2010-05-03 15:51:32

Ambasadori Rrok Logu bashkëpunimi mes Vatikanit e Shqipërisë i jashtëzakonshëm


(03.5.2010 RV)Siç dihet, marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Vatikanit e Shqipërisë janë vendosur më datën 7 shtator 1991 në rang Nunciature Apostolike për Selinë e Shenjtë dhe Ambasade për Shqipërinë. Që nga ky çast e deri më sot marrëdhëniet diplomatike e bashkëpunimi ndërmjet dy Shteteve është përforcuar e zgjeruar në fusha të ndryshme.
Këtë më së miri dëshmojnë arritjet që janë bërë gjatë këtyre viteve si edhe ngjarjet e ditëve të fundit, si takimi që u mbajt në Vatikan ndërmjet Prefektit të Arkivit Sekret të Vatikanit, imzot Serxho Paganos me Drejtoreshën e Arkivave të Shtetit të Shqipërisë në Tiranë, dr. Nevilla Nika dhe vizita e ministrit të Shëndetësisë të Shqipërisë dr. Petrit Vasili në Vatikan e takimi i tij me Sekretarin e Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet, kryeipeshkvin imzot Domenik Mamberti.
Mbi këto marrëdhënie të mira e bashkëpunim të rëndësishëm ndërmjet Vatikanit e Shqipërisë të dëgjojmë Ambasadorin e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zotin Rrok Logu që është edhe ideatori e kultivuesi i këtyre marrëdhënieve e nismave që janë ndërmarr, në mikrofonin e Radio Vatikanit. Zoti Rrok Logu cili është vlerësimi juaj.....RealAudioMP3
 
Selia e Shenjtë dhe Shqipëria: ja një pasqyrë e shkurtër e 19 vjetëve të historisë së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë

Është një lidhje historike, e pazgjidhshme, që pushton thuajse një gjysëm shekulli nën papninë Gjon Palit II e vijon të forcohet nën papninë e Benediktit XVI.
Duke qenë përherë një nga gjymtyrët më të ligshta të Kishës universale, Papa Gjon Pali II, ashtu si parardhësit e Tij e si pasardhësi, Papa Ratzinger, e ka rrethuar gjithnjë Kishën katolike në Shqipëri me atë kujdes që tregojnë prindërit për fëmijën e vogël.
Gjon Pali II ka qenë përherë i gatshëm ta mobilizojë Kishën universale në ndihmë të Shqipërisë e të shqiptarëve, si dhe të ndërmjetësojë vazhdimisht pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e vendit të shqiponjave e jo më pak, të Kosovës. E kjo gatishmëri u vërejt e gjatë papnisë së Benediktit XVI.

Por, të ndjekim një kronikë të shkurtër, që flet vetë:
- 3 shtator 1951: Sekretaria e Shtetit të Qytetit të Vatikanit vendosi që Radioja e papës të flasë edhe në gjuhën shqipe. Udha e saj nisi me: "Udhën e Krygjës", për të ndjekur pastaj hap pas hapi, për 26 vjet me radhë Papën e ardhur nga larg, që u ul në fronin e papnisë më 26 qershor 1967.
- Më 5 tetor 1960, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, Papa Gjon Pali II nga brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e tij të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të martirizuar të katolikëve, nën thundrën e diktaturës komuniste. Në homelinë e Meshës shenjte, kushtuar martirizimit të të krishterëve në shekuj, Papa sensibilizoi mbarë botën me fjalët: “E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë rregulltare e besimtarë të thjeshtë”.
- Më 6 maj 1988 një grup shqiptarësh të diasporës së Amerikës shtegtuan drejt Romës për t’u takuar me Gjon Palin II. Ishte takimi i parë i drejtpëdrejtë i Karol Wojtylës me shqiptarët - shumica të ikur nga atdheu për t’i shpëtuar diktaturës: shtegtimi fillon më 5 maj, me arritjen e shtegtarëve të largët.
Më 6 maj – audienca në sallën Klementine në Vatikan; fjalimi programatik i Papës dhe lutja drejtuar Zojës së Këshillit të Mirë për popullin shqiptar.
- 1989: vizita e parë e Nënë Terezës në Shqipëri.

