2010-05-05 16:25:19

Në Lurdë, Kongresi Botëror i Mjekëve Katolikë


(05.05.2010 RV)“Feja jonë prej mjeku”: kjo është tema e Kongresit XXIII Botëror të Federatës ndërkombëtare të shoqatave të mjekëve katolikë, që fillon nesër në Lurdë. Takimi, që do të përfundojë të dielën, mbahet nën patronazhin e Këshillit Papnor për Baritorinë e Shëndetit. Për rëndësinë që ka vendi, ku bëhet Kongresi dhe për temat e tij, pyetëm përfaqësuesin botëror të mjekëve katolikë në Kombet e Bashkuara, dr. Franko Balxareti:
Lurda na mëson vërtet ta rijetojmë konkretisht në profesionin tonë, në jetën e përditshme, parabolën e Samaritanit të Mirë dhe të ofrojmë shërbimin tonë me frymën e bashkëndarjes me të sëmurin. Lurda na mëson e na kujton pikërisht këtë frymë kujdesi për personin, në tërësinë e tij.
Ky kongres, a ka edhe një përmasë të theksuar shtegtimi për ju?
Po, pasi mjeku e sidomos mjeku katolik ka nevojë për azhornimet tekniko-shkencore, por ka nevojë edhe për mbështetje shpirtërore. Prandaj, në Lurdë, jo vetëm që do të marrim pjesë në Kongres, i cili përmban tema dhe relatorë të nivelit shumë të lartë, por do të shkojmë edhe në shtegtim, për t’u lutur. Para së gjithash, do të lutemi për mjekët, për të sëmurët, për familjet e tyre, por do të lutemi edhe për meshtarët, për Kishën e për Atin e Shenjtë.
Tema e Kongresit është “Feja jonë prej mjeku”. Një reflektim i juaji mbi binomin fe-mjekësi…
Kjo temë, shumë e rëndësishme, diskutohet në katër seksione, që përfshijnë “Besojmën” tonë. Seksioni i parë do të jetë “Zoti krijues”, ku do të flitet për gjithësinë, për ambientin. Në seksionin e dytë, “Jezu Krishti në vuajtje, që shëron”, do të flitet për mjekun dhe profesionin e tij si shërbim ndaj të vuajturve, por edhe ndaj më të brishtëve. Me siguri, do të jetë seksion i bukur. Pastaj, seksionet me temë “Shpirti i jetës” dhe “Kisha si Korp i Krishtit”, në të cilat do të flitet për organizimin katolik në ndihmë të shëndetësisë. Është shtuar edhe një seksion në favor të jetës, për të diskutuar mbi problemet e fundit mbi temën e abortit dhe të lindjeve të asistuara.
Çfarë prisni prej këtij kongresi?
Presim që të rifitojmë energjitë për t’ua dhuruar të sëmurëve. Në Lurdë nuk ka eliksirë, apo kura që bëjnë mrekulli, por në Lurdë, mjeku gjen vetveten dhe energjitë e veta. Kjo do të na shërbejë për ta përdorur më mirë profesionin, sidomos në këto kohë të vështira.







All the contents on this site are copyrighted ©.