2010-04-28 17:52:11

Papa në audiencën e përgjithshme kujtoi Shën Leonard Murialdon e Shën Jozef Benedikt Kotolengon: dy shembuj të meshtarisë e të dashurisë së krishterë.


(28.04.2010 RV)Dy meshtarë të mëdhenj të tetëqindës, Shën Leonard Murialdo e Shën Jozef Benedikt Kotolengo, ishin sot protagonistë të katekizmit të Benediktit XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Papa foli për dëshminë e tyre të krishterë në ndihmë të të varfërve si dhe për koherencën e meshtarisë së tyre, duke kujtuar posaçërisht 110-vjetorin e vdekjes e 40- vjetorin e shpalljes shenjt të Shën Murialdos dhe 100-vjetorin e shugurimit meshtarak të Shën Jozefit.RealAudioMP3

Dy njerëz të dërguar në botë nga Provania Hyjnore, së cilës i besuan, i shërbyen, e dëshmuan – që të dy piemontezë e që të dy, njerëz të veprimit, të njohur për veprat në ndihmë të më të varfërve, në Torinon e tetëqindës, qytet i dom Boskos. Mijëra shtegtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, sot të ndriçuar nga një diell i nxehtë, gati veror, Benedikti XVI u foli me admirim të veçantë për të dy shenjtorët, të cilët, që në fillim të katekizmit, i quajti “dy meshtarë të shenjtë, shembullorë, që e shkrinë gjithë jetën në shërbim të Zotit, duke e dëshmuar me vepra dashurinë e krishterë.
Së pari Papa foli për Shën Leonardin, që ndërroi jetë pikërisht 110 vjet më parë, më 30 mars të vitit 1900 e u shpall Shenjt nga Pali VI, më 3 maj, 40 vjet më parë. Torinez, bir i tetë i një familjeje të thjeshtë, Leonardi pati një formim të mirë të krishterë, që u pasua nga një krizë shpirtërore e, menjëherë pas, nga një rikthim në dritë, siç u shpreh ai vetë. U shugurua meshtar, njohu dom Boskon, që e vuri në krye të një Oratori e arriti një pjekuri të madhe në veprimtarinë shoqërore, edukative dhe apostolike:
“Më pëlqen të nënvizoj se bërthama e përshpirtërisë së Murialdos është besimi i patundur në dashurinë përdëllyese të Zotit: një Atë gjithnjë i mirë, i durueshëm e bujar, që e dëfton madhështinë dhe pafundësinë e mëshirës së tij me faljen”.
Leonardi do të ishte gjithnjë njeri e meshtar plot mirënjohje ndaj Zotit: e tregojnë disa rreshta, që i shkroi një ditë kur “ndodhej në fundin e greminës e Hyji shkoi ta kërkonte”. Pikërisht atë ditë, ai e dëgjoi qartë zërin e Zotit. Prandaj - vërejti Benedikti XVI – jetoi me vetëdijen e kufizimeve të veta, duke e shoqëruar me një impenjim të vazhdueshëm e bujar pendese e kthimi në rrugën e Hyjit, pa harruar kurrë misionin e jetës së tij: meshtarinë! Ai ishte meshtar e detyra e tij kryesore - të shpëtonte shpirtrat:
Shën Leonardi i kujtonte gjithnjë vetvetes dhe sivëllezërve se duhet të jetonin në përkim të plotë me sakramentin, që kishin marrë. Dashuria e Zotit e dashuria për Zotin: kjo ishte forca e tij, forca e udhës së tij drejt shenjtërisë, ligji i meshtarisë së tij, kuptimi më i thellë i apostullimit të tij ndërmjet të rinjve të varfër dhe burimi i lutjes së tij”.
Ashtu si Shën Leonardi, që e lëshoi veten, me besim të plotë, në dorë të Provanisë Hyjnore – mbi vullnetin e së cilës hodhi bazat e Kongregatës së Shën Jozefit, themeluar në vitin 1873 e kushtuar ndihmës së fëmijëve të braktisur – veproi edhe Shën Jozef Benedikt Kotolengo, që ia kushtoi Provanisë Hyjnore “Shtëpinë e vogël’, themeluar prej tij, të hapur për të gjithë njerëzit, që kishin nevoja shoqërore e shpirtërore:
