2010-04-27 14:25:42

Të premten në Vatikan mbledhje me kardinalin Bertone mbi rastin e Legjionarëve të Krishtit


(27.04.2010 RV)Do të zhvillohet të premten një mbledhje e rëndësishme për të ardhmen e Legjionarëve të Krishtit, kongregata e rregulltarëve, themeluesi i së cilës, i vdekur tashmë, është përfshirë në shkandulle të rënda për abuzime seksuale. Në takim, do të marrin pjesë pesë vizitatorët apostolikë, që kanë mbledhur informata në të gjitha kontinentet mbi gjendjen e kongregatës së themeluar nga atë Marcial Maciel. Sëbashku me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone, vizitatorët do të diskutojnë mbi fatin e kongregatës, megjithëse nuk do të merren vendime përfundimtare.
Në një intervistë, në përfundim të udhëtimit të tij triditor në Katalonja të Spanjës, kardinali Bertone iu rikthye çështjes së abuzimeve seksuale nga ana e disa anëtarëve të klerit, duke iu përgjigjur pyetjeve mbi celibatin e meshtarëve, pra mbi faktin se meshtarët nuk martohen. Sipas tij, celibati nuk është i paprekshëm, por përbën një traditë pozitive në historinë e Kishës. Mosrespektimi i këtij kushti ka sjellë probleme, theksoi kardinal Bertone.







All the contents on this site are copyrighted ©.