2010-04-26 15:54:22

Më 25 prill Kisha kremton festën e Shën Markut, ungjilltar


Më 25 prill Kisha kremton festën e Shën Markut, autorit të Ungjillit më të lashtë. Benedikti XVI: “Udhë katekumenale” që çon në thelbin e mesazhit të Jezusit.
Për Kishën 25 prilli është dita e festës kushtuar Shën Markut Ungjilltar. Shenjti është Pajtor i Venedikut – ku reliket tij pushojnë në paqe në bazilikën me të njëjtin emër e ku sot paradite Patriku i nderit, kardinali Marko Çe, kremtoi Meshën solemne. Shën Marku është njeriu që shkroi katekizmin e Shën Pjetrit për bashkësitë e para të krishtera, duke hartuar kështu Ungjillin më të vjetër kanonik. Gjatë magjisterit të tij, Benedikti XVI e kujton disa herë Apostullin Ungjilltar.
Në të gjitha epokat e njerëzimit janë të paktë shkrimtarët që hartuan vepra, të cilat përshkuan shekuj e hapësira, duke u ribotuar, duke u përkthyer e duke u studiuar në të katër anët e tokës. Këtë fat pati Ungjilli i Markut, që u shkrua rreth vitit 70 pas vdekjes së Krishtit. Titullohej: To Euaggelion” – “Lajmi i mirë”.
Për bashkësitë e para të krishtera, Marku ishte ‘hija’, që ndiqte hap pas hapi shtegtimet e dy apostujve të mëdhenj: Palit të Tarsit e, më pas, Simon Pjetrit. Duket se kishte detyrën e sekretarit, kopistit e përkthyesit, që dinte mirë greqishten e që iu kushtua punës për t’i bërë fjalë të shkruara, mësimet gojore të prijësit të parë të Kishës. Kur Pjetri vdiq, në vitin 64, Marku kuptoi sa vlerë kishte materiali i mbledhur për vite me radhë, pa asnjë kriter. Iu vu, atëherë, punës dhe, pas gjashtë vjetësh, realizoi atë, që do të ishte Ungjilli më i lashtë. Ungjilli sipas Markut përshkruan skenën, në të cilën fiton pjekurinë thirrja e të Dymbëdhjetë Apostujve - Galileja, tokë e njerëzve të varfër, që nuk vlerësohej nga judejtë, por që Jezusi e zgjedh si teatër të misionit të tij. Përvujtëria, në kontrast me mburrjen e njerëzve, është tipar i përhershëm i jetës së Krishtit. Njerëzit që zgjedh janë peshkatarë, jeta e të cilëve tronditet nga tri fjalë: “Pendohuni, besoni dhe lajmi i mirë” – që lidhen ngushtë ndërmjet tyre. Kuptimi më rrënjësor i pendesës është ndjekja e Krishtit. Të pendohesh nuk do të thotë thjeshtë të bësh kthesë morale në jetë. Pendesa është më tepër një orientim i ri i jetës drejt personit të adhuruar të Zotit Jezus, është hapje e plotë e shtigjeve të jetës për Jezusin, është dhurim i jetës për Krishtin. Sepse sundimi i Jezusit mbi nxënësit e vet është një akt që nuk shtyp, por çliron, që kërkon përgjigje të menjëhershme e të plotë, që të fton ta ndjekësh.
Kështu shkruhet në Ungjillin e Markut, i cili ka për qëllim t’ua paraqesë besimtarëve të rinj Jezusin si ‘Mesia i pritur’. Është një tekst i treguar me gjuhë të thjeshtë, të përshtatshme për atë që nuk e njeh Krishtin por që, përmes tregimit të fjalëve të Tij e të ngjarjeve të jetës së Tij, mund të arrijë tek zbulimi i forcës përtëritëse të mesazhit. Duke u mbështetur tek Ungjilli sipas Markut, patriku i Venedikut, Marko Çe, i pati predikuar ushtrimet shpirtërore Papës dhe Kuries Romake në Krezhmët e 2006-tës. Në përfundim të tyre, më 11 mars, Benedikti XVI, duke e falënderuar, theksoi:
“Na bëtë të vëmendshëm ndaj Mësuesit shpirtëror; na ndihmuat ta dëgjojmë Mësuesin, që flet me ne e në ne; na ndihmuat t’i përgjigjemi, të flasim me Zotin, duke dëgjuar fjalën e Tij. Na pritë në këtë udhë ‘katekumenale’, që është Ungjilli i Markut, në një shtegtim të përbashkët me dishepujt, drejt Jeruzalemit, e na siguruat përsëri se në barkën tonë, pavarësisht nga shqotat e historisë – është vetë Krishti!”.
Kujtojmë se festa e Shën Markut, nën titullin e Pajtorit të Venedikut, ndikoi në shtyrjen e kremtimit të Zojës së Shkodrës. Zoja nisi të kremtohej më 26 prill që kur Kështjella Rozafa ra në dorë të venecianëve të cilët, duke dashur t’i kremtojnë të dyja festat, e lanë festën e Shën Markut me 25 prill, kur e kremtonte Venediku, ndërsa e shtynë për një ditë më vonë festën vendase të Zojës së Kështjellës.







All the contents on this site are copyrighted ©.