1990 kremtimi i Meshëve të para të pas diktaturës komuniste ateiste:
- 4 nëntor 1990 – kremtohet Mesha e parë në varrezën e Rrëmajit në Shkodër;
-11 nëntor 1990 – kremtohet Mesha solemne në kapelën e varrezave të Rrëmajit.
- 17 tetor 1990: Përurohet në Shkodër seminari ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë”.
- 2 qershor 1991: Në solemnitetin e Korpit të Krishtit kremtohet Mesha solemne me procesion e kryesuar nga Imzot Ercole Lupinaçi, anëtar i delegacionit të Selisë së Shenjtë në Shqipëri;
- 7 shtator 1991: Rivendosen marrëdhëniet diplomatike në rang nunciature apostolike për Selinë e Shenjtë dhe ambasade për Shqipërinë;
- 22 prill 1993: Ambasadori i parë i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë Willy Kamsi paraqet letrat kredenciale pak ditë para shtegtimit të Papës Gjon Pali II drejt Shqipërisë; Nunc i parë apostolik emërohet prelati indian, Imzot Ivan Dias.

- 25 prill 1993 - Papa Gjon Pali II viziton Shqipërinë, duke u ndaluar në Shkodër dhe Tiranë: gjatë vizitës i dhuron Kishës së martirizuar hjerarkinë e re të pasdiktarurës- katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Illinë, Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert Ashtën dhe Imzot Zef Simonin.
- 26 nëntor 1994 - Ati i Shenjtë krijon kardinalin e parë shqiptar, Hirësinë e tij, Mikel Koliqin.
- 27 maj 1995: - organizohet shtegtimi i madh i shqiptarëve ne Gjenacan me rastin e 100 vjetorit te shpalljes se Zojës se Këshillit te Mirë, Pajtore të Shqipërisë dhe mbarë popullit shqiptar.
- 17 nëntor 1995 – ipeshkvijtë e ish-Jugosllavisë, ndërmjet të cilëve Imzot Nikë Prela, ipeshkëv i dioqezit Shkup-Prizren, takohen me Papën Gjon Pali II në Vatikan: flitet për kontributin e posaçëm që duhet të japin katolikët përmes përvojës së faljes e të pajtimit.
- 7 dhjetor 1996 - Shenjtëria e Tij Gjon Pali II riorganizon dioqezat e Kishës katolike në Shqipëri: themelon Dioqezën e Rrëshenit (Mirditë) në vend të abacisë së Oroshit dhe emëron si të parin Ipeshkëv të Rrëshenit dhe administrator apostolik të dioqezës së Lezhës, Atë Angelo Massafrën OFM, asokohe Këshilltar i Provinçës Françeskane Shqiptare dhe Famullitar i Troshanit; ndërsa si administrator apostolik të Shqipërisë së Jugut, emëron Atë Hil Kabashin, OFM, asokohe kapelan i besimtarëve shqiptarë në Gjermani.
- Papa Gjon Pali II shuguron ipeshkvij të rinj: Imzot Mark Sopin, ipeshkëv i Kosovës më 6 janar 1996 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan; Imzot Angelo Massafrën, më 6 janar 1997 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan; Imzot Hil Kabashin më 6 janar 1997 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.
- 28 mars 1998 - Imzot Angelo Massafra emërohet kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës, duke zënë vendin e Monsinjor Illisë, pas vdekjes dhe më 29 qershor 1998 merr nga duart e Papës Gjon Pali II në Vatikan palion e kryeipeshkvit metropolit;
- më 10 korrik 1998 Imzot Zef Gashi emërohet kryeipeshkëv i Tivarit; shugurohet më 19 shtator 1998, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan;
- Maj 1998 – Kardinali Jozef Tomko, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, viziton Shqipërinë, takohet me përfaqësuesit më të lartë të Kishës në vend, vlerëson rolin e Kishës në procesin e zhvillimit të vendit dhe bekon Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë të saporindërtuar.
- Maj 1999: Ambasadorët e vegjël të Paqes, mbledhës të gëzhojave vrasëse të revoltës së 1997-tës, për të bërë me to Këmbanën e Paqes, priten në audiencë nga Papa Gjon Pali II.
- 25 janar 2001: Papa zhvendos Selinë kryeipeshkvnore nga Kisha e Shën Luçisë në Durrës në katedralen e Shën Palit të Tiranës.
- 2 deri më 4 shkurt 2001 - vizita "ad Limina" e ipeshkvijve të Shqipërisë më 12 deri më 17 shkurt 2001 - e ipeshkvijve të Kosovës në Vatikan: takimi me Papën Gjon Pali II.
- 8 - 12 nëntor 2002: kardinali Crescenzio Sepe, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve viziton Shqipërinë: më 9 nëntor takohet me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë; më 10 nëntor kryeson Meshën në katedralen e Shkodrës, ku hap procesin dioqezan për beatifikimin e 40-martirëve, shumica viktima të diktaturës dhe viziton dioqezin e Sapës; më 11 nëntor kremton në Bajzë e në Lezhë;
- 23 mars 2002: Marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve reciproke, në 11 nenet e së cilës Republika e Shqipërisë garanton lirinë për të shpallur e për të praktikuar në publik fenë katolike, të drejtën e Kishës katolike për t’u organizuar dhe për të kryer misionin e saj, njohjen e zotësisë juridike të personave ligjor për entitete të tilla të Kishës katolike të cilët janë parashikuar në të drejtën kanonike, etj.
- 23 prill 2003: i dërguari i posaçëm i Shenjtërisë së Tij, Papës Gjon Pali II, kardinali Ivan Dias, kryeipeshkëv i Bombeit, merr pjesë, në emër të Shenjtërisë së Tij, në kremtimet që organizoi Kisha katolike me rastin e përkujtimit të 10-vjetorit të vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri dhe i sjell kishës katolike e mbarë popullit shqiptar, mesazhin e Atit të Shenjtë. Këto kremtime shënojnë kulmin e Vitit 1993 shpallur nga ipeshkvijtë shqipfolës Vit Jubilar, me rastin e 300-vjetorit të Kuvendit të Arbënit, që na kujton lidhjet shekullore të pakëputura të popullit shqiptar me papët e Romës;
 
