2010-05-04 16:58:38

Ipeshkvijtë e SHBA-ve për të drejtat e emigrantëve


(04.05.2010 RV)Ipeshkvijtë e SHBA-ve e konsiderojnë një hap të rëndësishëm përpara propozimin e fundit të senatorëve demokratë të Kongresit, që përcakton disa linja udhëheqëse për reformimin e sistemit të emigracionit, kërkuar nga presidenti Obama. Opinioni jepet përmes një note të Komisionit për baritorinë e emigrantëve të Episkopatit amerikan, publikuar në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, nënshkruar nga kryetari, imzot Xhon Çarls Uester, ipeshkëv i Salt Lejk Sitit.
Ipeshkvijtë mendojnë se ky propozim i hap rrugën një sistemi të ri mikpritjeje, që përmban masa të arsyeshme, prandaj u bëjnë thirrje të dyja palëve politike të arrijnë në miratimin e një ligji bipartizan, ku të pohohen të drejtat themelore e të përcaktohen masa të ligjshme për emigrantët. Gjithsesi, prelatët kundërshtojnë me forcë shtrirjen e përfitimeve të parashikuara për bashkimet ndërmjet burrit e gruas, edhe për çiftet e personave me të njëjtin seks. Ipeshkvijtë shprehin gjithashtu shqetësimin e tyre për rritjen e masave shtypëse, të parashikuara nga projektligji.
“Çështja e emigracionit – përfundon nota – nuk mund të presë akoma gjatë e nuk duhet instrumentalizuar në nivel politik, apo të mbahet peng për motive ideologjike. Sistemi ynë i emigracionit është shkatërruar në mënyrë të pariparueshme dhe ka nevojë të ndreqet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.