2010-04-26 15:47:35

Sot me 26 prill kremtohet Zoja e Këshillit të Mirë, Pajtore e Shqipërisë


(26.04.2010 RV)Sot u kremtua një nga të kremtet më të dashura për besimtarët katolikë shqiptarë: Festa e Zojës së Këshillit të Mirë, e njohur edhe si Zoja e Shkodrës. Në Qytetin e Veriut që prej kohëve të lashta nderohej me përkushtim të veçantë, një figure e mrekullueshme e Zojës. Është ajo figure që sot ndodhet në Gjenacan të Italisë.
Historia e saj, është vetë historia e katolicizmit ndër shqiptarë, katoliçizëm i cili, me vdekjen e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, më 1468, nisi udhën e vet të kryqit. Në sa një pjesë e madhe e banorëve, gjatë pesë shekujve të robërisë, do të shtrëngohej të ndërronte fe e një pjesë tjetër do të merrte rrugët e mërgimit, vetëm një pakicë do të mbetej besnike, duke vuajtur porsi gjarpri nën gur për shekuj e shekuj. E pikërisht në këtë kohë, sipas gojëdhënës, figurja e Zojës u shkëput nga muri i Shenjtnores rrëzë Këshjellës së Rozafës, për të mos u dhunuar nga hordhitë anadollake dhe, e mbartur nga ëngjëjt, mbështjellur nga një re, u ndalua në Gjenacan, afër Romës.
Gojëdhëna tregon edhe se Figurën e mrekullueshme e përcollën dy shkodranë, rojtarë të shenjtërores, e ndërsa ecnin me sytë lart, pa u kujtuar as ata vetë, e kaluan në këmbë detin Adriatik. Si arritën në Romë, figura u zhduk nga sytë e tyre. Por nuk vonoi e në të gjithë Italinë u hap zëri se një figure e mrekullueshme kishte zënë vend në muret e Shenjtnores së Gjenacanit, ku me ndërmjetësinë e saj po kryheshin mrekulli të panumërta. Ishte data 25 prill 1467.
Që asokohe nisën shtegtimet e besimtarëve drejt Gjenacanit, e Zoja jonë e Këshillit të Mirë, Pajtorja e shqiptarëve, nisi të nderohej edhe në Itali, Gjermani, Austri e më vonë edhe në kontinente të tjera, me të njëjtën figure, që vijon të nderohet në Gjencan. Një fill i artë, pra, i lidh dy shenjtëroret: Shenjtnoren Kombëtare të Shqiptarëve në Shkodër e Shenjtëroren e Zojës në Gjencan, ku vijojnë për ditë e për vit shtegtimet e besimtarëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.