Qe gjithnjë gati ta ndiqte Provaninë Hyjnore e t’i shërbente, pa bërë kurrë pyetje. Thoshte: “Unë nuk jam i zoti për asgjë, madje s’e kuptoj as atë që bëj. Por jam i bindur se Provania Hyjnore e di mirë ç’ kërkon nga unë. Mua më takon vetëm ta ndjek. Përpara, në Zotin! Kur ishte fjala për të varfërit, për nevojtarët e tij, e quante gjithnjë veten ‘punëtor krahu i Provanisë Hyjnore”.
Duke kujtuar se të dielën e ardhshme, gjatë vizitës së tij baritore në Torino, me rastin e ekspozimit të Sindonës, do të ketë rastin të takohet me disa mysafirë të ‘Shtëpisë së vogël’, Benedikti XVI përshkroi episodin, që do ta shndërronte Kotolengon, meshtar i vlerësuar, por i paqartë për ardhmërinë e tij, në Apostull të të varfërve: “Të dielën, më 2 shtator 1827, arrinte nga Torino, në Milano, një karrocë. Me të udhëtonte një familje franceze: një burrë me pesë fëmijë dhe gruaja, më të lindur, me temperaturë të lartë. Shëndeti i gruas, që u shtrua menjëherë në spital, u rëndua aq, sa u ndje nevoja të thirrej një meshtar. E i takoi Kotolengos ta ndiqte këtë dramë e të ishte i pranishëm në çastet e fundme të jetës së kësaj nëne, që nxirrte në dritë fëmijën, duke lënë pas gjashtë jetimë! Drama e preku aq thellë, sa të bërtiste me sa zë që kishte para të Shenjtnueshmit Sakrament: “Zoti im, pse? Pse më zgjodhe mua si dëshmitar të një tragjedie të tillë?”. Pas pak ditësh Zoti iu përgjigj kësaj britme. Meshtari ndjeu thirrjen të krijonte një lloj fshati, për të mikpritur njerëzit më nevojtarë. U dhuronte kështu, një shtëpi, një familje:
“Vullnetarë e vullnetare, burra e gra, rregulltarë e laikë, të bashkuar për të përballuar e për të kapërcyer së bashku vështirësitë e përditshme. Secili në këtë Shtëpi të vogël të Provanisë Hyjnore, kishte një detyrë të përcaktuar: dikush punonte, tjetri lutej, shërbente, jepte mësim, mbarështonte. Të sëmurë e të shëndoshë e ndanin bashkë barrën e së përditshmes”.
Pasi përfundoi portretin e këtyre dy meshtarëve të jashtëzakonshëm, Papa përsëriti se që të dy e gjetën rrënjën e thellë e burimin e pashterrshëm për veprimtarinë e tyre, në lidhjen e ngushtë me Zotin, në dashurinë e pamasë për Të, duke e ruajtur të pacënuar këtë bindje në zemrat e tyre:
“Nuk mund të ushtrohet dashuria e krishterë, pa jetuar në Krishtin e në Kishë. Ndërmjetësimi i tyre e shembulli i tyre – uroi Papa - vazhdoftë ta ndriçojë shërbimin e shumë meshtarëve, që shkrijnë bujarisht gjithë jetën për Zotin e për grigjën, që u është besuar e i ndihmojnë të gjithë t’ia dhurojnë plot gëzim e bujari vetveten, Zotit e të afërmit”.
Ndërmjet përshëndetjeve të shumta, në përfundim të audiencës së përgjithshme, kujtojmë atë në gjuhën angleze, drejtuar një delegacioni ekumenik të Kishës luterane norvegjeze e, më pas, përshëndetjet përfaqësuesve të Kishës anglikane dhe grupit të drejtuesve hebrenj të “Pave the Way Foundation”, që po viziton Vatikanin.







All the contents on this site are copyrighted ©.