2010-04-29 15:11:51

Sekretari i përgjithshëm i Natos, Rasmussen viziton sot Shqipërinë


(29.4.2010RV)Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, viziton për herë të parë sot Tiranën, ku pritet të takohet me autoritetet më të larta të vendit të Shqipërisë.
Sipas njoftimeve zyrtare nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, takimin e parë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës veriatlantike do ta ketë me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, me të cilin do të japë dhe një deklaratë për shtyp.
Më pas, Rasmussen do të pritet në Ministrinë e Mbrojtjes nga ministri Arben Imami, për të vijuar me takimin në kryeministri me Kryeministrin Sali Berisha, me të cilin do të ketë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
Axhenda e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s do të pasohet nga takimet me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topi.
Kujtojmë që Anders Fogh Rasmussen, ish-kryeministër i Danimarkës, u zgjodh në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës në prill 2009, gjatë punimeve të Samitit të NATO-s në Strasburg. Ai zëvendësoi në këtë post holandezin Jaap de Hoop Scheffer.







All the contents on this site are copyrighted ©.