Sot më 25 prill kalendari Kishtar feston Shën Markun, ungjilltar
Për Kishën katolike 25 prilli është dita e festës kushtuar Shën Markut Ungjilltar.
Shën Marku është njeriu që shkroi katekizmin e Shën Pjetrit për bashkësitë e para
të krishtera, duke hartuar kështu Ungjillin më të vjetër kanonik. Në të gjitha
epokat e njerëzimit janë të paktë shkrimtarët që hartuan vepra, të cilat përshkuan
shekuj e hapësira, duke u ribotuar, duke u përkthyer e duke u studiuar në të katër
anët e tokës. Këtë fat pati Ungjilli i Markut, që u shkrua rreth vitit 70 pas vdekjes
së Krishtit. Titullohej: “To Euaggelion” – “Lajmi i mirë”. Për bashkësitë e para
të krishtera, Marku ishte ‘hija’, që ndiqte hap pas hapi shtegtimet e dy apostujve
të mëdhenj: Palit të Tarsit e, më pas, Simon Pjetrit. Duket se kishte detyrën e sekretarit,
kopistit e përkthyesit, që dinte mirë greqishten e që iu kushtua punës për t’i bërë
fjalë të shkruara, mësimet gojore të prijësit të parë të Kishës së Krishtit, Pjetrit
Apostull. Kur Pjetri vdiq, në vitin 64, Marku kuptoi sa vlerë kishte materiali
i mbledhur për vite me radhë, pa asnjë kriter. Iu vu, atëherë, punës dhe, pas gjashtë
vjetësh, realizoi atë, që do të ishte Ungjilli më i lashtë. Ungjilli sipas Markut
përshkruan skenën, në të cilën fiton pjekurinë thirrja e të Dymbëdhjetë Apostujve
- Galileja, tokë e njerëzve të varfër, që nuk vlerësohej nga judenjtë, por që Jezusi
e zgjedh si teatër të misionit të tij. Përvujtëria, në kontrast me mburrjen e
njerëzve, është tipar i përhershëm i jetës së Krishtit. Njerëzit që zgjedh janë peshkatarë,
jeta e të cilëve tronditet nga tri fjalë: “Pendohuni, besoni dhe lajmi i mirë” – që
lidhen ngushtë ndërmjet tyre. Kuptimi më rrënjësor i pendesës është ndjekja e Krishtit.
Të pendohesh nuk do të thotë thjeshtë të bësh kthesë morale në jetë. Pendesa është
më tepër një orientim i ri i jetës drejt personit të adhuruar të Jezusit Zot, është
hapje e plotë e shtigjeve të jetës për Jezusin, është dhurim i jetës për Krishtin.
Sepse sundimi i Jezusit mbi nxënësit e vet është një akt dashurie që nuk shtyp, por
çliron, që kërkon përgjigje të menjëhershme e të plotë, që të fton ta ndjekësh. Kështu
shkruhet në Ungjillin e Markut, i cili ka për qëllim t’ua paraqesë besimtarëve të
rinj Jezusin si ‘Mesia i pritur’. Ungjilli i Markut është një tekst i treguar me gjuhë
të thjeshtë, të përshtatshme për atë që nuk e njeh Krishtin por që, përmes tregimit
të fjalëve të Tij e të ngjarjeve të jetës së Tij, mund të arrijë tek zbulimi i forcës
përtëritëse të mesazhit. Gjatë magjisterit të tij, Papa Benedikti XVI e kujton
disa herë Apostullin Ungjilltar, Markun. Duke u mbështetur tek Ungjilli sipas Markut,
në Krezhmët e 2006-tës e pikërisht më 11 mars 2006, Benedikti XVI, mes tjerash theksoi: “Marku
na bën të vëmendshëm ndaj Mësuesit shpirtëror; na ndihmon ta dëgjojmë Mësuesin, që
flet me ne e në ne; na ndihmon t’i përgjigjemi, të flasim me Zotin, duke dëgjuar fjalën
e Tij. Na udhëheq në këtë udhë ‘katekumenale’, që është Ungjilli i Markut, në një
shtegtim të përbashkët me dishepujt e Mësuesit Hyjnor, drejt Jerusalemit, e na siguron
se në barkën tonë, pavarësisht nga shqotat e historisë – është vetë Krishti!”. Kujtojmë
se festa e Shën Markut, nën titullin e Pajtorit të Venedikut, ndikoi në shtyrjen e
kremtimit të Zojës së Këshillit të Mirë apo Zojës së Shkodrës. Festa e Zojës së Këshillit
të Mirë nisi të kremtohej më datën 26 prill që kur Kështjella e Shkodrës, Rozafa ra
në dorë të venecianëve të cilët, duke dashur t’i kremtojnë të dyja festat, e lanë
festën e Shën Markut me 25 prill, kur e kremtonte Venediku, ndërsa e shtynë për një
ditë më vonë festën vendase të Zojës së Kështjellës.