2010-04-26 15:59:49

Willy Kamsi: SHÊJTNORJA E ZOJËS SË SHKODRËS


Shenime historike mbi Shêjtnoren e Zojës së Shkodrës përpunue nga Willy Kamsi


Shqipnia, për hir të vendosjes së saj, ka qenë ndër shekuj pikë takimi e ndeshjesh ndërmjet kombesh e kulturash të ndryshme. Vendosja e saj gjeopolitike ka përcaktue situata me karakter politik e kulturor, tue pasë qenë qysh në lashtësí kalim i detyrueshëm i Lindjes drejt Prendimit dhe anasjelltas, për hir edhe të ndërtimit gjeologjik të brigjeve të saja, të rrafshta e me ranishta të pafund. Për ket arsye ka marrë, përçue e rrezatue kulturë në caqet e Adriatikut e të Ballkanit.
Zhvillimi i Shqipnisë, qysh nga epoka klasike ilire, deri në prak të pushtimit turk, pasqyronte nji zhvillim që nuk kishte gjâ mangut kundrejt përparimit të vendeve kufitare, dhe që në disa rasa kapërcehej në mënyrë të shkëlqyeshme, në pikëpamje teologjike, kulturore, shkencore e juridike, prej përfaqësuesve mâ në shęj të fisit të vet.
Qysh në zanafillë, krishtenimi e ka vulosë praninë e vet në tokën shqiptare me anën e veprës së nji Apostulli të madh, Shën Palit, i cili në shtegtimet e veta, që përfunduen me martirizimin e tij në Romë, përhapte ndër ilirë mësimet e Jezu Krishtit. Krishtenimi, i përndjekun prej nji vargu perandorësh romakë, mbas gati tre shekujsh, do të lulëzonte përsëri, derisa t'u bante, mbas shpalljes s'Ediktit të Konstantinit, fé shtetnore. Krishtenimi ka qenë, dhe kjo duhet të nënvizohet, e vetmja fé e pranueme në Shqipní kundër vullnetit të pushtuesit.
Për të gjatë mesjetës në qytetet e saja, për hir edhe të marrëdhanieve tregtare që lulëzojshin me vendet bregdetare të Mesdheut, nji zhvillim të spikatun patën shkencat humanistike, sidomos në qytetet e Veriut të Shqipnisë, të drejtueme me statute të veta, si Shkodra, Drîshti, Tivari, Ulqini, Lezhja e Durrësi. Sa personalitete me vlerë u jepshin shkëlqim e autoritet universiteteve të bregut italian të Adriatikut, ndër të cilat shquhej ai i Padovës, tue lanë nji gjurmë të pashlyeshme me praninë e tyne, përgatitjen e kulturën humanistike. Kjo vlen edhe për bregun dalmatin. Emna si ai i Barlecit, i Beçikemit, i Tomeut ose i Gazullit e të kaq të tjerëve, qenë lavdi i këtyne universiteteve. Duhet vű në dukje se pranë Universitetit të Padovës, Tomeu pat dishepull të vetin Nikollë Kopernikun në zâ, ndërsa prifti shkodran Marin Barleci, historian e humanist, botonte në vjetët e para të `500, përveç nji kronike të rrethimit të parë të Shkodrës nga ana e turqve (1474), prej të cilit këta u tërhoqën me turp, nji biografí historike të Heroit tonë Kombtar, Gjergj Kastriotit-Skanderbegut, dhe nji vepër mbi papë e perandorë. Të gjitha, simbas traditës humanistike, të shkrueme latinisht, lingua universalis e asaj kohe, dhe që Erazmi prej Roterdami e cilësonte si të vetmen gjuhë kulture.
Në ketë frymë kulture, tradite e historie pati zhvillimin e vet Shkodra, nji ndër qytetet mâ të randësishme të pellgut të Adriatikut: «nji qytet që ka hy në histori me shęjet e fisnikisë e të pushtetit që ja kanë dhanë qytetnimet e njimbasnjishme të Europës jug-lindore». Shkodra mesjetare mblidhej te rranza e kodrës së kështjellës «Rozafa», e cila sundonte e shtrinte shikimin e vet në fushën Mbi- e Nënshkodër, në nji pozicion të përkryem në pikëpamje strategjike, e mbrojtun prej shpatit thik të kodrës e prej lumejve, që rrjedhin në dý anë të saja.
