2010-04-24 16:11:12

17 vjetori i vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri


Më 25 prill, bie 17 vjetori i vizitës së parë të një Pape të Romës në Shqipëri. Më 25 prill 1993 Ati i Shenjtë Gjon Pali II vizitonte Shqipërinë. E me rastin e 17 vjetorit të vizitës apostolike të Papës Vojtila në Shqipëri, duam të kujtojmë me nderim të veçantë veprimtarinë e Papës Gjon Pali II në favor të Shqipërisë, Kosovës e të shqiptarëve kudo që ndodhen.
Po e bëjmë këtë me fjalët që vetë Ati i Shenjtë Wojtil pati thënë, së pari në sheshin Skënderbej të Tiranës, në vizitën e tij të paharruar të 25 prillit 1993, gjatë së cilës shuguroi ipeshkvijtë e parë shqiptarë të Kishës Katolike, pas komunizmit:........RealAudioMP3
Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë mbjellur farat e shpresës. Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar”.
“T’i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare”.
E pastaj për Kosovën, sidomos kur në të ndizej lufta shqiptaro-serbe, që shkaktoi kaq viktima e sakrifica për popullin shqiptar të atyre trojeve, Papa Gjon Pali II, në mesazhin e tij Urbi et Orbi, pikërisht për Pashkët e vitit 1999, pati thënë:
“I lutem Zotit të ringjallur t’i japë dhuratën e paqes, së pari tokës së martirizuar të Kosovës, ku lot e gjak vazhdojnë të përzihen në një skenar dramatik urrejtjeje dhe dhune. Mendoj për ata që janë vrarë, për ata që kanë mbetur pa shtëpi, për ata që janë larguar me forcë nga familjarët, për ata që janë detyruar të ikin larg. Të mobilizohet solidariteti i të gjithëve, që më në fund të flitet sërish për vëllazërim e paqe! Si të qëndrojmë pasivë para lumit të dhimbshëm të burrave e grave të Kosovës që trokasin në derën tonë duke kërkuar ndihmë?”.
“Në këtë ditë të shenjtë, unë e ndjej për detyrë t’u drejtohem me një thirrje të zjarrtë autoriteteve të Republikës Federale të Jugosllavisë, që të lejojnë hapjen e një korridori humanitar, i cili të mundësojë dërgimin e ndihmave për popullsitë e grumbulluara në kufirin e Kosovës. Për veprat e solidaritetit nuk mund të ekzistojnë kufij; është gjithnjë detyrë, hapja e korridoreve të shpresës”.
Në këtë ditë, pesë vjet pas vdekjes së Papës së madh Gjon Palit II, kombi shqiptar i bën homazh kujtimit dhe veprës së tij në favor të shqiptarëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.