Sot më 23 prill kalendari Kishtar përkujton Shën Gjergjin Martir.
(23.04.2010 RV) Gjergji, është një nga shenjtorët më të njohur, simbol i triumfit
mbi të keqen dhe kasnec i pranverës. Shën Gjergji lindi në Kapadokie, ku edhe u
bë oficer i ushtrisë romake. I kthyer në fenë e krishterë nga e ëma, hoqi dorë nga
ky rang. Gjatë shpërthimit të martirizimit kundër të krishterëve, u burgos dhe u martirizua.
I përballoi me një heroizëm të pashoq të gjitha torturat e edhe vdekjen, në emër të
Krishtit. Kulti i tij, shumë i lashtë, nisi të përhapej së pari në Palestinë.
Figura e Shën Gjergjit u lidh me gojëdhënën e famshme të fitores mbi dragoin, e cila
në përfytyrimin popullor simbolizonte fitoren e kristianizmit mbi dhunën çnjerëzore
të së keqes. Prandaj në ikonografi paraqitet gjithnjë si kalorës kreshnik që ndeshet
dhe mund draguan. Devocioni ndaj Shenjtit u rrit e u përhap gjithnjë më tepër
në rrjedhë shekujsh. Në mesjetë, kalorësit e zgjodhën Pajtor. Pas tyre u zgjodh edhe
Pajtor i mbretërve të Anglisë, duke nisur nga Rikard Zemërluani. Mbetet dhe sot e
kësaj dite Pajtor i shtëpisë mbretërore angleze e trojeve të saj. Shën Gjergji
është shenjt tepër i njohur edhe në Shqipëri. Devocioni i tij ka përshkuar shekujt,
duke u lidhur me zakone shumë të bukura të ardhjes së pranverës, siç është zakoni
i varjes së gemave të blertë, simbol i ringjalljes së natyrës, në dyert e jashtme
e të brëndshme të shtëpive. Këto doke simbolike, prekëse të festës së Shenjtit i përshkruan
shkrimtari i madh, Ernest Koliqi, në poezinë e njohur “Ditë Shëngjergjash”. Në
Shqipëri ndeshet dendur edhe toponimi ‘Shën Gjergj’, që dëshmon për ekzistencën e
Kishave e kuvendeve të lashta kushtuar Shenjtit në Veri e në Jug: mjafton të kujtojmë
Shën Gjergjin e Tiranës e atë të Vlorës, ku i fundit i njohur edhe në botë për bukuritë
e natyrës; e sidomos Kishën e re të Shën Gjergjit në Nënshat të dioqezës së Sapës,
që dëshmon për përtëritjen e traditave të lashta në kohë të reja.Së fundi theksojmë
se emri Gjergj është shumë i përhapur ndër shqiptarë në trajtat Gjergj, Gjergjush,
Gjush, Xhorxh, Gjorg për burrat e Gjorgjina për gratë. E mjafton të kujtojmë se dy
nga burrat më të shquar të trojeve shqiptare, mbajnë emrin e Shenjtit: Gjergj Kastrioti
e Gjergj Fishta.