(25.04.2010 RV)Në Meshën e kremtuar nga kardinali vikar i Romës, Agostino Valini
në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, u shpall sot i Lum meshtari karmelitan Anxhelo
Paoli. Riti i Lumnimit u kryesua nga prefekti i Kongregatës për çështjet e Shenjtorëve
dhe përfaqësuesi i Papës, imzot Anxhelo Amato. I Lumi i ri lindi në Arxhiliano
të Toskanës, më 1 shtator 1642, në një familje të krishterë, që e quajti Françesk.
Sëbashku me të vëllain, Tomazo, veshi rroben e karmelitanëve më 1 dhjetor 1660 në
kuvendin e Sienës, dhe mori emrin Anxhelo (Engjëll), për nder të shenjtit karmelitan
Anxhelo i Likatës. Mori kushtet e përjetshme më 18 dhjetor 1661 dhe shkoi në Piza
për studimet e filozofisë. U shugurua meshtar më 1667. Ndodhej në kuvendin e Firences,
ku kishte shkuar për studime të mëtejshme, të cilat i la për t’iu kushtuar kujdesit
për të varfërit. Nga ajo kohë u spostua disa herë e bëri disa profesione, si mësues
gjuhe, organist e diakon, por thirrja e tij kryesore ishte t’u shërbente të varfërve
e të sëmurëve. Në Siena e në Montekatini ngriti kuzhina fushore. E quajtën “Atë Bamirësia”.
Fama e dashurisë së tij për të afërmin, por edhe thellësia e formimit doktrinor e
besnikëria ndaj rregullës karmelitane, bënë që Eprori ta niste për në Romë, drejt
Shtëpisë së përgjithshme të karmelitanëve. Atë Anxhelo u nis, por ndërsa hynte në
Romë nga Porta e Popullit, Zoti i çoi një lebroz, që frati e pastroi nga plagët, pasi
e përqafoi. Kjo shënoi gjestin e parë të shërbimit të tij në Romë. Pranë kuvendit
ku qëndronte, organizoi shpërndarjen e përditshme të bukës e të një pjate gjellë,
ndihmonte çdo person që trokiste në dyert e kishës, sidomos në situata të vështira
për qytetin, siç ishin përmbytjet e lumit Tiber. Pati kujdes të veçantë për të sëmurët
e spitalit Shën Gjoni dhe ngriti një strehë për të varfërit pranë bazilikës së Shën
Klementit. Ndërroi jetë më 28 janar 1720, në moshën 78 vjeçare. Një turmë e jashtëzakonshme
mori pjesë në funeral. Është i pari që vendosi kryqin në Koloseum, duke u bërë pararendës
i Udhës së Kryqit që kremtohet aty çdo vit, të Premten e Madhe.