2010-04-28 13:50:09

Thirrje e ipeshkvijve amerikanë për çarmatimin bërthamor


(28.04.2010 RV)Pas marrëveshjes mbi reduktimin e armëve bërthamore, nënshkruar nga presidenti amerikan, Barak Obama dhe kreu i shtetit rus, Dmitrij Medvjedjev, janë të nevojshme hapa të tjera për ta çliruar botën nga ky kërcënim i jashtëzakonshëm për jetën njerëzore. Kështu pohoi kryeipeshkvi i Baltimorës, imzot Eduin Fredrik O’Brajën, duke rinovuar të hënën e kaluar thirrjen e prelatëve amerikanë drejtuar senatorëve, me rastin e seminarit të politikës ndërkombëtare në Universitetin Katolik të Amerikës. Episkopati i SHBA-ve ka botuar dy letra, që kanë të bëjnë me çarmatimin bërthamor. Quhen “Sfida e paqes” dhe “Korret drejtësi kur mbillet paqe”. Në to theksohet se eliminimi i arsenaleve bërthamore është më shumë se një ide morale, duhet të kthehet në objektiv politik. Përdorimi i armëve bërthamore si mjet frikësimi, pavarësisht nga impenjimi për të mos i përdorur, krijon një ekuilibër shumë të brishtë e nuk mund të jetë bazë për paqen. Duke pranuar se rruga drejt çarmatimit të plotë bërthamor është e gjatë dhe e vështirë, ipeshkvijtë amerikanë vënë në dukje se paqja e vërtetë, për të cilën ka nevojë bota, mund të ndërtohet vetëm mbi themelet e drejtësisë e të mbrojtjes së të drejtave njerëzore, si edhe mbi solidaritetin e ndërsjelltë.







All the contents on this site are copyrighted ©.