2010-04-29 12:50:36

Çelësi i fjalëve të Kishës: "fytyra" e Zotit


(29.04.2010 RV)Të dashur dëgjues, të dielën e ardhshme, Papa Benedikti XVI shkon për vizitë në Torino, ku prej ditësh është ekspozuar Sindona, apo çarçafi me të cilin është mbështjellë Krishti pas vdekjes. Ajo që na bën më shumë përshtypje, kur shohim Sindonën, është fytyra e stampuar në negativ, që na bën të mendojmë e të përfytyrojmë fytyrën e Zotit tonë Jezu Krisht. Por cili është përdorimi i fjalës “fytyrë” e ç’kuptim merr ajo për të krishterët? Për këtë do të flasim sot.

Është interesant fakti se në hebraisht, shprehja “para dikujt” thuhet “lipnê”, që e ka kuptimin “para fytyrës së dikujt”. “Panîm”, “fytyra” e një personi, është në hebraisht një fjalë në numrin shumës, që nxjerr në pah kompleksitetin e një fytyre, e cila nuk është thjesht lëkurë, organe, mish e gjak, por një shenjë e rëndësishme shprehëse e komunikimi. Kjo është arsyeja, që shpesh në Bibël, fytyra tregon botën e brendshme të një personi, siç ndodh, për shembull, në rastin e Kainit, që e ka zili të vëllain, Abelin: “Kaini u zemërua për së tepërmi dhe u çart në fytyrë” (Zan 4,5). Ose siç i ndodh pozitivisht Anës, nënës së ardhshme të profetit Samuel: pasi dëgjoi Elinë meshtar t’i thotë se Zoti do t’ia plotësonte dëshirën për të pasur fëmijë, “fytyra e saj nuk qe më si më parë” (1 Sam 1,18).
Por, vëmendja jonë, gjatë gjithë jetës, përqendrohet në një fytyrë të mistershme e të lavdishme, në fytyrën e Zotit. Pikërisht për faktin se fytyra përcakton vetë personin, kuptohet lehtë se pse “shikimi i fytyrës hyjnore” ishte e ndaluar dhe e pamundur për njeriun, madje, mendohej se nuk mund të mbijetoje pas një përvoje të tillë. Domethënëse për këtë është reagimi i Isaisë profet, në ditën që dëgjon thirrjen e Hyjit: “I mjeri unë, qetash sharrova, sepse jam njeri me buzë të papastra… e me sy të mi e pashë Mbretin, Zotin e ushtrive!” (6,5). Edhe Moisiut, i cili fliste me Zotin si me një mik të vetin, nuk iu lejua të shihte fytyrën e Zotit e kërkesës së tij, Hyji iu përgjigj kështu: “Nuk do të mund ta shikosh fytyrën time, sepse njeriu nuk mund të më shohë mua e të mbetet në jetë… Do të ma shikosh shpinën: porse fytyra ime nuk mund të shihet” (Dal 33,20.23).
Megjithatë në Bibël, përmes mënyrës simbolike për të folur mbi Zotin (antropomorfizëm), ne i njohim sytë e Zotit që kontrollojnë njerëzit, gojën që na çon fjalë e mesazhe, veshët që dëgjojnë, e madje edhe hundën që shfryn nga zemërimi. Në Librin e Psalmeve, dalëngadalë përvijohet ideja e mundësisë për “ta parë fytyrën e Zotit”, kur hyhet për lutje ne tempull (Ps 11,7; 17,15; 42,3). Po ashtu, siç thuhet në Librin e Numrave (6,25-26), fytyra e Zotit, që shkëlqen mbi popullin e vet, është shenjë lumturie dhe mbrojtjeje: “Të ndriçoftë Zoti me fytyrën e vet e pastë mëshirë për ty. E sjelltë Zoti fytyrën e vet drejt teje e ta dhëntë paqen”. Besimtarët konsiderohen pikërisht si “ata që kërkojnë fytyrën e Zotit” (shih Ps 24,6; 27,8-9), ndërsa në ditën e mëkatit e të gjykimit, thuhet se “Zoti e fsheh fytyrën e vet” (shih Lp 31,17; Ez 39,23).
Në këtë kundërshti ndërmjet misterit të fytyrës hyjnore dhe zbulimit e kundrimit të saj qëndron lidhja ndërmjet trashendencës së Zotit dhe imanencës së Tij, ose ndërmjet ekzistencës së Hyjit si qenie e ndryshme dhe superiore në krahasim me njeriun dhe, njëkohësisht, ekzistencës si person që vepron, flet, ndërhyn në histori, duke e zbuluar veten si shpëtimtar. Natyrisht, kulmi i takimit të Zotit me njeriun arrihet nga Krishti, që është Biri i Zotit, “shkëlqimi i Lavdisë dhe vula e qënies së Hyjit” (Heb 1,3), por njëkohësisht, është edhe Jezusi i Nazaretit me një fytyrë njerëzore, që mund të njihet e të shihet. Vetëm në këtë dritë, arrijmë të kuptojmë frazën e Shën Gjonit Ungjilltar: “Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm që është Hyj, një natyre me Atin, Ai bëri të njihet” (1,18).







All the contents on this site are copyrighted ©.