2010-05-02 15:19:07

Shkenca e Sindona


(02.05.2010 RV)Sindona është një pëlhurë, endur prej liri, me përmasa të një çarçafi të zakonshëm, mbi të cilën koha ka lënë gjurmët e veta, duke e dëmtuar figurën e stamposur në të. Liri, i endur së pari me metra, më pas u punua me kujdes të veçantë. Sot i zverdhur, dikur duhet të ketë pasur ngjyrën e guaskës së vezës.
Që kur u duk, Sindona ngjalli interes e emocion të madh, për shkak të figurës së jashtëzakonshme, që mbeti e stampuar mbi të. Shumica e studiuesve të shekullit të kaluar, e edhe të mijëvjeçarit të ri, ndonëse nuk kanë arritur të sqarojnë mënyrën e formimit të figurës, mendojnë se duhet përjashtuar ideja e punimit të saj nga dora e njeriut.
Objekti, tejet i ndërlikuar, i detyron shkencëtarët ta studiojnë Pëlhurën e Shenjtë sipas disiplinave shkencore nga më të ndryshmet. Me të janë marrë arkeologë, historianë, ekzegjetë, mjekë, kimistë, punonjës të informatikës, për të kujtuar vetëm disa nga sektorët më të rëndësishëm të kërkimeve shkencore, gjë që ka krijuar, në rrjedhë kohe, një bashkësi të vërtetë specialistësh, të lidhur nga një disiplinë e re, për të cilën në vitet ’50 të nëntëqindës, u krijua termi “sindonologjia”.

Historia e kërkimeve shkencore
Kjo histori nis vetëm pas fotografimit të objektit në vitin 1898. Karakteristika e jashtëzakonshme e gjurmës së Sindonës, që i ngjet negativit mbi pllakën fotografike, stampuar nga fotografi Sekondo Pia, ngjalli shumë dyshime rreth hamendjes se figura e pëlhurës mund të ishte e rreme, e krijuar në Mesjetë. Fotografia e bërë nga Pia në vitin 1898 i hapi rrugën historisë së studimit shkencor të Sindonës. Që asokohe, studimi i pëlhurës vijon pa ndërprerje.
Sot teknologjia vë në shërbim të kërkimit shkencor aparate gjithnjë më të sofistikuara, por kjo nuk mjafton për të bërë analizat në mënyrë serioze e përfundimtare. Mbi të gjitha, ka rëndësi kërkimi i së vërtetës, pa pretendimin për të vërtetuar me çdo kusht teza të paragjykuara, duke refuzuar gjithçka tjetër, që mund të vërtetohet seriozisht e shkencërisht. Kuptimplote fjalët e Papës Gjon Pali II para Sindonës, më 24 maj 1988: “Kisha i nxit shkencëtarët ta studiojnë Sindonën pa paragjykimet, të cilat i shikojnë si të vërteta rezultatet, që nuk janë të tilla; i fton të punojnë me liri të plotë shpirtërore, duke respektuar si metodologjinë shkencore, ashtu edhe ndjenjat e besimtarëve”.
Studimi shkencor më i rëndësishëm i Sindonës, është ai që u realizua pas ekspozimit të pëlhurës më 8 deri më 13 tetor 1978. Çarçafi u analizua nga një ekip ndërkombëtar, i përbërë prej 44 shkencëtarësh, që bënë një sërë kërkimesh e analizash për 120 orë rresht. Studiuan posaçërisht të ashtuquajturat ‘zona hematike”, që mund të krijonin mundësinë për të vërtetuar se bëhet fjalë për gjak njeriu, të grupit AB.
Analiza e figurës, me mjete moderne, vërtetoi edhe se mbi pëlhurë nuk ka asnjë shenjë pigmentesh e ngjyrash artificiale.
Vit tjetër tejet i rëndësishëm për studimin e Sindonës është 1988-ta, kur nga Pëlhura u morën disa kampione, për t’i datuar me metodën e radiokarbonit. U arrit në përfundimin se Pëlhura duhet t’i takojë periudhës ndërmjet viteve 1260 - 1390. Po shumë shkencëtarë shprehën mendimin se metoda e radiokarbonit nuk mund të arrijë në datimin e saktë të një pëlhure, me karakteristika kaq të posaçme historike e kimiko-fizike. Kështu ky datim u vu në diskutim, gjë që i hap rrugën një programi të ri kërkimesh shkencore, për të siguruar datimin më të saktë të moshës së pëlhurës, duke pasur mirë parasysh edhe ndotjet e tipit kimik e biologjik gjatë shekujve, gjë që mund të çojë tek një datim i ri, krejt i ndryshëm nga data radiokarbonike.
Pas 1988-tës kërkimi shkencor mbi Sindonën merr drejtime të reja: lidhet me një fushë të re studimesh, atë të metodave të mirëmbajtjes.
Gjatë viteve të fundit u organizuan rreth 20 kongrese kushtuar Sindonës. I fundmi, ai që u mbajt në Torino më 2 deri më 5 mars 2000, me pjesëmarrjen e 409 specialistëve më të njohur, ardhur nga dhjetë vende të botës. Nuk u arrit në një pohim përfundimtar. U pohua se duhet të vijojnë eksperimentet për datimin e sidomos, për përmirësimin e njohurive, që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e kësaj pëlhure të jashtëzakonshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.