2010-05-04 16:42:38

Atë Lombardi shpjegon udhëtimin e Papës në Portugali: në gjurmët e Zojës së Fatimës


(04.05.2010 RV)RealAudioMP3 Sot paradite, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, drejtori i saj, atë Federiko Lombardi u shpjegoi gazetarëve programin e udhëtimit apostolik të Benediktit XVI në Portugali, në 10-vjetorin e lumnimit të barinjve të Fatimës, Jaçinta e Françesku. Vizita e 15-të ndërkombëtare e Papës do të bëhet nga 11 deri më 14 maj. Ati i Shenjtë do të vizitojë shenjtëroren mariane të Fatimës, kryeqytetin Lisbona dhe qytetin e Portos.
Benedikti XVI është papa i tretë, që do të shkojë në Fatima, pas Palit VI dhe Gjon Palit II. Në vitin 2000, kujtoi atë Lombardi, kur u bë e njohur pjesa e tretë e Sekretit të Fatimës, qe pikërisht kardinali i atëhershëm Jozef Racinger, ai që bëri komentin teologjik të dokumentit. Fatima pra, është shumë e rëndësishme për Papën:
“Një shenjtërore mariane, ku ka pasur ngjarje, me të cilat Benedikti XVI është marrë thellësisht, personalisht, edhe nga pikpamja e teologjisë dhe e përshpirtërisë. E natyrisht, Fatima është vendi ku vështrimi përfshin edhe meditimin mbi historinë”.
Sapo të mbërrijë në shenjtërore, pasditen e 12 majit, Papa do të kujtojë paraardhësin e tij, Gjon Palin II dhe atentatin kundër Papës Vojtila më 13 maj 1981. Por, megjithëse Fatima do të jetë zemra e udhëtimit, vizita e Atit të Shenjtë përfshin krejt kombin portugez. Prandaj, do të ketë aktivitete të rëndësishme në Lisbonë dhe në Porto. Atë Lombardi vuri në dukje temën e udhëtimit: “Sëbashku me ty, ecim me shpresë”. Për t’iu përgjigjur kësaj kërkese për shpresë, Papa do të takohet me botën e kulturës, me anëtarët e klerit dhe me veprimtarët e Baritorisë shoqërore të Kishës. Gjithashtu, Benediktit XVI do t’i dorëzohen çelësat e qytetit të Lisbonës, me rastin e Meshës që do të kremtojë atje më 11 maj.







All the contents on this site are copyrighted ©.