2010-04-22 15:41:44

Ipeshkvijtë e Afrikës veriore në Rabat për të diskutuar mbi lirinë fetare dhe dialogun me islamin.


(21.04.2010 RV)RealAudioMP3 Ipeshkvijtë e Konferencës Ipeshkvnore të Afrikës veriore u mblodhën këto ditë në Rabat, Marok për të diskutuar në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve. Frymëzues i takimit ishte “Lineamenta” - Udhëzuesi i Sinodit për Lindjen e Mesme. Gjatë diskutimeve u nënvizua me të madhe dëbimi i misionarëve të krishterë nga kjo zonë dhe vështirësitë që ndeshen në ushtrimin e lirë të fesë dhe të kultit.
Në mikrofonin tonë flet specialisti i çështjeve të afrikanoveriore Luçano Ardezi:

Përgjigje: Le të themi se vala e dëbimeve e misionarëve që ka përfshirë Marokun që nga fillimi i marsit nuk është gjë e re për këtë zonë. Sigurisht, na ka habitur pak fakti që janë dëbuar përnjëheri misionarë katolikë dhe misionarë të kishave evangjelike, por siç thashë, dukuria nuk është e re. Edhe vitet e kaluara ka pasur dëbime në masë, e mbi të gjitha dëbimet nuk janë diçka e re për Afrikën veriore e në mënyrë të veçantë për Algjerinë, ku vitet e fundit janë përsëritur shumë shpesh dëbimet e pastorëve protestantë dhe evangjelikë. Por kësaj here, e reja qëndron në faktin se akuza e proselitizmit bëhet në një kontekst të ri: në Marok vitet e fundit ka lindur një bashkësi e krishterë, vendase dhe kështu që këto dëbime e kanë vënë edhe një herë në qendër të vëmendjes këtë problem. Ky grup kërkon dialog me qeverinë e Marokut dhe liri fetare që sot për sot nuk garantohet si duhet në këtë vend.

Pyetje: Pikërisht, ushtrimi i lirisë së kultit, i lirisë fetare, është një nga temat e nxehta të kësaj zone apo jo?

Përgjigje: Deri tani bashkësitë e krishtera nuk kanë pasur probleme të mëdha në vendet afrikanoveriore. Kanë si kusht që të mbesin në suazën e bashkësisë, të mos përhapen, e shumica e këtyre bashkësive është me origjinë të huaj. Merita e këtyre Kishave qëndron në faktin se kanë mbajtur gjallë fenë në popujt që kanë emigruar të fundit. Prania e kishave në këto vende ka qenë gjithmonë ushqim shpirtëror për këto bashkësi, por nga ana tjetër, ato kanë ndikuar edhe tek popullsia vendase. Disa kisha evangjelike janë shumë aktive dhe kjo gjë ka krijuar tensione me qeveritë në shtetet ku islami është fe e shtetit. Nga ana tjetër, në të gjitha vendet afrikanoveriore, kushtetutat e ndryshme, e kanë, në teori, edhe lirinë e ushtrimit të fesë. Sot qytetarët e këtyre shteteve kërkojnë që të thirren të krishterë lirisht, të ushtrojnë lirisht kultin fetar, kuptohet në vendet e përshtatshme. Kjo, sipas meje do të jetë edhe sfida e viteve të ardhshme.

Pyetje: Afrika veriore është edhe tokë ku takohen të krishterët me myslimanët....

Përgjigje: Do të thosha se përvojat e këtyre vendeve janë shumë pozitive dhe shkojnë përtej dialogut të thjeshtë. Unë do ta quaja një takim të vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës. Bashkësitë e krishtera dhe myslimane njihen, e pranojnë njëra-tjetrën dhe ndërmarrin një udhëtim të përbashkët. Le të mendojmë fjala vjen, për solidaritetin që në përgjithësi Kishat shfaqin kundrejt shtresave më të varfra dhe më të ligshta të shoqërisë, duke bashkëpunuar me shoqatat myslimane. Ka bashkëpunim të dukshëm në terren, mbase edhe më të përparuar nga dialogu teologjik, që nuk është ndërprerë kurrë dhe që vazhdon, por që hëpërhë nuk e ndihmon të lindë njohjen e ndërsjellë dhe konkrete, sikurse bën puna e përbashkët.







All the contents on this site are copyrighted ©.