Presidenti Shqipërisë Topi: të gjithë duhet ta gjejnë veten brenda rregullave të demokracisë
(03.5.2010 RV)Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi në një reagim që dha sot
ndaj grevës së urisë së deputetëve socialistë tha se "të gjithë duhet ta gjejnë veten
brenda rregullave të demokracisë". "Do të pozicionohem parimisht si Kryetar
i shtetit, duke respektuar gjithçka që respekton parimet demokratike. Ky është një
term disi i përgjithshëm, por seicili duhet ta gjejë veten tek kjo shprehje. Uroj
që gjithçka të shkojë në normalitet sipas këtyre rregullave demokratike që ne i kemi
sanksionuar me ligj", u shpreh Presidenti Topi. Deklaratat e z. Topi u bënë
pas pjesëmarrjes së tij në një takim rajonal mbi bashkëpunimin në fushën e deklarimit
të pasurive të zyrtarëve të lartë. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha deklaroi
sot, se "greva e opozitës është një përpjekje për të përmbysur vendimet e gjykatave
me mjete politike dhe kjo bie në kundërshtim të hapur me themelet e një shoqërie të
lirë". Gjatë një konference për shtyp, Kryeministri Berisha u ndal te greva
e deputetëve dhe mbështetësve të opozitës, duke siguruar se "çdo qytetar i këtij vendi,
çdo forcë, organizatë apo shoqatë politike e sociale do të ketë të garantuar lirinë
e plotë të të gjitha formave të protestës paqësore". Kryeministri Berisha
e konsideroi këtë "një obligim kushtetues të qeverisë" dhe garantoi se "si kryeministër
nuk do të humbas kurrë ndjeshmërinë njerëzore ndaj cilitdo që është në vuajtje".
"Detyra jonë është garantimi i shërbimit shëndetësor dhe sigurisë së grevistëve. Unë
i uroj shërim të shpejt çdo personi në grevë, por unë nuk i kërkoj kujt të ngujohet.
Kjo është zgjidhje vullnetare e gjithësecilit", tha Kryeministri Berisha.
Kreu i Ekzekutivit shprehu keqardhjen për veprimin e dëshpëruar të z. Rama, por theksoi
se "ka porositur të gjitha institucionet respektive, që ndaj të ngujuarve të tregojnë
të gjithë përkujdesin shëndetësor dhe të vendosin kontakte zyrtare me drejtuesit e
grevës, në mënyrë që të merret çdo masë për sigurinë e plotë të jetës së tyre".
Sipas Kryeministrit Berisha, "vendimet e gjykatave në çdo vend të lirë dhe në interesin
më jetik të çdo qytetari, mund të ndryshohen vetëm në gjykata". Megjithatë
Kryeministri u shpreh i hapur dhe disponibël "për transparencë të plotë të procesit
zgjedhor dhe të çdo problemi tjetër që dëshiron opozita shqiptare, në përputhje me
ligjet dhe Kushtetutën e vendit". Sipas tij "ky vend ka tërësinë e institucioneve
dhe ligjeve për të bërë transparencë për çdo problem". Kryeministri vlerësoi
se "deklarata e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës përbën bazën
e shkëlqyer për zgjidhjen e gjithë kësaj situate politike". Kreu i qeverisë
ftoi kryetarin e opozitës, Edi Rama që "t'a studiojë me vëmendje këtë deklaratë dhe
shprehu gatishmërinë e plotë të qeverisë që në atë kuadër ti jepet zgjidhje dhe përgjigje
të gjitha problemeve". "Uroj që z. Rama të shqyrtojë me seriozitet deklaratën
e KiE-së dhe të marrë pjesë në komisionin hetimor. Nëse e gjykon, opozita mund t'i
drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese që në tagrin e vet mund t'i kërkojë mendim Komisionit
të Venecias", tha Kryeministri Berisha. Ai siguroi se "çdo dokument që do të
paraqesë në komision z. Rama, do të ndiqet konform të gjitha procedurave ligjore për
të bërë transparencën e plotë". "Institucionet europiane, OSBE, Komisioni Europian,
kryesia e radhës e BE-së, Këshilli i Europës janë absolutisht në sintoni të plotë
dhe nuk kanë asnjë dallim në qëndrimet e tyre për transparencë në respekt të Kushtetutës",
tha Kryeministri Berisha. I pyetur nëse kjo situatë ndikon në vendimin për
liberalizimin e vizave, kryeministri Berisha u shpreh se "qeveria i ka bërë të gjitha
përpjekjet për një vendim pozitiv dhe dëshmi e këtyre përpjekjeve është raporti që
ka lëshuar KE për Shqipërinë". "Në raport vlerësohet se janë ndërmarrë një
seri vendimesh, ligjesh, reformash e praktikash që kanë patur një kosto jo të vogël
dhe kjo për të mundësuar lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Por kjo qeveri nuk mund të
lejojë dhunimin e vendimeve të gjykatave për asnjë çmim. Vendimet e gjykatave ndryshohen
vetëm në gjykata", tha Kryeministri Berisha. Duke u shprehur i hapur për dialog
me kryesocialistin Rama, Kryeministri Berisha tha se "gjatë këtyre 18 viteve ka firmosur
marrëveshje me çdo kundërshtar politik dhe këto marrëveshje janë respektuar në të
gjitha rastet".( nga ATSH-ja) Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli
ka vizituar sot deputeten e Partisë Socialiste Klodiana Spahiu, e cila ndodhet në
Spitalin Ushtarak të Tiranës, pas problemeve shendetësore që ka pasur në ditën e tretë
të grevës së urisë. Kryetarja e Kuvendit Topalli, pasi ka biseduar me mjekët
për gjendjen shëndetësore të deputetes së PS-së, për qarkun e Durrësit Spahiu, ka
theksuar se, është e gatshme për çdo ndihmë. Duke biseduar me Klodianën, Kryetarja
e Kuvendit tha se "jam e gatshme në çdo moment, për çdo nevojë shëndetësore që do
të keni." Deputetja e PS-së, Klodiana Spahiu u dërgua sot në Spitalin e Ushtarak
pas problemeve shëndetësore që ajo kishte në ditën e tretë të grevës së urisë. Ajo
së bashku me 20 deputetë socialistë dhe 180 përkrahës së opozitës vijojnë grevën e
urisë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", nga mbrëmja e së premtes deri në plotësimin
e kërkesave të tyre për transparencën e zgjedhjeve