Kisha e kuvende, simbas fjalës së Barlecit e të dokumentave që i dishmojnë në arkivat e Venedikut, Raguzhës e të Vatikanit, e mbushin qytetin mbi e nën kodër. Dëshmí që ka mbetë e vetme, sepse burimet dokumentare vendase qenë shkatrrue në gati pesëqind vjetët e sundimit barbar turk.
Në shekullin xv, në qytet e mbi kodër, do të kujtojmë: kishën e Sh'Nëkollit, të Shën Aponalit, të të gjithë Shęjtënve, si dhe të Shën Teodorit e të Shęjtes Krygjë. E mandej Sh'na Vlashi (kisha e tregtarëve të Raguzhës, e shndërrueme në hamam dhe e shkatrrueme në fillim të vjetëve '60), Sh'Illia, kisha katedrale e Shën Shtjefnit (e fundit të shekullit xiii, e stilit romanik-gotik), kisha famullitare e Sh'Nëkollit dhe ajo e Sh'Mërisë së Shkodrës. Kurse në afërsí të qytetit, në Dęjë, nji tjetër kishë kushtue Sh'Mërisë, e vetmja e stilit romanik-gotik që pat mbërrijtë shëndosh mbas 500 vjetëve shkatrrimi turk, nji xhevahir i vërtetë arti, e cila qe hjedhë në erë me dinamit gjatë të ashtuquejtunit «revolucion kultural» komunist. Në Shirq kemi rrenojat e nji kishe të të njajtit stil e periudhe ndërtimore, atę të Shęjtënve Shirgj e Baht, mbrenda rrethit të nji monastiri të lashtë benediktin, prej të cilit nuk duken mâ as gjurmët në sipërfaqe.
Kah fundi i shekullit xiv u dukën për herë të parë në tokën shqiptare urditë turke, të cilat i kishin thirrë feudalët shqiptarë në grindjet e tyne të mjera. Të verbuem prej egoizmit nuk e kuptuen fatkeqësinë e madhe, që po i shkaktojshin kombit të vet.
Me 1467, nji vjetë para vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skanderbegut, prania e turqve në trollin shqiptar po shtohej dita-ditës. Kjo praní shoqnohej me rrenimin e plotë të fshateve e të fushave, me kerdinë e popullit të pambrojtun.. Prej kështjellës, që sundonte qytetin mesjetar, shiheshin fshatet krejt flakë, të cilat diftojshin përparimin e akinxijve turq.
Në vjetin 1467 ndodhi diçka me randësí për Kishën e për popullin shqiptar. Âsht vjeta kur, si rrjedhim i nji inkursioni turk, qyteti qe braktisë e qytetarët u bartën mbi kodër, mbrenda kështjellës, ku jetuen deri kur, me 1479, merguen në Venedik. Âsht vjeta kur në traditën e Shkodrës kujtohet shpërngulja e Fugures Shęjte të Zojës së Këshillit të Mirë. Âsht vjeta kur fugurja shfaqej në Gjenacan, e shoqnueme prej dy shkodranëve, Gjergji e Shkjau (Giorgi e De Sclavis).
Mbasi venedikasit ja patën dorëzue Shkodrën turqve, me nënshkrimin e traktatit të paqes të 25 janarit 1479, nuk qe mâ e mundun me pasë lajme që të provojshin shpërnguljen e Fugures Shęjte dhe traditën e lidhun me `tę në Shkodër.
Ipeshkvi Dillon vrén se «nji ngjarje me nji shenj paralajmues kaq fatzí, duhet të ketë depërtue thellë në zemrat e Shqiptarëve të mjerë, që nuk kishin mundësí të mergojshin», kurse «ata që nuk ndigjuen me mohue fenë e të parëve, do të kenë marrë në nënshtrimin e vet gjykimin e drejtë të Perendisë për vendin e tyne, dhe prandej janë lidhë mâ ngusht përreth fesë së vet».
Prandej nuk qe e mundun për nji kohë të gjatë me pasë lajme të sakta rreth traditës vendase shqiptare, në lidhje me shpërnguljen: Ishte e pamundun, sepse të gjithë të huejt shiheshin me dyshim. Kah gjysma e shekullit xviii diçka lëvizi, dhe pati disa hapa prej ane së njerëzve që mund të jepshin njoftime mâ të hollësishme.
Relacioni i parë qe dërgue prej Kontit e Kapidanit Stefano Medin me 25 korrik 1745, Giovanni Battista Medin-it. Aty dishmohet prania në Shkodër e nji kishe të rrenueme kushtue «Shęjtes Nuncjatë», e cila bante mrekullí, ndër `to edhe përpjekje të ndryshme e të kota për me e kthye në xhamí. Ndërsa, për sa dihet prej traditës, disa banorë të qytetit të Shkodrës thoshin se kjo Fugure Shęjte kishte qenë bartë, e disa të tjerë pohojshin se ishte nisë vedi.
