2010-04-23 16:59:06

Nesër Kisha do të kujtojë pesëvjetorin e fillimit të papnisë së Benediktit XVI


(23.4.2010 RV)Më 24 prill, pesë vjet më parë, Benedikti XVI përuronte papninë e tij, duke kryesuar në Sheshin e Shën Pjetrit, të mbushur si asnjëherë me shtegtarë e besimtarë, Meshën e fillimit të papnisë. Në homelinë e gjatë e të thellë, mbajtur gjatë këtij kremtimi të jashtëzakonshëm, papa i posazgjedhur tregoi qartë atë thellësi mendimi, që do të ishte shenjë dalluese e të gjitha mësimeve të tij të mëtejshme. Rikthehemi me kujtesë në këtë ditë, për të dëgjuar sërisht fjalët më domethënëse, që u shqiptuan pesë vjet më parë, në Sheshin e Shën Pjetrit, ku ishin drejtuar sytë e mbarë njerëzimit e ku ishin ulur pranë e pranë, njerëzit më të fuqishëm të botës, miq e kundërshtarë.RealAudioMP3
Papa ka misionin t’u flasë shpirtrave. Por në se njeriu dëshiron të dëgjojë duke folur shpirtin e një pape, të prekë me dorë ndjenjat më të thjella njerëzore, mendimet më intime shpirtërore, mund ta bëjë këtë në një kohë e në një vend të papërsëritshëm: në Meshën për fillimin e papnisë, kremtim në të cilin Kryebariu i ri i drejtohet për herë të parë grigjës, si kryeprijës. Fjalët e shqiptuara në këtë ditë, janë si vetëtimë në errësirë, një rreze e fuqishme drite, që ndriçon në një çast të vetëm atë, që do të ndodhë në ditët, në muajt e në vitet e ardhshme. Në këtë kremtim të posaçëm Papa i ri ofron frytet e para të shpirtit të tij e të humanitteit të tij, të karakterit të tij e të kulturës së tij, në një sintezë, që përpiqet të gjejë fjalët e nevojshme për të komunikuar misterin privat, të cilin një tymnajë e bardhë e bëri universal: qenien Mëkëmbës i Krishtit mbi tokë e, njëkohësisht, Shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit; alfa e omega e një shërbimi, të pashoq në botë.
Pas pesë vjetësh, na rikthehet në veshë e në zemër jehona e asaj, që ndodhi në Sheshin e Shën Pjetrit, më 24 prill 2005:
“E tani, në këtë çast, unë, shërbëtor i ligshtë i Hyjit, duhet ta marr mbi vete këtë detyrë të pashembullt, që e kapërcen çdo aftësi njerëzore. E si mund ta bëj këtë? Si do të jem në gjendje ta bëj? Ju të gjithë, miq të dashur, sapo u jeni lutur aradheve të shenjtorëve, të përfaqësuar prej disa emrave të mëdhenj të historisë së Hyjit me njerëzit. Në këtë mënyrë, edhe në shpirtin tim ngjallet kjo vetëdije: nuk jam i vetem! Nuk do ta mbart i vetem këtë barrë, të cilën në të vërtetë nuk do të mund ta mbartja kurrë i vetëm. Aradhet e shenjtorëve të Hyjit më mbrojnë, më ndihmojnë e më mbajnë në krahë. E lutja juaj, miq të dashur, ndjesa juaj, dashuria juaj, feja juaj e shpresa juaj më shoqërojnë”.
Në këtë ditë Papa i ri i komunikoi Kishës sidomos një të vërtetë të madhe: Je e re. Si ata të rinj e tashmë jo aq të rinj, të cilët për ditë me radhë, në një lumë vigan e durimtar njerëzor, i dhanë puthjen e fundit e i thanë lutjen e fundit Gjon Palit II. Nën hijen e Papës së madh u ndje një fillesë e re, foli një papë i ri, fjalët e të cilit karakterizoheshin kryesisht nga përvujtëria. Në kremtimin e parë eukaristik të papnisë, Papa Racinger theksonte posaçërisht lidhjen e ngushtë ndërmjet Shën Pjetrit e Pasardhësit të Tij. Ishte një çast tepër i fortë ai i një viti më parë, kur mbi supet e Papës u vendos Palio-ja dhe iu dorëzua Unaza e Peshkatarit, dy simbolet kryesore të papnisë dhe Benedikti XVI shpalosi programin e tij para 300 mijë besimtarëve:
“Programi i vërtetë i drejtimit është ai që të mos bëj vullnetin tim, të mos ndjek idetë e mia por, me të gjithë Kishën, të vihem në dëgjim të fjalës e të vullnetit të Zotit e ta lë veten të udhëhiqem prej Tij, kështu që ta udhëheqë Ai vetë Kishën në këtë orë të historisë sonë”.
