2010-04-30 17:31:02

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e kardinalit Majer: një jetë e shkrirë, me butësi e drejtësi, për Ungjillin e për Kishën.


(30.04.2010 RV)“Kardinali Paul Augustin Majer lë pas kujtimin e një jete të shkrirë, me butësi e drejtësi, duke kryer misionin si murg e bari plot zell për Ungjillin, plot besnikëri për Kishën”. Me këto fjalë e kujtoi Benedikti XVI kardinalin gjerman benediktin, që ndërroi jetë sot paradite, në moshën 98 vjeçare. Në një telegram, drejtuar Abatit primat të konfederatës së benediktinëve, Dom Notker Volf, Papa kujton impenjimin cilësor të kardinalit Majer në fushën liturgjike, në atë të universiteteve dhe të seminareve e, posaçërisht, shërbimin e tij të vyer ndaj Selisë së Shenjtë.
Prefekt nderi i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve e Kryetar nderi i Komisionit papnor “Ecclesia Dei”, kardinali Majer do të mbushte 99 vjet, më 23 majin e ardhshëm. Pas Koncilit II të Vatikanit, në të cilin mori pjesë si sekretar i Komisionit përgatitor, u shugurua ipeshkëv nga Pali VI, në vitin 1972. Në vitin 1988 u krijua kardinal nga Gjon Pali II.Me vdekjen e kardinalit gjerman, Kolegji Kardinalor përbëhet nga 180 kardinaj, nga të cilët, 108 me të drejtë zgjedhore, domethënë nën moshën 80 vjeç.







All the contents on this site are copyrighted ©.