Në Tiranë vazhdon greva e urisë e deputetëve dhe e simpatizantëve socialistë.
(04.05.2010 RV)Në Tiranë greva e urisë e njëzet e një deputetëve dhe 180 mbështetësve
të tyre po hyn në ditën e pestë. Ndërkohë gjendja e tyre shëndetësore sa vjen e përkeqësohet.
Sot paradite dy grevistë u çuan në spital. I pari, Romeo Sina, pati gjendje të fikti
dhe shtabi i protestës vendosi dërgimin e tij në spital. Ndërsa grevisti i dytë, qytetari
Ramazan Ceka, nga Elbasani u transportua me urgjencë në spitalin ushtarak të Tiranës. Çadrat
ku janë ngujuar grevistët gjenden para godinës së kryeministrisë, në Bulevardin "Dëshmorët
e Kombit" . Ata, në kuadër të protestës nisur më datën 30 prill, kërkojnë hapjen e
kutive të votimeve të qershorit 2009. Nga ana e tij kryetari i opozitës Edvin Rama
u shpreh se protestuesit nuk do të ndalen. “Greva, - tha ai ndër tjera,- nuk bëhet
për pushtet, por për të garantuar transparence”. Ndërkaq zëvendëskryeministri Ilir
Meta e ftoi opozitën për dialog. Kryeministri Berisha është shprehur se e respekton
grevën e urisë por është kundër hapjes së kutive të votimeve. Gjendja politike
aktuale në Shqipëri rrezikon të pengojë procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin
e vendit në Bashkimin Evropian.