Atë Federiko Lombardi: Shtegtimi i Papës në Maltë një festë e mrekullueshme feje
Akoma nuk është shuar jehona e vizitës së Papës Benedikti XVI në Maltë, ku pritja
që i bënë vendasit i tejkaloi parashikimet. Qe një udhëtim, në qendër të vëmendjes
së gazetarëve, edhe për takimin e Atit të Shenjtë me viktimat e abuzimeve seksuale.
Pikërisht këtij ia kushton editorialin e sotëm zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko
Lombardi, drejtori ynë i përgjithshëm: “Udhëtimi
i parë jashtë i Papës për këtë vit ishte i shkëlqyer. Edhe një herë, shqetësimet apo
frika e vigjiljes nuk u justifikuan. Përzemërsia dhe rrënjët katolike të popullit
maltez i përgatitën Benediktit XVI një pritje spontane e të ngrohtë, që do të mbahet
mend. Ishte një gëzim në rritje, deri në shoqërimin festiv të flotiljes së anijeve
e të barkave drejt portit La Valeta dhe entuziazmit të të rinjve, këngë e vërtetë
gjallërie e shprese. Paradoksalisht, çasti që mediat botërore e prisnin
me padurim e për të cilin kanë folur më shumë është i vetmi, që u zhvillua larg syrit
të tyre, në një ambient lutjeje dhe marrëdhëniesh personale: ky ishte takimi me disa
viktima të abuzimeve seksuale. Por, ato që thanë pjesëmarrësit preku thellë shumë
njerëz: hoqën një peshë të rëndë nga zemra, filloi shërimi, rilindën besimi e shpresa.
Të mërkurën e kaluar, Papa foli për “bashkëndarjen e vuajtjes” e për “mallëngjimin”
e tij. Vetëm pak ditë më parë, pati thënë se pendesa është hir dhe, në Maltë për të
përkujtuar shpëtimin nga mbytja të Shën Palit, vuri në dukje se kjo mbytje shërbeu
si pikënisje për fenë e shpresën e banorëve të ishullit. Kështu, takimi
me viktimat ishte shenjë shprese në kontekstin e takimit të Papës me një Kishë të
gjallë e të aftë për të pranuar plagët e veta me sinqeritet, por edhe për të kërkuar
hirin e ripërtëritjes. Kishim nevojë për këtë mesazh”.