Një fjalë tjetër kyçe e Papnisë, ishte afërsia me njeriun. Vikari i Krishtit duhet ta ndjekë Mësuesin në kërkim të deles së humbur, sepse në këtë botë ka shumë shkretëtira:
“Ekziston shkretëtira e mungesës së Zotit, e zbrazjes së shpirtrave që nuk e kanë më vetëdijen e dinjitetit e të rrugës së njeriut. Shqetësimi i shenjtë i Krishtit duhet të jetë shqetësimi i bariut: ai nuk i shikon me indiferencë njerëzit e shumtë, që vijojnë të jetojnë në shkretëtirë. E shkretëtira ka një mori formash. Ka formën e varfërisë, të urisë, e të etjes, të braktisjes, të vetmisë, të dashurisë së shkatërruar”.
Afërsia me njeriun – na kujton Papa - kërcënohet nga lakmia e nga hipokrizia e pushtetit, që premton çlirim. Por, nuk është pushteti ai që të shpëton. Njeriun mund ta shpëtojë vetëm dashuria, mund ta shpëtojë Zoti që u bë qengj e që na thotë se botën e shpëton i Kryqëzuari e jo kryqëzuesit”. Prandaj – theksoi Papa i ri - thesaret e tokës nuk janë më në shërbim të ndërtimit të kopshtit të Hyjit, në të cilin të gjithë mund të jetojnë, por u shërbejnë forcave shfrytëzuese e shkatrrimtare. Kisha në tërësi, e barinjtë në gjirin e saj, ashtu si Krishtit, duhet të vihen për udhë, për t’u prirë njerëzve jashtë shkretëtirës, drejt vendeve ku ka jetë, drejt miqësisë me birin e Hyjit, drejt Atij që dhuron jetë, e jetë me begati”.
Benedikti XVI kujtoi fjalët që Jezusi ia tha Pjetrit: “Kulloti delet e mia!”.
Të kullotësh do të thotë të duash, e të duash do të thotë edhe të jesh gati të vuash. Të duash do të thotë: t’u japësh deleve atë që është vërtetë e mirë, t’i ushqesh me të vërtetën e Hyjit, me fjalën e Hyjit, me praninë e tij, me shujtën që na dhuron në të Shenjtnueshmin Sakrament. Njeriu shpesh beson se është i lirë. Ndërsa Papa na kujton se jetojmë si të sëmurë, në errësirë, në vuajtje e në vdekje. Ja, atëherë, detyra e të krishterëve:
Ne ekzitojmë për t’u treguar Hyjin njerëzve. E vetëm atje ku shihet Zoti, fillon vërtetë jeta. Vetëm kur në Krishtin takojmë Hyjin e gjallë, kuptojmë ç’do të thotë jetë. Nuk jemi prodhim rastësor e pa kuptim i evolucionit. Secili nga ne është fryt i një mendimi të Hyjit. Secili nga ne është i dëshiruar, secili është i dashur, secili, i nevojshëm. S’ka gjë më të bukur se të prekesh nga hiri i Ungjillit, i vetë Krishtit. Gjë më të bukur s’ka, sesa ta njohësh Krishtin e t’ua komunikosh edhe të tjerëve dashurinë e tij”.
“Vetëm përmes kësaj miqësie” – pohon Papa – ne provojmë gjithçka është e bukur, gjithçka të çliron.
Fjalët e fundit të homelisë ishin thirrje drejtuar besimtarëve për t’u lutur:
“Lutuni për mua, që të mësoj ta dua gjithnjë më shumë grigjën e Krishtit – ju, Kishën shenjte, secilin nga ju personalisht, e të gjithë së bashku. Të dashur miq! … lutuni për mua, që të mos ik nga frika, përballë ujqërve”.
E edhe një fjalë drejtuar të rinjve: “Kështu, sot, dëshiroj, me forcë të madhe e bindje të madhe, të nisem nga pervoja e jetës sime të gjatë, për t’ju thënë juve, të rinj të dashur: mos kini frikë nga Krishti! Ai nuk ju merr asgjë e ju dhuron gjithçka. Kush ia dhuron atij vetveten, merr njëqindfishin. Po, hapjani, në dy kanatat, portat Krishtit – e do të gjeni jetën e vërtetë. Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.