2010-04-22 15:09:24

Sot më 22 prill kalendari Kishtar përkujton Shën Leonidën martir, atin e Origjenit.


(22.04.2010 RV) Duke shfletuar kalendarin, sot më 22 prill Kisha përkujtoi Shën Leonidën, atin e Origjenit. Edikti i Septim Severit, siç thotë Klementi i Aleksandrisë, shkaktoi një persekutim të ashpër kundër të krishterëve duke e mbushur Egjiptin me martirë: ndër ta Euzebi përmend Leonidën të cilit iu pre koka në vitin 204, duke lënë jetimë shtatë fëmijë, më i madhe prej tyre ishte pikërisht Origjeni, që në atë kohë ishte 17 vjeçar.
Me origjinë nga Greqia, Leonida qe mësues i retorikës në Aleksandri të Egjipitit e edukator e mësues i shkëlqyeshëm i shtatë fëmijëve, të cilëve mes tjerash u mësoi Shkrimet e Shenjta të Biblës e letërsinë.
E gjatë persekutimit të të krishterëve, Leonida qe thirrur para autoriteteve, e ai pranoi pa iu dridhur zëri se ishte besimtar i krishterë. I vunë menjëherë prangat. Ndërsa ishte në burg, siç njofton Euzebi që ka ruajtur një fragment, Leonida mori një letër nga i biri 17 vjeçar, i cili e nxiste t’i qëndronte besnik Krishtit Zot, edhe nëse do t’i duhej të paguante me kokë dëshminë e fesë.
E pak kohë më pas, Leonida me buzë në gaz, do ta shtrinte kokën nën tehun e shpatës, duke fituar kështu kurorën e lumnisë së amshuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.