2010-04-22 16:38:48

Kreu i OKB-së në Kosovë i shqetësuar nga mundësia e rritjes së tensioneve në veri


(22.4.2010 RV)Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë "mbetet në një pozicion unik" për të lehtësuar dialogun mes bashkësive etnike, thuhet në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm Ban ki Mun. "Vazhdimi i mbështetjes për aktivitetet e UNMIK ut nga bashkësitë etnike në terren, nga Prishtina e Beogradi, si dhe nga Këshilli i Sigurimit dhe bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi ka një rëndësi themelore", thekson në raportin e radhës për Kosovën, Ban ki Mun.
"Qëllimi strategjik i UNMIK ut mbetet çuarja përpara e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe respektimit për të drejtat e njeriut, përmes përfshirjes në dialog të të gjitha bashkësive etnike në Kosovë, të Prishtinës, Beogradit si dhe të aktorëve rajonalë e ndërkombëtarë", theksohet në raport. Më tej dokumenti nënvizon se "qëndrueshmëria afatgjatë dhe zhvillimi i Kosovës e rajonit lidhet me një proces të suksesshëm pajtimi mes bashkësive".
Raporti nënvizon se nuk ka pasur rritje të numrit të incidenteve, përfshi dhe ato që lidhen me pakicat, krahasuar me raportin paraprak. Kreu i OKB-së i bën thirrje Qeverisë së Kosovës për kujdes ndaj zbatimit të strategjisë për veriun e vendit, duke thënë se ajo "ka nxitur reagime nga të gjitha palët dhe i ka dhënë një dinamikë diskutimeve" për këtë çështje.
"Jam i shqetësuar nga mundësia e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës poqese autoritetet e Prishtinës nuk e zbatojnë strategjinë e tyre në mënyrë transparente, në dialog me komunitetet lokale dhe me palët e tjera relevante", pohon ai, duke vënë në pah se në "strategjinë për veriun", autoritetet e Kosovës nuk kanë konsultuar UNMIK-un. (nga Kosova.com)







All the contents on this site are copyrighted ©.