2010-04-28 15:34:11

U hap dje në Malaga, Kongresi Evropian mbi Emigracionin


(28.04.2010 RV)T’u jepet emigrantëve shpresa për njohjen e të drejtave të tyre e për një jetë të denjë në të gjitha aspektet. Ky është mesazhi i Papës Benedikti XVI për Kongresin Evropian të Emigracionit, që u hap dje pasdite në Malaga të Spanjës, organizuar nga Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës. Me qindra, pjesëmarrësit: ipeshkvij, drejtorë e operatorë baritorie, eksponentë të shoqërisë civile dhe të botës politike. Në temën e Kongresit: “Evropa e njerëzve në lëvizje. Kapërcimi i frikës. Përvijimi i perspektivës”, qëndron projekti i punimeve.
Mesazhi i Papës u soll në Kongres nga presidenti i Këshillit Papnor për baritorinë e emigrantëve, imzot Antonio Maria Veliò, ndërsa hapja e punimeve u bë nga kryeipeshkvi i Zagrebit, kardinali Josip Bozaniç. Të dy theksuan se emigrantët duhet të priten si njerëz e jo si gjëra, skllevër apo mjete. Është e papranueshme trilogjia “emigracion-kriminalitet-terrorizëm”. Prelatët denoncuan faktin, se shpesh gjendja e paqëndrueshme e një vendi i atribuohet pranisë së emigrantëve, e cila perceptohet negativisht nga popullsia evropiane, që i sheh si kërcënim për kulturën e identitetin, për rendin e sigurinë, si edhe për punën. Sipas Kishës, ka ardhur koha të mendohen politika afatgjata për integrimin shoqëror, kulturor dhe politik të emigrantëve, të cilët janë tashmë një realitet prej 24 milion vetësh në Bashkimin Evropian.







All the contents on this site are copyrighted ©.