2010-05-05 17:09:09

Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë thirrje lidhur me situatën politiko-shoqërore në Vend


KONFERENCA IPESHKVNORE E SHQIPËRISË
Apel lidhur me situatën politiko-shoqërore në Shqipëri

drejtuar:
Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bamir Topi
Kryetares së Parlamentit të Shqipërisë, Znj Jozefina Topalli
Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Z. Sali Berisha
Kryetarit të opozitës, Z. Edi Rama
Kryetarëve të partive politike në Shqipëri
Të gjithë njerëzve vullnet mirë

Ne Ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri, të mbledhur në Asamblenë e rregullt vjetore në Tiranë me 4 dhe 5 maj 2010, duke përjetuar situatën shoqërore politike në vendin tonë e cila po kalon një krizë që dita-ditës po thellohet, u drejtohemi me këtë thirrje të gjitha institucioneve të lartpërmendura.
Kisha Katolike në Shqipëri në periudha të vështira të historisë së vendit, nuk ka qëndruar indiferente, por gjithmonë ka nxitur vëllazërimin dhe është angazhuar për të mirën e përbashkët. Bashkësia Katolike në Shqipëri ka dhënë kontributin e saj me anë të shumë meshtarëve e laikëve të vrarë, të përndjekur dhe të internuar në vitet e regjimit komunist për besimin e saj, por edhe për një të ardhme më të mirë të vendit tonë. Gjithashtu aktualisht katolikët janë të angazhuar në favor të së mirës së përbashkët dhe në ndërtimin e vendit në paqe dhe drejtësi.
Të nxitur nga këto fakte e duke ndjekur me shqetësim zhvillimin e situatës 10 muaj pas zgjedhjeve, e ndjejmë për detyrë që si barinj të Kishës Katolike të angazhohemi për përmirësimin e situatës. Sikurse thotë Papa Benedikti XVI në Enciklikën Deus Caritas est “(Kisha) nuk dëshiron t’u imponojë atyre që nuk ndajnë besimin e saj, perspektiva dhe mënyra sjelljeje, që i përkasin Kishës. Ajo thjesht dëshiron të japë ndihmesën e vet për pastrimin e arsyes dhe të bëjë të mundur që çka është e drejtë të mund, këtu dhe tani, të pranohet e pastaj edhe të realizohet.” (nr.28/a).
Në këtë situatë të krijuar populli ynë po vuan. Ai ka të drejtë për një shoqëri më vëllazërore dhe paqësore. Vendi ynë po jep një përshtypje të keqe para botës, në këto çaste historike kur është një anëtar i NATO-s dhe një vend qe po kërkon lëvizjen e lirë të qytetarëve, të mohuar për dekada me radhë, dhe integrimin në Bashkimin Evropian.
Prandaj i ftojmë politikanët që me ndërgjegje dhe përgjegjësi të kërkojnë të mirën e përbashkët para çdo interesi tjetër partiak apo individual dhe të zgjedhin rrugën e dialogut të hapur pa asnjë paragjykim, për të cilin ka vend gjithmonë, në mënyrë që të shkohet drejt një zgjidhjeje më të denjë dhe të drejtë, duke pasur në zemër dhe në mendje gjithmonë të mirën e njerëzve tanë të vuajtur. I ftojmë të veprojnë me dashuri e cila duhet të ketë vendin e saj një një rend shoqëror të drejtë, sikurse thotë edhe Papa Benedikti XVI në të njëjtën Enciklikë (nr. 28/b).
Nga ana jonë i lutemi Zotit dhe do të nxisim besimtarët tanë që të luten për një zgjidhje sa më të shpejtë.

Ipeshkvijtë e Kishës Katolike të Shqipërisë

Të dëgjojmë zëdhënësin e Konferencës Ipeshkëvore të Shqipërisë dom Gjergj Meta në mikrofonin e Radio Vatikanit........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.