2010-05-02 15:21:26

A mund të lutemi para Sindonës?


(02.05.2010 RV)Asnjë vepër artistike kushtuar Mundimeve të Krishtit, nuk i ka tërhequr njerëzit më shumë se Sindona. Nuk ka pikë rëndësie në se është me të vërtetë çarçafi i vdekjes i Krishtit, apo jo; në se figura u stampua në mënyrë të natyrshme apo artificiale, në se është vetëm ikonë, apo edhe relike. Një gjë është e sigurtë: Sindona është përfytyrimi më solemn e më i jashtëzakonshëm i vdekjes, që ka kundruar ndonjëherë syri njerëzor.
Në se një Zot mund të vdesë, ky do të ishte përfytyrimi më i përshtatshëm i vdekjes së Tij: qepallat e ulura, buzët gjysëm të hapura, tiparet e rregullta të fytyrës: gjithçka të bën të mendosh se njeriu, që la këtë gjurmë mbi pëlhurë, nuk ka vdekur, por është zhytur në një meditim të thellë, të heshtur. Të duket sikur shikon fytyrën, që përshkruhet në antifonën e lashtë të së Premtes së Madhe: “Korpi im pushon në paqe”. Edhe homelia e lashtë e së Shtunës së Madhe, që gjindet në Oficen e leximeve, fiton një forcë të jashtëzakonshme, e përsëritur para Sindonës: “Ç’ka ndodhur? Sot toka mbarë është zhytur në një heshtje të thellë; në heshtje e vetmi! Heshtje e madhe, sepse Mbreti po fle!”… Teologjia na kujton se në vdekjen e Krishtit, shpirti i tij u nda nga korpi, ashtu si në çdo njeri që vdes, por hyjnia e tij mbeti e bashkuar si me korpin, ashtu edhe me shpirtin.
Sindona e paraqet në mënyrë të përkryer këtë mister kristologjik. Ky korp është ndarë nga shpirti, jo nga hyjnia. Në Sindonë mbi fytyrën e martirizuar, por përplot me madhështinë e Krishtit, fërfëllon diçka hyjnore. Për t’u kujtuar, mjafton të krahasosh Sindonën me figurat e tjera të Krishtit të vdekur, realizuar nga dora e artistëve, për shembull, Krishtin e vdekur të Mantenjës, apo të Holbainit të Ri, që ruhet në Muzenë e Bazilesë, e që e paraqet korpin e Krishtit krejt të ngrirë nga vdekja, me gjymtyrët që posa kanë filluar të prishen. Përpara kësaj figure – thoshte Dostojevski, që e kishte kundruar në një prej udhëtimeve të tij - ka rrezik ta humbasësh menjëherë fenë; ndërsa përpara Sindonës, përkundrazi, njeriu mund ta gjejë fenë, që s’e kishte, ose atë, që e kish humbur. Fytyra e Krishtit në Sindonë është si një kufi, si një mur, që ndan dy botë: botën e njerëzve, plot me trazira, me dhunë e me mëkat, prej botës së Hyjit, të paarritshme nga e keqja. Është një breg, mbi të cilin përplasen të gjitha valët. E të duket sikur, në Krishtin, Hyji i tha forcës të së keqes, atë që, në Librin e Jobit, ia thotë oqeanit: “Deri këtu e më tej nuk do të shkosh e këtu do të thyhet krenaria e valëve tua” (Jb 38,11).
Para Sindonës mund të lutemi kështu: “O Zot, më bëj sindonën tënde. Kur, i zbritur nga Kryqi, vjen në shpirtin tim përmes Sakramentit të Korpit e të Gjakut tënd, ma jep hirin të të mbështjell me fenë time e me dashurinë time, si me një pëlhurë liri, në mënyrë që tiparet e tua të lënë në shpirtin tim, atë gjurmë që lanë mbi Sindonën. O Zot, bëje zhgunin e vrazhdë e të ashpër të jetës sime njerëzore, Sindonën tënde!

Atë Raniero Kantalamesa, OFM
Prediktar i Shtëpisë Papnore







All the contents on this site are copyrighted ©.