2010-04-29 12:50:24

Diskutim i atë Lombardit në seminarin e zëdhënësve të Kishës.


(29.04.2010 RV)Një panoramikë e plotë, kushtuar funksioneve dhe objektivave të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë: është ajo që bëri dje paradite atë Federiko Lombardi, zëdhënës i Vatikanit, duke pritur pjesëmarrësit e Seminarit profesional të zëdhënësve të Kishës, që u mbyll dje pasdite në Romë. Takimi, i titulluar “Komunikimi në Kishë, identitet e dialog”, u organizua nga Universiteti Papnor i Shenjtes Krygjë.

Një portë e hapur ndërmjet Vatikanit e botës së komunikimeve shoqërore: kështu e quajti atë Lombardi Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, duke rikujtuar se është në shërbim të gazetarëve, me qëllim që ta kuptojnë sa më thellë shërbimin papnor. Një komunikim – shtoi atë Lombardi – me dy drejtime kryesore:
“Mendojmë të punojmë në dy drejtime: t’i komunikojmë botës së informacionit tekste, njoftime, dokumente të Selisë së Shenjtë, ndërsa na drejtohen edhe pyetje, përpiqemi të kuptojmë problemet dhe shqetësimet, për t’u propozuar eprorëve tanë të Selisë Apostolike çështje, që duhen përballuar, përgjigje, që u duhen dhënë pyetjeve.
Zëdhënësi i Vatikanit u ndalua, më pas, tek rëndësia e marrëdhënieve të qeta, objektive, të plota, me gazetarët, duke shmangur fjalët e përgjithshme:
“Nuk mund të them kurrë se mediat janë të këqija. Më duket gabim i madh. E di se mediat pasqyrojnë shumë qëndrime e shumë sjellje të ndryshme, e edhe shumë aftësi të ndryshme profesionale, që hyjnë në dialog me mua, që interpretojnë, për mua, atë që pret publiku i gjërë”.
Duke ripohuar, më pas, vlerën e burimeve të besueshme, Atë Lombardi kujtoi se është e nevojshme një transparencë më e madhe në komunikimin e Kishës:
“Të japim sa më shumë informacion, që mund e dimë të japim, në mënyrë që të kufizohet përshtypja, të cilën e kanë shumë njerëz, sipas së cilës ne kemi kulturën e sekretit, ose kemi gjëra për të fshehur”.
Prej këndej, drejtori i Sallës së Shtypit, duke u ndaluar tek shpërdorimet mbi të miturit nga ana e disa klerikëve, tha:
“Besoj se është argument, që nuk duhet mbuluar, e as nuk duhet harruar, madje është detyra jonë të bëjmë që të zhvillohet komunikimi në Kishë e në shoqëri rreth nesh, në një drejtim më pozitiv”.
Atë Lombardi kujtoi, së fundi, takimet më të rëndësishme papnore në muajt e ardhshëm, ndërmjet të cilëve, shtegtimin e Atit të Shenjtë në Angli, parashikuar për në shtator 2010. Papa do të jetë personalisht i pranishëm në lumnimin e kardinalit John Henry Newman:“Është shumë interesante. Kjo sigurisht do të thotë se Papa interesohet në mënyrë të posaçme për figurën e Newman, sepse ngjarja është themelore gjatë gjithë këtij shtegtimi, të cilin, me sa duket, dëshironte ta bënte dhe e quante të nevojshëm”.







All the contents on this site are copyrighted ©.