2010-04-29 15:25:35

Thirrje e Papës për Republikën Demokratike të Kongos: vendi të punojë për ligjin, bota ta ndihmojë për paqen.


(29.04.2010 RV)Duhet bërë ç’është e mundur për t’u dhënë fund konflikteve, që kanë shkatërruar indin shoqërore të krejt vendit. Është njëra nga thirrjet në favor të Republikës Demokratike të Kongos, që Benedikti XVI ia besoi sot ambasadorit të ri kongolez pranë Selisë së Shenjtë, Zhan-Pierr Hamuli Mupenda, të cilin e priti në audiencë në Vatikan. Papa iu drejtua edhe bashkësisë ndërkombëtare, që të përpiqet më shumë për të sjellë paqen dhe ligjin në shtetin afrikan.
Ati i Shenjtë kujtoi gjendjen e vendit, i cili në të kaluarën ka qenë simbol për fëmijët-ushtarë, të privuar nga shkolla, si edhe për një seri keqtrajtimesh e abuzimesh edhe mbi gratë, siç u denoncua dje nga OKB-ja:
“Impenjimi i nënshkruar në Gomë, më 2008, dhe zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, në veçanti të Paktit mbi sigurinë, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin në rajonin e Liqeneve të Mëdha, janë natyrisht të nevojshme, por më urgjente është puna për të krijuar kushtet e zbatimit të tyre… I ftoj autoritetet publike të bëjnë ç’është e mundur për t’i dhënë fund luftës, që akoma vazhdon në disa provinca, e për t’iu kushtuar rindërtimit njerëzor e shoqëror të kombit, në respektimin e të drejtave themelore të njeriut”.
Pasi e ftoi bashkësinë ndërkombëtare të ndihmojë Kongon në këtë detyrë, Papa theksoi se mënyra më e mirë për ta realizuar atë është nxitja e edukimit të brezit të ri dhe mbrojtja e burimeve natyrore të vendit, për t’i siguruar ushqim e kura shëndetësore popullsisë. Me rastin e 50-vjetorit të pavarësisë së Republikës Demokratike të Kongos, Selia e Shenjtë do të çojë, pas vitesh mungese, përfaqësuesin e vet diplomatik në vend.







All the contents on this site are copyrighted ©.