- Romë, 19 tetor 2003 – Nënë Tereza Gonxhe Bojaxhiu shpallet e Lume në Vatikan nga Papa Gjon Pali II.
- 14 nëntor 2004 – Papa Gjon Pali II u krijon mërgimtarëve shqiptarë në Itali mundësinë të mblidhen në një kishë për të përmbushur nevojat e tyre shpirtërore në gjuhë shqipe: përurohet për besimtarët shqipfolës, Kisha e Shën Gjonit të mullagave në lagjen romake Trastevere.
- 11 janar 2005: Papa Gjon Pali II i drejton përshëndetjen pjesëmarrësve në Sinodin Ndërheparkial të Heparkive të Arbëreshëve të Italisë: asaj të Lungros në Kalabri, të Horës së Arbëreshëve në Sicili dhe murgjërve të Abacisë së Grottaferratës, ku u zhvillua Sinodi ndërherparkiak, i cili nisi më 15 tetor 2004, për të përfunduar pas tre muajsh, më 14 janar 2005.
- 25 janar 2005 – Gjon Pali II miraton riorganizimin e dioqezave të Kishës katolike në Shqipëri, si vijon:
- ngre në rangun e Selisë metropolite, Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, duke e ndryshuar kështu emërtimin aktual Kryedioqeza e Durrës-Tiranës e duke i caktuar si sufragane Dioqezën e Rrëshenit dhe Administraturën Apostolike të Shqipërisë së Jugut;
- i bashkëngjet Dioqezën e Pultit, Kryedioqezës Metropolite të Shkodrës, që emërtohet Kryedioqeza e Shkodër-Pultit, duke lënë si sufragane të të njëjtës Kryedioqezë, dioqezën e Lezhës e të Sapës.
- 18 mars 2005 – Imzot Mirditës i dorëzohet bula papnore për kthimin e kryedioqezës së Tiranë-Durrësit në seli metropolite.
- 25 janar 2006: Papa Benedikti XVI, në vijim të riorganizimit të hjerakisë së Kishës katolike në Shqipëri emëron tre ipeshkvij të rinj: Imzot Dodë Gjergjin, ipeshkëv i Sapës, Imzot Otavio Vitalen, ipeshkëv i Lezhës dhe imzot Kristofor Palmierin, ipeshkëv i Rrëshenit.
- 22 – 25 prill 2006: Imzot Giovani Lajolo, Sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet viziton Shqipërinë, për t’i shprehur popullit shqiptar afërsinë e Papës Benedikti XVI. Takohet me presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiun, kryeministrin Sali Berisha, ministrin e jashtëm, Besnik Mustafaj dhe me autoritetet më të larta shtetërore, duke vërtetuar ecurinë e kënaqshme të marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë; kremton Meshën shenjte në Katedralen e Tiranës e në atë të Shkodrës, takohet me përfaqësues të bashkësisë myslimane dhe me kryepeshkopin ortodoks, Fortlumturinë e Tij Anastasios Janullatos. Gjatë vizitës, meshtarët dhe besimtarët shqiptarë shprehin dëshirën e zjarrtë që Papa Benedikti XVI të pranojë ftesën e autoriteteve shtetërore shqiptare për të vizituar Shqipërinë.
- 7 korrik 2006: Benedikti XVI emëron ipeshkëv-ndihmës të Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, Atë Gjorgj Frendon.







All the contents on this site are copyrighted ©.