Mbas dý vjetësh, me 1747, gjindej në Romë, në Kishën e Aracoelit, në të cilën po kremtohej Tetëshja për kanonizimin e Shën Pjetrit Regalato, Kola i Ndoc Kamsit, «fisnik i Qytetit të Shkodrës, e Provanik i nandë Kishëve, që gjinden në afërsí të Qytetit të sipërthanun për Misionarët Papnorë, dhe Ipeshkvijt e dërguem prej Kongregatës Shęjte të Propaganda Fide». N'atë vjet, tue mos dijtë italishten, nuk mujti me kumtue drejtpërdrejt dishminë e vet dhe kjo kje bâ prej abatit Dom Gaspër Curri, që kryente detyrën e përkthyesit dhe që shoqnonte Kolë Kamsin. Me 9 fruer 1748 Kola i Ndoc Kamsit, tue e pasë mësue në mënyrë të mjaftueshme italishten, lëshoi nji dishmí në të cilën përsëritte çka kishte deklarue me 1747.
Mâ vonë kemi të tjera dishmí, ndër të cilat ajo e Atit Giampiero da Bergamo O.M. Prefekt Papnor i Misioneve të Kastratit e i Parë i Kuvendit të Françeskanëve të këtij qyteti, e 16 korrikut 1878, që jep nji përshkrim interesant dhe të hollësishëm të rrenojave të kishës. Nji hollësí për t'u vrejtë âsht zgavra që si përmasa ju përgjegjte atyne të pikturës së nderueme dhe që gjindet në Gjenacan. Ndërsa dy dritore të nji kthine «kanë arkitrenë me hark të mprehtë të stilit gotik». Me këtę provohet se stili dhe koha e ndërtimit, para pushtimit turk, kanë qenë të gjashme me ata të katedrales së Shën Shtjefnit e të kishave të Sh. Shirgj e Baht e të Sh'Mërisë. Në ketë dokument shenjohet dyndja aty, jo vetëm e besimtarëve katolikë, por madjč edhe të vetë myslimanëve «për me pasë përfitime shpirtnore e shekullore».
Ky relacion kje hartue prej Atit Mariano da Palmanova O.M., nënshkrue prej anëtarëve të komisionit dhe legalizue nënshkrimet e tyne prej Argjipeshkvit të Tivarit e Shkodrës, Imz Karl Pooten.
Me 17 dhetor 1878, Imz. Engjëll Radoja, lëshonte nji tjetër dishmí me randësí në lidhje me vendosjen e kishës, të quejtun kishëz, në të cilën gjindej «Fugurja e Zojës së Shkodrës – Fuguria e Zois Sckoders». «Me të vërtetë kjo Kishëz, si sot, si atëherë, gjindej në njenën ndër lagjet e jashtme, të quejtun qysh prej vjetve të parë të vershimit të tmershëm të turqve – Ali-Begh-Mahâlasi. Kjo lagje, sot gjashtëdhetë vjet, ishte plot me shtëpia e banorë të gjithë Myslimanë». Kjo, sepse në atë kohë katolikët e kishin të ndalueme rreptësisht që të banojshin në qytet.
Dishmia e Imz. Radojës na jep, përveç kësaj, njoftime interesante, prej të cilave disa pasqyrojnë atę që thotë tradita mbas rrethimit të 1478-79. «Turqit…, posa u banë të zotët e Shkodrës, mâ keq se vandalët, prishën mbishkrimet e shenjat që do të kujtojshin Fenë e Krishtenë, dhe dogjën librat e gjanat e tjera shkencore e fetare»:Përveç kësaj vijon tue pohue se «Nuk âsht e vërtetë mandej me pohue se të krishtenët me pushtimin turk ose i ranë mohit fesë, ose ata që deshën me qindrue në fé u strehuen ndër male ose ikën në Italí. Kjo dihet për disa, por jo për të gjithë. Shumë sish patën leje me banue në Zus, Tebuenë, Berdicë, Kuç e Rrmanj, vende shumë afër qytetit».
