2010-04-29 17:33:38

Marrëveshje bashkëpunimi mes Universitetit Katolik e Qeverisë së Shqipërisë për formim e asistencë shëndetësore.


(29.4.2010 RV)Me ndërmjetësimin e Ambasadorit të Shqipërisë pranë Selisë Shenjte z. Rrok Logu sot është nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit Katolik “Zemra e Shenjtë” dhe qeverisë së Shqipërisë për formimin dhe asistencën shëndetësore.
Një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Universiteti Katolik “Zemra e Shenjtë” dhe Qeverisë së Shqipërisë për formimin e mjekëve dhe punonjësve shëndetësorë shqiptarë dhe për asistencën shëndetësore për pacientët shqiptarë në gjendje të rëndë pranë Poliklinikës Universitare “Agostino Gemelli” në Romë dhe Qendrës Kërkimore dhe të Formimit me Teknologji të Lartë në Shkencat Biomjekësore “Gjon Pali II” i Kampobasos, u nënshkrua sot paradite me 29 prill, nga rektori i Universitetit Katolik, prof. Lorenco Ornagi dhe nga Ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë, Dr. Petrit Vasili në ambjentet e filialit romak të Universitetit të “Zemrës Shenjte”,
Bashkë me rektorin Ornagi, në delegacionin e Universitetit Katolik merrnin pjesë, drejtori administrativ Antonio Çiketi; drejtori i filialit të Romës, Dr. Xhankarlo Furnari; drejtori i filialit të Kampobasos, Prof. Savino Rafaele Kanone, konsull nderi për Molizen dhe Abrucin i Konsullatës së Republikës së Shqipërisë.
Për qeverinë shqiptare, bashkë me ministrin Vasili, morën pjesë zëvendësministri i shëndetit Dr. Bardh Spahia; drejtori i kabinetit qeveritar Klodjan Rrepaj; Ambasadori i Shqipërisë pranë Selisë Shenjte z. Rrok Logu; këshilltarja e ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë Shenjte, znj. Natasha Perpunja.
“Qeveria shqiptare – lexohet në paraqitjen e marrëveshjes – është e interesuar për promovimin e çdo nisme që synon përforcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit shoqëror e kulturor me vendet evropiane (...) dhe në mënyrë të veçantë me Italinë”. Gjithashtu aty thuhet se “politika shëndetësore dhe e asistencës shëndetësore mbahet si një element i një rëndësie të madhe”, se “Poliklinika “Gemelli” dhe “Qendra Gjon Pali II” i Kampobasos, janë të njohur në nivel ndërkombëtar si struktura të shkëlqyeshme.”
Në bazë të kësaj marrëveshjeje Universiteti Katolik dhe Qeveria Shqiptare “impenjohen për bashkëpunim dhe asistencë të ndërsjellë, duke pasur si udhërrëfyes parimet e doktrinës së Kishës Katolike dhe parimet themelore të të drejtave njerëzore. Bashkëpunimi – vijon neni 1 i marrëveshjes – do të realizohet nëpërmjet shkëmbimit të ndërsjellë të njohurive profesionale të personelit mjekësor dhe të personelit jomjekësor të asistencës, si edhe nëpërmjet operacioneve dhe nismave që do t’iu mundësojnë pacientëve shqiptarë asistencë shëndetësore.”

Ja, më hollësisht, pikat më të rëndësishme të marrëveshjes për bashkëpunimin:
Universiteti Katolik, nëpërmjet “Poliklinikës Gemelli” dhe “Qendrës të shkencave Biomjekësore të Kampobasos “impenjohet për të pritur pacientët shqiptarë që vuajnë nga patologji të rënda dhe të ndërlikuara jo të kurueshme ose të kurueshme me shumë vështirësi pranë qendrave spitalore shqiptare (...); impenjohet për të ndihmuar në përgatitjen profesionale të specializuar të personeli mjekësor dhe jomjekësor shqiptar (...) duke dhënë bursa studimi për mbajtjen në vend (në Itali) të mjekëve dhe të infermierëve specialistë që kanë ndërmend të kryejnë një praktikë profesionale, duke iu “garantuar” atyre mikpritjen; impenjohet për promovimin e pranimit të mjekëve shqiptarë në proceset e formimit në distancë, duke garantuar mbështetjen mjekësore të “second opinion”.

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Shqipërisë “impenjohet për të dhënë njohuri dhe përvojë në fushën e patologjive të pranishme në Shqipëri nëpërmjet strukturave shëndetësore të vendit; impenjohet për autorizimin dhe favorizimin e ushtrimit të përvojës kliniko-organizative të mjekëve italianë dhe për autorizimin e personelit mjekësor e jomjekësor shqiptar që dëshiron të frekuentojë praktika profesionale pranë “Gemelli”-t dhe “Qendrës Gjon Pali II”; në fund pala shqiptare impenjohet për favorizimin e nismave të vullnetariatit në Shqipëri.”

Në çastin e nënshkrimit të protokollit Ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë, z. Petrit Vasili, nënvizoi se “këtë marrëveshje e ka për zemër, për arsye shkencore dhe morale: Universiteti Katolik, me strukturat e veta, pikësëpari “Gemelli”, është një qendër e shkëlqyeshme e njohur në nivel ndërkombëtar. Nga ky bashkëpunim, që sot po fillon zyrtarisht, jam i sigurtë se do ketë edhe fryte të rëndësishme për përmirësimin e shëndetësisë sonë. Ka edhe diçka tjetër, personale, që në këtë çast dua të kujtoj. Janë tri vitet e studimeve në “Higjenë” që kam kryer pranë Fakultetit të Mjekësisë së Universiteti Katolik dhe Poliklinikës “Gemelli”.” – tha ministri Vasili.
“Urimi ynë – shtoi më pas drejtori administrativ Çiketi – është të japim një ndihmë domethënëse, jo vetëm për asistencën shëndetësore për pacientët shqiptarë që do të vijnë për mjekime në Romë ose në Kampobaso, apo për formimin e mjekëve dhe të punonjësve mjekësorë, por edhe që ne, si universitet, të japim mbështetje për formimin e një klase të re të shërbimit shëndetësor shqiptar.
Kjo do të realizohet edhe nëpërmjet Shkollës së Ekonomisë Shëndetësore të Universitetit Katolik që së bashku me kurset universitare dhe masterat, do të mund të ndihmojë edhe nëpërmjet një laboratori të shkëlqyeshëm të Shkollës së Lartë të Ekonomisë dhe Menaxhimit të sistemeve shëndetësore që porsa është themeluar.”
Në përfundim të ceremonisë zyrtare, rektori Ornagi ftoi ministrin e shëndetësisë Vasili dhe ambasadorin shqiptar Logu - shoqëruar nga drejtori i Poliklinikës Çezare Katananti dhe drejtori shëndetësor Andrea Kambieri, - të vizitojnë Poliklinikën “Gemelli” me strukturat e reja të poliambulatorit të centralizuar dhe disa reparte të kirurgjisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.