2010-05-05 17:08:35

Në audiencën e përgjithshme, thirrja e Papës për një botë të lirë nga armët bërthamore. Katekizmi, përqendruar tek shenjtërimi i meshtarëve.


(05.05.2010 RV)Një botë pa armë bërthamore: për këtë bëri thirrje Benedikti XVI gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e 30 mijë shtegtarëve e besimtarëve. Katekizmin Papa ia kushtoi detyrës që ka meshtari për t’i shenjtëruar njerëzit. Ati i Shenjtë ripohoi edhe rolin e pazëvendësueshëm të familjes në shoqëri. Më pas kujtoi vizitën në Torino, ku ishte pak ditë më parë, për të nderuar Sindonën, si dhe shtegtimin e ardhshëm në Portugali.

“Paqja mbështetet mbi besimin e mbi respektimin e zotimeve të marra, e jo vetëm mbi ekuilibrin e forcave”- këtë nënvizoi me forcë Benedikti XVI, duke inkurajuar, në audiencën e përgjithshme, procesin e çarmatimit bërthamor, në qendër të punimeve të Konferencës V mbi shqyrtimin e Traktatit për mospërhapjen e armëve bërthamore, që filloi në Nju Jork, më 3 majin e kaluar.
Procesi i çarmatimit bërthamor – tha Papa – lidhet ngushtë me vënien e plotë në jetë të zotimeve ndërkombëtare:
“Me këtë frymë, inkurajoj nismat, që kanë për qëllim çarmatimin progresiv dhe krijimin e zonave të lira nga armët bërthamore, në perspektivë të zhdukjes së tyre të plotë nga planeti. I nxis, së fundi, të gjithë pjesëmarrësit në takimin e Nju Jorkut, t’i kapërcejnë kushtëzimet e historisë e të krijojnë me durim kushtet ekonomike e politike, që sigurojnë paqen, për të ndihmuar kështu në zhvillimin e gjithanshëm njerëzor e për t’i bërë realitet shpresat e vërteta të popujve”.
Para kësaj thirrjeje për çarmatimin bërthamor, Papa mbajti katekizmin tradicional, të cilin sot e nisi duke kujtuar vizitën në Torino, ku ishte të dielën e kaluar për të nderuar Sindonën:
“Kjo Pëlhurë e Shenjtë mund ta ushqejë fenë e ta mbajë gjallë përshpirtërinë e krishterë, sepse të shtyn të shkosh drejt fytyrës së Krishtit, drejt Korpit të Krishtit të kryqëzuar e të ngjallur, të nxit të kundrosh Misterin e Pashkëve, qendër e Mesazhit të krishterë”.
Pastaj Ati i Shenjtë iu drejtua meshtarëve, duke u kujtuar se detyra e tyre kryesore është t’i shenjtërojnë njerëzit. E të shenjtërosh - shpjegoi më pas Benedikti XVI – do të thotë ta lidhësh njeriun me Zotin. Por, si mund ta krijojë njeriu këtë lidhje me Zotin?
Feja e Kishës na thotë se është vetë Zoti, ai që e krijon këtë lidhje, e cila dalë-nga-dalë na shndërron në shembëllesa të vërteta të Hyjit”.
E ja, atëherë, detyra e meshtarit për të shenjtëruar njeriun, detyrë që – theksoi Ati i Shenjtë – realizohet përmes kumtimit të Fjalës së Zotit e, sidomos, përmes sakramenteve. Pra – vijoi – mund të themi se është vetë Krishti ai, që na bën të shenjtë, domethënë, që na tërheq në sferën e Zotit. Megjithatë - vërejti më pas – në dhjetëvjeçarët e fundit ka pasur prirje për ta vënë në plan të parë përmasën e kumtimit, duke e shkëputur nga ajo e shenjtërimit. Ndërsa mrekullitë që bën Krishti tregojnë se Mbretëria e Zotit vjen si realitet i pranishëm, që përkon me vetë Zotin e se fjala e shenjat janë të pandashme. Nënvleftësimi i detyrës së shenjtërimit çoi në dobësimin e vetë besimit mbi forcën shëlbuese të Sakramenteve:
“Ka rëndësi, prandaj, të promovohet një katekizëm i përshtatshëm, për t’i ndihmuar besimtarët ta kuptojnë vlerën e Sakrameneteve, por ka po aq rëndësi edhe që meshtarët, duke ndjekur shembullin e Famullitarit Shenjt të Arsit, të jenë gjithnjë bujarë, fisnikë, gati për t’u dhuruar vëllezërve thesaret e hirit, që Zoti na i ka lënë në duar, jo si pronarë, por si rojtarë e mbarështues”.