Gjendja fetare në Shqipní gjatë pushtimit osman ishte bâ e padurueshme. Kah fillimi i shekullit xviii, përfundue `600-shi, shekulli i apostazisë së madhe, përpara nji vargu parregullsísh të vrejtuna në Kishën Shqiptare, kler e besimtarë të asaj kohe, u bâ e detyrueshme mbledhja e Kuvendit të Parë të Arbënit në Merqinjë, pranë Lezhe, me 1703. Ketë kuvend e ndoqën edhe dy të tjerë: i dyti (1871) dhe i treti (1895). Të dy, të mbledhun në Shkodër, parashtrojnë e pasqyrojnë rishtas të gjitha ato parregullsí të kundrueme në Kuvendin e parë. Këto parregullsí duhet t'u shkruhen ndër të tjera edhe vështirësive që i paraqiteshin Kishës, ndër të cilat korrupsioni i autoriteteve turke dhe pengesat e shtimuna ndërmjet që të mos rregullohej gjithçka shkonte kundër shestimeve të Kishës. Gjithashtu, Kuvendi i Tretë (1895) propozoi si mbrojtëse e pajtore të Shqipnisë Virgjinen Nanë të Këshillit të Mirë, e njohun përgjithësisht si Zoja e Shkodrës. Ky vendim u mor njizani dhe iu parashtrue Atit të Shęjt, Papës Leonit xiii, papa i Rerum Novarum, dhe jo vetëm mori pëlqimin, por përveç kësaj kje shpallë 26 Prilli si ditë kremtje për dioqezet e Shqipnisë.
Tue kenë se gjatë pushtimit turk nuk ishte i lejuem në mënyrë të preme rindërtimi i kishave të rrenueme gjatë shekujve, aq mâ pak zbatimi i punimeve për meremetimin e tyne, u desh të mbërrihej deri mbas pavarësisë së Shqipnisë prej zgjedhës turke (28 Nandor 1912) për me nisë rindërtimin e Shęjtnores së kushtueme së nderuemes Zojë të Shkodrës.
Pikërisht me 1917, në kulm të Luftës së Parë Botnore, qenë nisë punimet.
Me 23-26 prill 1917, u kremtue me madhështí 450 vjetori i shpërnguljes prej Shkodre i Fugures Shęjte. Në atë rasë morën pjesë në kremtim Argjipeshkvi i Shkodrës, Imz. Jak Serreqi, Argjipeshkvi i Durrësit, Imz. Prend Bjanku, Ipeshkvijtë e Lezhës e të Zadrimës, Imz. Luigj Bumçi e Imz. Gjergj Koleci. Ishin të pranishëm, përveç autoriteteve vendase, Kryekomandanti i Korparmatës xix austro-hungareze, Gjenerali Ignatius Trollmann, G. v. Bolberitz, Konsulli i Përgjithshëm August Ritter von Kral, i cili gjatë Luftës së Parë Botnore zente kambën e Komisarit Civil në Shqipní dhe Konsulli Karl Halla.
Për me gazmue gjithçka ndihmuen banda ushtarake austriake, ajo qytetse dhe Schola Cantorum e katedrales së Shkodrës.
Për rindërtimin ndihmuen njizani e me zemërgjanësí populli i Shkodrës dhe i fshateve të Arkidioqezës. Përveç ipeshkvijve, klerit e autoriteteve qytetse dhe krejt popullit, u bashkuen në mënyrë kuptimplote teologët shqiptarë pranë Universitetit të Innsbruck-ut në Austrí, të cilët me anën e nji fushate në shtypin austriak mbërrijtën me mbledhë nji shumë të randësishme.
Toka mbi të cilën gjindeshin germadhat e shęjtnores së lashtë, mbi nji sipërfaqe prej 10.262 m2 me nji vlerë 7.500 koronash austriake, i dhurohej prej Komandës së Naltë të Korparmatës xix austriake, Argjipeshkvisë së Shkodrës. Për me ligjësue ketë akt, qe hartue nji dokument pronësie që, me 7 korrik 1917, i qe dorëzue Argjipeshkvit të Shkodrës, Imz. Jak Serreqit. Qe hapi i parë. Mâ vonë, me 31 korrik, qe bekue guri i parë, ndërsa me 17 gusht, në praninë e Argjipeshkvit të Shkodrës, të Baroneshës Mari, bashkëshorte e Gjeneralit Trollmann dhe të nji numri të madh oficerësh, vetë Gjenerali, zbriti në gropën e themeleve, vendosi gurin e parë me nji pergamenë mbrendë, dhe mbasi shtroi llaçin, me nji mistrí të vogël, pati përgëzimet dhe falënderimet e Imz. Argjipeshkvit për zellin e treguem për rindërtimin e Shęjtnores së Zojës së Këshillit të Mirë.
