2010-04-26 17:38:02

Atë Lombardi sqaron lidhur me pjesëmarrjen e Vatikanit në projektin ndërkombëtar të kërkimeve shkencore mbi qelizat burimore adulte.


(26.04.2010 RV)Përsa u përket lajmeve, që qarkulluan pak ditë më parë, lidhur me mbështetjen financiare prej 2 milion eurosh të projektit të kërkimeve shkencore mbi qelizat burimore adulte të zorrëve, nga ana e Vatikanit, në kuadrin e një marrëveshjeje ndërmjet Italisë e SHBA-ve, atë Federiko Lombardi – i pyetur nga disa gazetarë – për të shmangur çdo keqkuptim të mundshëm, sqaroi se në këtë çast nuk ka të dhëna lidhur me kontributet e institucioneve, që kanë të bëjnë me këtë nismë, siç rezulton nga komunikata e botuar të premten e kaluar, në përfundim të takimit të një grupi ndërkombëtar pune, mbajtur pranë Institutit të Lartë të Shëndetësisë, për të përgatitur vijat e projektit.
Takim, gjatë të cilit institucionet dhe punonjësit e kërkimeve shkencore nënshkruan një marrëveshje. Ishte i pranishëm edhe kardinali Renato Rafaele Martino, që i siguroi pjesëmarrësit për vëmendjen dhe impenjimin e Kishës në mbështetje të kërkimeve, në të gjitha drejtimet e mundshme, duke theksuar se shkenca është, mbi të gjitha, mjet në shërbim të njeriut, për t’ia mbrojtur jetën e për t’ia lehtësuar vuajtjen.

Ndërsa aspekti i financimit mbetet për t’u thelluar më pas – saktësoi atë Lombardi. Është e vërtetë se Spitali i ‘Krishtit Fëmijë” është institucion i Selisë së Shenjtë e, prej këndej pjesëmarrja e tij konkrete në kërkimet shkencore, mund të shikohet si kontribut vatikanas, por si e sa do të ndihmohen këto kërkime, nuk është përcaktuar ende. Siç dihet, Kisha – kujtoi akoma atë Lombardi – ka qenë gjithnjë kundër përdorimit të qelizave burimore embrionale (sepse një përdorim i tillë ka të bëjë me shkatërrimin e papranueshëm të embrioneve), por ka pranuar vazhdimisht se janë plotësisht të lejueshme kërkimet shkencore dhe përdorimi i qelizave burimore, të siguruara nga indet e njerëzve të rritur, siç ndodh pikërisht në këtë rast. Dallimi është themelor në këndvështrimin etik.







All the contents on this site are copyrighted ©.