2010-05-03 16:21:35

Mbledhja e tretë përgatitore për Sinodin e Lindjes së Mesme


(03.05.2010 RV)Në Romë, është mbajtur mbledhja e tretë e Këshillit për Lindjen e Mesme, në përgatitje për Sinodin, që do të zhvillohet në Vatikan nga 10 deri më 24 tetorin e ardhshëm.
Kisha në Lindjen e Mesme, thuhet në deklaratën e sekretarisë së përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, pavarësisht nga vështirësitë aktuale, ka besim në të ardhmen në paqe, në drejtësi e në bashkëpunim me hebrenjtë e myslimanët, për të mirën e të gjithë banorëve të zonës. Në mbledhjen e 23-24 prillit u diskutua gjerësisht për argumentet, që do të përmbahen në “Instrumentum Laboris”, ku përcaktohet tematika e sinodit.
“Objektivi i Asamblesë së veçantë për Lindjen e Mesme – lexohet në notë – është i dyfishtë: të konfirmojë e të përforcojë identitetin e të krishterëve përmes Fjalës së Zotit dhe Sakramenteve dhe, të përtërijë bashkimin ndërmjet Kishave të veçanta, që ato të ofrojnë dëshmi të vërtetë të krishterë, në kontakt me Kisha e bashkësi të tjera kishtare. Që këtej, urgjenca e impenjimit ekumenik”.
“Sinodi i ardhshëm – vazhdon dokumenti – do të jetë rast i çmuar për të shqyrtuar deri në fund edhe gjendjen fetare e shoqërore, për t’u dhënë të krishterëve një vizion të qartë se ç’do të thotë të jenë dëshmitarë aktivë të Krishtit, në kontekstin e një shoqërie me shumicë myslimane. Do të reflektohet mbi gjendjen aktuale, jo të lehtë, për shkak të konflikteve dhe paqëndrueshmërisë, që shkaktojnë eksodin e popullsisë, duke përfshirë edhe jo pak të krishterë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.