Me 1944 erdhën kohë të zymta për Kishën dhe Kombin shqiptar. Shteti komunist, marksist-leninist e prandej ateist, u sul me furí kundër gjithçka përfaqësonte katoliçizmin në Shqipní. Qenë shkatrrue institucionet fetare, shkollat, plaçkitë bibliotekat, muzetë dhe të gjitha veprat kulturore që ishin zhvillue në Shqipní prej Kishës, e cila mbante parësinë e plotë në ketë fushë qysh prej mesjetës dhe mâ përpara. Dhe Shkodra, qendër e katoliçizmit, qe qyteti mâ i përndjekun me vrasjen në masë të meshtarëve e të shekullarëve, vetëm për besnikinë e tyne kundrejt besimit të vet fetar dhe parimeve të krishtena. Kurse me «revolucionin kultural» të tipit kinez, përndjekja fetare mbërrinte kulmin e vet me mbylljen e të gjitha kishave, shkatrrimin e tyne ose shndërrimin në pallate sporti ose në depo shtetnore. N'atë rasë i erdhi radha Shęjtnores së Zojës së Këshillit të Mirë, që të pësonte barbarizmin «kultural». Përveç se u rrafshue ndërtesa, qenë nxjerrë mbetjet e Argjipeshkvit të Shkodrës, Jak Serreqit, i vorruem mbrenda kishës, dhe tretë në lumin që rrjedh aty pranë. Ashtu si patën bâ me mbetjet e Poetit tonë Kombtar, Atit Gjergj Fisha O.F.M.
Me kthimin e ligjshmënisë në Shqipní, me shembjen e regjimit komunist dhe vendosjen e demokracisë kaq të pritun, filloi nji punë e vijueshme dhe e dendun për me rindërtue gjithçka mund të shpëtohej. Shumë u paraqitën për rindërtimin e kishave, kusht paraprak për rindërtimin e ndërgjegjeve, të damtueme randë prej nji ideologjie shterpe si ishte marksizëm-leninizmi.
Do të rilindte edhe Shęjtnorja e Zojës së Shkodrës. Me projekt e përmasa të njajta, si kishte qenë para shembjes.
Dhe erdh dita e lumë. Ati i Shenjtë Gjon Pali II, në prak të vizitës historike në Shqipní, që posa kishte pështue prej komunizmit, shkonte në Gjenacan për me nderue Fugurën e Zojës së Këshillit të Mirë.
Kur erdh në Shkodër bekoi gurin e parë për rindërtimin e dytë të Shęjtnores. Kjo ndodhte me 25 Prill 1993, ditë kur populli shqiptar në tanësinë e vet, pa dallime, myslimanë, ortodoksë e katolikë kishte vershue ndër rrugë e sheshe të qyteteve për me pritë, me mikpritjen e vet tradicionale e me zemër të pastër, Mikun e Madh të Shqipnisë e të Shqiptarëve.
Qysh me 10 mars 1991, kur zente fill shembja e regjimit orlig komunist, shqiptarja Nanë Terezae Kalkutës, mbasi kishte marrë lejen, të mohueme kaq e kaq herë kur desh të shihte, endč gjallë, nanën e motrën e vet, kishte ardhë për vizitë në Atdheun e vet e ulej me u lutë mbi rrenojat e Shęjtnores së Virgjines Nanë të Këshillit të Mirë.
Ky vend i shenjtë kulti pati për mecenat nji shqiptar të mergimit historik, ruejtës i traditave kombtare e shpirtnore të zanafillës së vet, Imzot Simeone Duca, pasardhës i merituem i Kolonisë së Arbëneshit (Borgo Erizzo) të Zarës, koloní shqiptarësh që, në shekullin xviii, e mirëpritun prej Republikës së Venedikut, zuni vend në lagjen që prej Fisnikut Erizzo mori emnin.
Populli shqiptar shprehë mirënjohjen e vet kundrejt Imzotit Duca dhe e falënderon, tue i pasë kthye ky kultit, me zemërgjanësinë që e dallon, njenën ndër shęjtnoret e mëdhaja që gjinden në dheun e Shqipnisë, objekt i nji përshpirtnie të përvujtë e të flakët, jo vetëm për katolikët, por edhe për besimet e tjera që janë në Shqipní.
Si përfundim na duket se, për nji Shęjtnore të shkatrrueme në rasa të ndryshme e të rindërtueme mandej, të jenë kuptimplote fjalët e Tęnëzot drejtue Sh'Pjetrit:
"et portae inferi non praevalebunt"
Tetor 1997







All the contents on this site are copyrighted ©.