2010-04-22 14:51:31

Çelësi i fjalëve të Kishës: ç’është “thirrja” (emisioni i 48-të)


(22.04.2010 RV)Të dashur dëgjues, të dielën e ardhshme është Dita e 47-të Botërore për Thirrjet në jetën e shuguruar. Mesazhi i Papës Benedikti XVI për këtë ditë e përqendron vëmendjen mbi temën “Dëshmia zgjon thirrje”. Por ç’do të thotë “thirrje”. Pikërisht kjo është fjala për të cilën do të flasim sot.


“Thirrja” është një term kishtar që vjen nga fjala latine “vocare”, “për të thirrur”, dhe përdoret për të treguar përvojën e një misioni kryesisht fetar. Në Bibël, tregimet për thirrjet janë të shumta dhe venë në dukje fizionomitë e figurat e ndryshme njerëzore të destinuara për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit. Ajo që i bashkon të gjithë është përparësia e Fjalës së Hyjit, i cili e kërkon personin, pra e thërret atë: madje, për Jereminë e Palin thuhet se Zoti i pat thirrur që në bark të nënës. Edhe ata që nuk e kanë mendjen, ose nuk besojnë në Zot, mund të tërhiqen nga kalimi i Hyjit e nga zëri i Tij, siç kujton shën Pali Apostull, duke pasur parasysh përvojën e vet e duke cituar një frazë të profetit Isaia: “Më gjetën ata që nuk më kërkuan, u jam dëftuar atyre që nuk më pyetnin” (Rm 10,20).
Siç thamë, thirrjet janë të ndryshme. Është ajo e Abrahamit, e menjëhershme, që kërkon zbatim në atë moment: “Dil prej vendit tënd!...Abrahami u nis sikurse e kishte urdhëruar Zoti” (Zn 12,1.4). Kështu do të ndodhë më vonë, edhe me dishepujt e Jezusit në bregun e liqenit Galilea. E ndryshme është historia e thirrjes së Moisiut e të Jeremisë, të cilët e konsiderojnë veten të paaftë për të folur para popullit, ndërsa profeti Samuel kujton se në vend të Hyjit e ka thirrur mësuesi i tij, Elia meshtar, e vetëm në fund e kupton se i kujt është ai zë i mistershëm nëpër natë (1 Sam 3).
Në kornizën solemne të liturgjisë në tempull, Isaisë i duket sikur pranohet në kohortën qiellore dhe i përgjigjet thirrjes hyjnore me një vendim të lirë, pa dyshime: “E dëgjova zërin e Zotit që thonte: ‘Kë të dërgoj? Kush do të na shkojë?’ Unë u përgjigja: ‘Qe ku më ke, çomë mua!” (6,8). E ai mision, siç do t’i ndodhë edhe Ezekielit, do të jetë i rëndë e i vështirë. Të Dymbëdhjetët thirren nga Jezusi me një qëllim të përcaktuar mirë: “I thirri ata që deshi vetë. Ata shkuan tek ai. Dhe i emëroi të Dymbëdhjetët (të cilët i quajti apostuj), që të jenë me të e t’i dërgojë t’i predikojnë, e ta kenë pushtetin t’i dëbojnë djajtë” (Mk 3,13-15). Edhe dishepujt e tjerë marrin një thirrje misionare, që u përshtatet (lexo Lk 10,1-12).
Është e vërtetë – siç thamë – se thirrja vjen nga Zoti, por Hyji nuk ia heq njeriut lirinë për t’u përgjigjur siç do vetë. “Shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur” thotë Jezusi (Mt 22,14). Pra, njeriu mund ta refuzojë thirrjen, siç ndodhi me të riun pasanik, që kthehet i trishtuar të ruajë pasurinë e vet, pa mundur të ndahet prej saj. Pasi pikërisht kjo ndarje është akti më i guximshëm në përgjigjen, që i japim thirrjes së Zotit: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje. Sepse, kush do ta ruajë jetën e vet, do ta bjerrë, kurse ai që e bjerr për shkak timin, do ta gjejë” (Mt 16,24-25).







All the contents on this site are copyrighted ©.