E kjo – shtoi Papa - posaçërisht në këtë kohë kur, nga njëra anë, një pjesë e fesë vijon të zbehet, ndërsa nga ana tjetër, lind nevoja e ngutshme dhe kërkimi i etshëm për jetë shpirtërore. Prandaj meshtari, në misionin e tij – vijoi Ati i Shenjtë – duhet ta ketë mirë parasysh se kumtimi misionar e kulti nuk duhen ndarë kurrë. Njëkohësisht – vërejti - çdo meshtar duhet ta ketë mirë parasysh se s’është tjetër, veçse një mjet i veprimit shëlbues të Zotit:
“Një vetëdije e tillë duhet t’i bëjë meshtarët të përvujtë e bujarë në mbarështimin e sakramenteve e në respektimin e normave kanonike, por edhe në bindjen e thellë se misioni i tyre është të bëjnë që të gjithë njerëzit, të bashkuar në Krishtin, të mund t’i dhurohen Zotit si Hoste e gjallë dhe e shenjtë, e pëlqyer prej Tij”.
Benedikti XVI përsëriti me forcë thirrjen drejtuar meshtarëve për t’u rikthyer në rrëfyestore, për t’iu kushtuar më me zell sakramentit të Rrëfimit, që quhet edhe ‘i pajtimit’, ngaqë e pajton njeriun mëkatar me Zotin. E ky rikthim, sepse duke u rrëfyer, besimtari gjen mëshirë, këshill, ngushëllim, e ndjen se Zoti e do e provon praninë e Mëshirës Hyjnore. Në këtë Vit Meshtarak, Papa i nxit besimtarët t’u qëndrojnë sa më pranë meshtarëve:
Duhet të jeni të vetëdijshëm se meshtarët janë dhuratë e madhe për Kishën e për botën; përmes shërbimit të tyre, Zoti vijon t’i shëlbojë njerëzit, të bëhet i pranishëm, të shenjtërojë. Falënderojeni, prandaj, Hyjin, për këtë dhuratë e posaçërisht qëndrojini pranë meshtarëve me lutje e me ndihmë, sidomos kur kalojnë çaste të vështira, që të jenë gjithnjë më shumë barinj sipas zemrës së Zotit”.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, duke folur në gjuhën angleze, Papa kujtoi të gjithë pjesëmarrësit në Kongresin kushtuar familjes, që po mbahet në Suedi:
“Marriage is truly an instrument of salvation…”
Martesa – tha Papa – është mjet i shëlbimit jo vetëm për bashkëshortët, por për mbarë njerëzimin. Ajo na kërkon të jemi të përgatitur që t’i flijojmë interesat tona, për të mirën e të tjerëve e na fton ta mbrojmë dhuratën e jetës së re. Ata që kanë fatin të linden në një familje të bashkuar, e kryejnë në prehër të saj shkollën e parë e themelore për një jetë të virtytshme dhe i fitojnë, po këtu, të gjitha cilësitë e nevojshme për t’u bërë qytetarë të mirë e të ndershëm.
Më pas, duke përshëndetur shtegtarët portugezë, Papa shprehu kënaqësinë e tij të thellë për vizitën e afërme baritore në këtë vend, me rastin e dhjetëvjetorit të lumnimit të barinjve të Fatimës, Françeskut e Xhaçintës:
“A todos, sem excluir ninuèm…”
I përshëndes të gjithë nga zemra – ishte mesazhi i Atit të Shenjtë - do të shihemi së shpejti në Lisbonë, në Fatima e në Porto.
Në gjuhën gjermane Papa përshëndeti familjarët dhe miqtë e rekrutëve të rinj të Rojes Zvicerane, që do të jenë nesër në Romë.
Në italisht, së fundi, një mendim i posaçëm për shtegtarët e ardhur nga dioqeza e Breshias, shoqëruar nga ipeshkvi i tyre, imzot Luçiano Monari. Papa kujtoi me gëzim vizitën e tij në vendlindjen e Palit VI, nëntorin e kaluar, duke uruar që kjo ngjarje të sjellë fryte të begata për mbarë bashkësinë kishtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.