2010-04-23 17:30:54

Libri i Benediktit XVI "Jezusi i Nazaretit" edhe në gjuhën shqipe


(23.4.2010 RV)Në 5-vjetorin e zgjedhjes në krye të Kishës Katolike të Papës Benediktit XVI-të, organizuar nga Nunciatura Apostolike në Shqipëri, sot në Tiranë pranë hotelit Sheraton, u prezantua para publikut shqiptar libri i Atiti të Shenjtë Jozef Racinger "Jezusi i Nazaretit".
Shtëpia botuese "55" e ka sjellë për lexuesin shqiptar këtë vepër kërkimore disavjeçare, përkthyer nga Ferdinand Leka, pikërisht kur sot përkujtohet "Dita Botërore e Librit" në një ceremoni ku merrnin pjesë kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, ministri i brendshëm Lulzim Basha, Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë e kryeipeshkvi i Tiranës imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkvi i Shkodrës imzot Angelo Massafra, ipeshkvi i Sapës imzot Lucjan Acgustini, ipeshkvi i Rrëshenit imzot Palmieri, ipeshkvi ndihmës i Tiranës imzot Frendo, figura të shquara të politikës, letrave shqipe dhe teologë, fortlumturia e tij kryepeshkopi Janullatos, kryetari i komutetit Myslima të Shqipërisë inxh. Selim Muça, përfaqësues të Kryedgjyshatës botërore Bektashiane e të tjerë etj.
Nëpërmjet një sërë pyetjesh retorike që i jep dije lexuesit, Benedikti i XVI-të ka thënë në parathënien e librit se: "kam dashur të bëj përpjekjen për ta paraqitur Jezusin e Ungjijve si Jezusin real, si "Jezusin historik" në kuptimin e vërtetë dhe të mirëfilltë të fjalës".
Nunci Apostolik i Vatkanit pranë Shtetit të Shqipërisë në Tiranë, kryeipeshkvi imzot Ramiro Moliner Ingles i pranishëm në promovimin e librit tha ekskluzivisht për ATSH-në se "libri i Papa Benediktit të XVI-të, i teologut Ratzinger është fryt i një studimi prej disa dekadash".
Ai shtoi se "jo vetëm në Itali ku edhe pa dritën e botimit për herë të parë, por në të gjithë botën, libri “Jezusi i Nazaretit” është shtypur në më shumë se tre milionë kopje në shumë gjuhë të botës. Tetë muaj pas botimit, ky libër është ribotuar plot tre herë", përfundoi Nunci Apostolik, Ingles.
Botuesi i "55"-ës, Fahri Balliu shtoi se”Jezusi i Nazaretit” "është një libër që i përket njeriut. Çdo libër ka vlerat e veta, por ky libër ka vlera të veçanta".
Me rastin e botimit në gjuhën shqipe të libri të Papës Benediktit XVI “Jezusi i Nazaretit”, po kujtojmë se kjo vepër e Atit të Shenjtë u paraqit në Vatikan më datën 13 prill të vitit 2007.. Botimi u bë pak ditë para datës 16 prilli, kur Papa Racinger kremtojë 80-vjetorin e ditëlindjes.
Libri “Jezusi i Nazaretit “ është fryt i reflektimit të gjatë, i kërkimit shkencor kulturor, i meditimit e i përvojës së thellë baritore në fenë e krishterë. Duke e lexuar, e kuptojmë menjëherë pse Papa Benedikti XVI donte ta shkruante patjetër këtë libër, megjithse pesë vjetët e fundit detyrat tepër të rëndësishme në drejtimin e Kishës universale ia zënë gjithë ditën.
Jeta, mendja e zemra e këtij besimtari, që është sot Papa ynë, vijojnë të përqëndrohen mbi atë që ka qenë e është detyrë e dorës së parë: të njohë e të dëgjojë Krishtin, për të hyrë në lidhje të gjallë e të thellë me Të e për të kuptuar atë që deshi të na sjellë Jezusi: njohjen e Hyjit. Paradoksalisht, ndërsa ai vetë na thotë se ky libër nuk është dokument i magjisterit papnor, por fryt i impenjimit të tij teologjik personal, ne e kemi të qartë se duke lexuar këto faqe marrim në dorë çelësin e çmuar për t’i kuptuar më mirë shumë aspekte të papnisë së tij: homelitë e tij, katekizmin e të mërkurave në audiencat e përgjithshme, stilin e tij të drejtimit e të regjimit të jetës, në një farë mënyre kuptojmë edhe detyrat e tij të dorës së parë e disa nga rrugët që zgjedh në drejtimin e Kishës.
E dimë mirë kush është Papa, ç’është themelore për të, e prej këndej, ç’dëshiron t’u thotë të gjithë atyre që besojnë në Jezu Krishtin, burrave e grave të sotme. I shprehim mirënjohjen tonë të thellë për këtë dhuratë të çmueshme në këtë periudhë të veçantë.
Pa pak fjalë mund të themi se me këtë libër “Jezusi i Nazaretit” Benedikti XVI shkon drejtpërdrejtë në zemër të fesë. Për të na e shpjeguar këtë, ja një reflektim i kardinalit Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit:
“Pa dyshim, figura e Krishtit, madje Dëftimi i Krishtit, është themeli i fesë sonë, është në qendër – siç thotë edhe vetë autori – është leva e historisë. E përballë diskutimit të kohëve tona, që është rindezur pikërisht rreth figurës së Krishtit, rreth personalitetit të Jezusit të Nazaretit, diskutim i cili nganjëherë hyn në rrugë të gabuara edhe për shkak të padijes së shumë njerëzve, që mendojnë se kanë të drejtë e aftësi të flasin për gjëra të cilat, për fat të keq, nuk i dinë, Papa na jep mendimin e vet për Krishtin.
Papa është njeri i pasionuar pas Krishtit, është njohës i thellë i Jezu Krishtit e i krishterimit. Kujtojmë librin e tij të parë ‘Hyrje në krishterim’, që mund të lexohet me shumë fryt. E sot na jep këtë panoramë, këtë thellim në figurën e Krishtit. Na ofron Krishtin si çelës për shpjegimin e jetës, të fatit të çdo njeriu e të mbarë njerëzimit. Na e përshkruan Krishtin si mik të këtij njerëzimi në shtegtim, të këtij njerëzimi që ecën i trazuar nëpër udhët e historisë, të këtij njerëzimi – që ka etje për amshim e për gjëra që i japin kuptim jetës”.
Librin “Jezusi i Nazaretit”, Papa teolog e kishte nisur ta shkruante para se të zgjidhej në fronin e Shën Pjetrit. Pjesët kulmore të librit – i cili tashmë është edhe në duart e shqiptarëve, përveç të mijëra njerëzve në të katër anët e botës, sepse i përkthyer në gjuhët kryesore dhe i shtypur në një numër shumë të madh kopjesh – shpjegohen edhe nga Kryeipeshkvi i Vjenës.
Mes tjerash kardinalin Kristof Shënborn thotë. “Sigurisht ne jemi mësuar me libra të tipit personal të dalë nga penë papnore. Gjon Pali II na ka mësuar në një farë mënyre me një gjë të tillë: kryesisht me libra kujtimesh. Por ky libër është diçka tjetër: është një meditim i gjatë teologjik, shpirtëror, personal mbi Jezusin e Nazaretit; kjo tipologji është e pazakontë për një papë. E Benedikti XVI e merr me bindje të plotë lirinë të thotë se është jo vetëm e drejtë, por edhe detyrë e tij të flasë për Jezusin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.