal Lekaj. Imzot Dodë Gjergji tha “fjalia tolerancë ndërfetare është artificiale, sepse në Kosovë shqiptarët e fesë katolike dhe të fesë islame janë të një kombi, gjuhe, të një gjaku dhe të një trungu dhe jetojnë bashkërisht. Pra, nuk kemi nevojë të shpikim metodologji të reja, sepse jetojmë bashkë, jemi të një gjaku e trungu, me raporte të mira e vëllazërore”. Ndërsa kryetari Lekaj, ka thënë se “Komuna e Gjakovës ka qenë dhe do të mbetet shembull i bashkëpunimit të dashurisë dhe të respektit reciprok në mes të komuniteteve fetare. Kisha Katolike në Gjakovë dhe Bashkësia Islame në këtë komunë, përherë i kanë parapri proceseve pozitive dhe kanë qenë shtytës të tyre për një jetë të përbashkët pa dallim feje apo race”. Gjithashtu Imzot Dodë Gjergji, ka pohuar se “dy komunitetet përherë kanë sjellë stabilitet, dialog ndërfetar. Dhe të dy komunitetet fetare kanë qenë dhe janë shtytëse e proceseve të lirisë dhe pavarësisë, të demokracisë dhe integrimit të shtetit të Kosovës në familjen e madhe evropiane”, ka thënë kreu i Kishës Katolike Imzot Gjergji.
Në ora 11.30 takimi është paraparë me Rregullin e Tretë Shekullar Françeskan, pendestarët françeskanë që jetojnë në shtëpitë e tyre (të martuar apo jo) përbëjnë “Rregullin e tretë Shekullor”, që iu ofron të gjithë ndjekësve të Shën Françeskut një rregull të jetës ungjillore. Pra Rregulli i Tretë Françeskan është nga kohërat e Shën Françeskut të Asizit dhe vazhdojnë veprimtarinë e tyre deri sot. Ministra e Rregullit Françeskan Shekullar në Gjakovë, Lizabeta Nushi, përshëndeti Ipeshkvin në emër të anëtarëve dhe e njoftoi mbi formimin dhe gjendjen aktuale të Rregullit Françeskan Shekullar. Aktivitetet e apostullatit të Rregullit të Tretë të Shën Françeskut janë të shumëllojshme: pastorali në famulli, veprat e mëshirës për nevojtarë, shkolla për të rinj, katekezë e predikime, mësim, apostullim i shtypit, misioni. Por apostullimi kryesor është të jetojnë dhuratën e jetës së kushtuar si dhuratë të vazhdueshme mbi altarin e botës për lavdinë e Hyjit dhe për shëlbimin e vëllezërve. Pasdite Ipeshkvi u nis drejt Shkodrës për të marrë pjesë në 150-vjetorin e themelimit të Seminarit Papnor në Shkodër, i cili udhëhiqet nga Etërit Jezuit. Të dielën, me 18 prill, ishte Mesha Shenjte në Kishën famullitare të Shën Pjetrit e Shën Palit. Pas Meshës u bë takimi me besimtarët e Gjakovës, me Etërit françeskanë dhe me Motrat e Shën Kryqit, të cilat shërbejnë në famullinë e Gjakovës. Të gjithë mbetën jashtëzakonisht të kënaqur për ardhjen e Imzotit në Gjakovë, sepse gjithmonë kanë nevojë të dëgjojnë zërin dhe këshillat e atij që flet në emër të Zotit.
Pasdite në ora 17.00, u zhvillua një takim me rininë e famullisë, në të cilin Ipeshkvi shpjegoi shumë mirë disa gjëra të nevojshme mbi familjen, mbi vlerat njerëzore dhe kristiane që duhet t’i kultivojmë në familjet tona dhe për kurorën e martesës. Të hënën, më 19 prill, në ora 10.30 Ipeshkvi me bashkëpunëtorët e tij vizitoi Shkollën fillore “Zef Lush Marku” në fshatin Brekoc, ku u prit nga drejtori dhe arsimtarët e kësaj shkolle. Drejtori Kriger Ramaja, në emër të stafit mësimor përshëndeti Ipeshkvin dhe falënderoi për vizitën e tij që i ka bërë kësaj shkolle. Gjithashtu kërkoi nga Ipeshkvi të ndihmojë materialisht këtë objekt shkollor, që është në kushte të mjerueshme. Ipeshkvi tha se Kisha Katolike gjithnjë ka ndihmuar nëpërmjet mekanizmave të saj (Caritas, Shoqata humanitare „Nënë Tereza“...), në kohët më të vështira kur ka jetuar populli ynë, sidomos para dhe pas luftës. Por sot, në dallim prej periudhës së menjëhershme të pasluftës, ne nuk jemi në kohën e emergjencës, megjithatë këtë porosi do t'iu përcjellë zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit sepse është kompetencë e tyre. Megjithatë Imzoti duke iu drejtuar arsimtarëve, vendosi theksin më shumë mbi një formim të duhur e të përshtatshëm për fëmijët dhe të rinjtë.
Pastaj vizita vazhdoi tek Shoqata e Intelektualëve „Jakova“ në Gjakovë. Në emër të Shoqatës kryetari z. Masar Rizvanolli, përshëndeti Ipeshkvin dhe bashkëpunëtorët e tij. Gjatë takimit u trajtuan shumë argumente me përmbajtje shkencore. Po ashtu kërkuan nga Ipeshkvi, që të kenë përkrahjen e tij, që në Gjakovë të vendoset statuja e Anton Çetta-s, sepse ky burrë i madh dhe i urtë ka lindur në këtë qytet. Ipeshkvi u zotua se do të kenë përkrahjen e tij pa rezervë për këtë projekt kaq madhor jo vetëm për Gjakovën, por për mbarë popullin e Kosovës.
Pasdite, po në të njëjtën ditë, Ipeshkvi u takua me intelektualët, personalitetet dhe biznesmenët katolikë në Gjakovë. Gjatë këtij takimi Ipeshkvi vendosi theksin tek uniteti i Komunitetit Katolik në këtë qytet.
Vizita baritore përfundoi me meshën e së Martës, më 20 prill, që ishte edhe e Martja e gjashtë e Shën Ndout. Në Meshë morën pjesë afër 3.000 vetë, të cilët e përcollën me vëmendje secilën porosi që Bariu i tyre kishte për ta. Ipeshkvi në Meshën Shenjte falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për punën e mrekullueshme të Etërve françeskanë dhe të Motrave të kësaj famullie. Fjalët „mirë se të na vish sa më shpesh në famullinë tonë“ – ishin fjalët e besimtarëve që iu drejtuan Ipeshkvit. Dhe kështu përfundoi Vizita baritore, një rast shumë i veçantë dhe i paharruar për famullinë e Gjakovës.

 
Don Albert Jakaj







All the contents on this site are copyrighted ©.