2010-05-04 16:43:04

Vizita “ad Limina” e ipeshkvijve të Belgjikës: çështjet etike e morale ndër temat kryesore të bisedave në Vatikan


(04.05.2010 RV)RealAudioMP3 Ipeshkvijtë e Belgjikës filluan dje vizitën e tyre “ad Limina” në Vatikan. Të shumta janë argumentat e bisedave të tyre me Papën dhe bashkëpunëtorët e tij të Kuries Romake, që do të vazhdojnë deri të shtunën. Ndër aspektet më të rëndësishme, çështja e abuzimeve me të miturit nga ana e disa eksponentëve të klerit, siç sqaron në mikrofonin tonë, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Belge, imzot André-Mutien Jozef Leonar:
Sigurisht, do të prekim çështjet e dhimbshme në vendin tonë, pas dorëheqjes së ipeshkvit të Bryzh. Të flasim për këtë temë dhe për masat që kemi ndërmend të marrim për të përballuar situatën është e pashmangshme. Pastaj, do të flasim pa dyshim edhe për sfidat e shekullarizimit dhe për çështje bioetike, që në Belgjikë janë veçanërisht të rëndësishme, sidomos përsa i përket eutanazisë. Më tej, dialogu ndërfetar, meqë jemi një vend ku emigracioni nga shtetet islamike është i madh. E nuk mungon edhe problemi i thirrjeve: gjendja në Belgjikë është veçanërisht e rëndë, më shumë se në Francë.
Si reagon shoqëria para fjalëve të Kishës për jetën e familjen?
Sot, reagimi është me paragjykime dhe negativ: ekziston një lloj mosbesimi, dyshimi, por kur jepet rasti për të shpjeguar drejtpërdrejt qëndrimin e Kishës mbi këto tema, vërejmë se mesazhi kuptohet mirë. Shumica e njerëzve e njeh Kishën nga parrullat, nga thjeshtëzimet e titujt e gazetave.
Cila është gjendja shëndetësore e katolicizmit në Belgjikë? Dimë se katolikët, që shkojnë në kishë, janë në rënie…
Praktika është reduktuar shumë. Gjendemi para një situate shekullarizimi të theksuar e, kjo vlen për të gjithë vendin, ndoshta më pak në Flandër. Gjëja e parë është ta kuptojmë këtë situatë. Kisha në Belgjikë ka pasur shumë për të thënë në të kaluarën, ndoshta pak si tepër nga një pozicion force e, duhet të pranojmë se kjo situatë nuk ekziston më. Sot, jemi një zë ndër të tjerët, një zë i rëndësishëm, por një ndër të tjerët. Sot, duhet të inkurajojmë përpjekjet për të formuar bashkësi të zjarrta të krishtera, me ata që duan ta bëjnë, me njerëz të bindur.
Belgjika po përjeton një krizë të re politike. Si e shihni të ardhmen e vendit?
Kisha duhet të jetë shumë e kujdesshme kur flitet për çështje politike. Personalisht, jam i bindur se Belgjika mund ta kapërcejë këtë krizë, duhet të jemi realistë. Vendi nuk mund të ndahet. Belgjika nuk është shumë e madhe, është e paimagjinueshme të hyjë në një aventurë separatiste. Besoj se do të shkohet drejt një sistemi edhe më federalist, por uniteti i vendit do të ruhet.







All the contents on this site are copyrighted ©.