2010-04-27 14:12:13

Kosova përkujton Ditën e viktimave e të personave të pagjetur të luftës së 1999


(27.4.2010 RV)Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur i Kosovës në bashkëpunim me Shoqatat e Familjarëve të Personave të Pagjetur, organizuan sot një tubimin për të shënuar 27 Prillin - Ditën e të Pagjeturve të Kosovës.
Tubimi qendror u mbajt në fshatin Meje të Gjakovës në orën 12:00, ku u përkujtua masakra që forcat paramilitare serbe bënë në mënyrë barbare mbi popullsinë civile shqiptare të Kosovës duke vrarë, djegur për së gjalli njerëzit dhe dëbuar mbarë popullsinë nga vatrat e shtëpitë e tyre për t’i nisur pastaj drejt Shqipërisë.
Mbi këtë ngjarje tragjike që shënon një ndër çastet më kulmore të kalvarit që kaloi populli i Kosovës në udhën drejt lirisë, të dëgjojmë françeskanin shqiptar nga Gjakova, Atë Ndue Kajtazin..........RealAudioMP3
Fjala e françeskanit Atë Ndue Kajtazit në Mejë më 1. 8. 2003 me rastin e rivarrimit të një numri të madh të të vrarëve më 27 prill 1999.

 
Do të mundohem të shprehem si Patër Anton Harapi në një rast të tillë.

Ndaluni pak!
Ku shkoni o burra?!
Dy fjalë ka Gjakova, këtu në log të kuvendit , para se të ndahemi. Erdhët të pushoni këtu në dheun tuaj, ku së pari i patë rrezet e ëmbla të diellit, ku si filiza të shëndosha, të gëzueshëm e rritët shtatin, këtu ku Kosova ju rriti e ju shndriti.
Le të lavdërohet me ju Reka, Malësia e Gjakova, por edhe Meja, vendi ku ju nuk vdiqët, por u lindët për atdhe.
Jo nuk ju lëshon Gjakova, ëmbël pa ju puthur, përmallshëm pa derdhur dy pika lotësh, lot gëzimi e pikëllimi mbi eshtrat tuaj.
Eshtra të pavdekshëm ju falem!
Po, të pavdekshëm, sepse në vete ruani një visar të çmueshëm, atë ide e cila e patundur do të mbesë ndër ne dera sa të jetë Kosova.
E ju o burra që edhe të vdekur na flisni, e të fikur – shndrisni, lëshojeni një zë kumbues e tregoni djalërisë shqiptare çka ju ushqeu idealin, kush ju mbajti gjallë karakterin e si u bëtë të pavdekshëm?
Tregoni se s’do të vdesë Kosova deri sa gjaku i juaj i njomë e i gjallë do të vlojë në kujtesën e shqiptarëve. Me tërë fuqinë tuaj vigane bëjani një urim Kosovës. Uroni mbarësi e përparim, paqe e drejtësi.
Por ngritëni edhe zërin tuaj kundër atyre që rrënojnë atë që ju ia ngritët themelet.
Nuk ju pyes si quheni e nga jeni, ngado qofshi të bardhë qofshi, këtu ku do të pushoni , do të shndritni si flori. Ideali juaj më tregon se kush jeni, vdekja juaj më dëshmon përse jetuat. Ne e dimë kush ju vrau, por më me rëndësi është t’a dimë së përse ju vrau.
E dimë se besuat në Zot, e ai Zot që është një, tani shpirtin tuaj e ka në dorë dhe e gëzoni paqen e Tij.
Zotëri e familjarë të nderuar nuk do të ju vonoj më. Merrni këto visare të çmueshme e varrosni, merrni këta eshtra e vendosni në tokën e vet, por le të mbesin si nishan e pikë orientimi për të gjithë neve, shëmbëllesë ideali dhe forcë për bashkim kombëtar, e t’i dëftojmë botës se shqiptarët ngado që janë, nga Lindja e nga Perëndimi, nga Veriu e nga Jugu, të krishterë e mysliman, të gjithë janë shqiptarë të vërtetë, e njerëz që dinë të sakrifikohen për gjëra të shenjta.
Zoti i bekoftë familjet tuaja, e ju pushofshi në paqe!







All the contents on this site are copyrighted ©.