2010-04-21 19:17:33

Shugurimi i një ipeshkvi të ri në Kinë.


(21.04.2010 RV)Të dielën e kaluar, në katedralen e Zemrës së Krishtit të Hohoit, në Kinë, u kremtua shugurimi ipeshkvnor i imzot Pal Meng Qinglu. Imzot Meng, i klerit dioqezan, me moshë 48 vjeçare e 21 vjet shërbimi meshtarak, miratuar nga Selia e Shenjtë ipeshkëv i Hohot, që në vitin 2006 udhëhiqte dioqezën si admnistrator apostolik. Autoritetet kineze e miratuan ipeshkvin e ri. Liturgjia e shugurimit ipeshkvnor u kryesua nga imzot Pal Pei Junmin, ipeshkëv dioqezan i Shenijangut, shok studimesh dhe mik personal i prelatit të ri. Ipeshkvijtë Gjon Liu Shigog i Xhiningu, Mati Du Xhiang i Bamendgut dhe Zef Li Jing i Nigsia, bashkëkremtuan përkrah tij. Të gjithë ipeshkvijtë e lartpërmendur, në bashkim me Atin e Shenjtë, njihen edhe nga qeveria.
Prania e 3 mijë besimitarëve në kremtimin e shugurimit, ndonëse vetëm 600 munden të hyjnë në katedrale, dhe bashkëkremtimi i më se 80 meshtarëve, janë shprehje e gëzimit të madh të bashkësisë dioqezane për dhuratën e një bariu të ri. Dioqeza e Hohot (kryedioqezë e Suijan), ndodhet në Mongolinë e brendshme, 668 kilometra larg Pekinit. Shtrihet në një territor të gjërë prej 100 mijë kilometrash katrore, zonë ku regulltarët e Kongregatës së Zemrës së Zojës, të njohur si misionarët e Scheut, nisën veprimtarinë ungjillëzuese që në vitin 1883. Aktualisht rrethi kishtar i Hohot numëron 50 mijë besimtarë, 60 meshtarë, 100 murgesha, që i përkasin katër instituteve dhe 40 seminaristë. Ndërmjet veprave shoqërore të dioqezës, dallohen disa klinika dhe shtëpi për pleqtë. Ipeshkvi i ri pohoi se duhet të mendojë për krijimin e ndonjë strukture në shërbim të veprimtarive fetare, për nevojat e famullive, për financat e çështjet e pronave të Kishës. Ndër përparësitë e shërbimit të tij ipeshkvnor, mendon se duhet të jetë formimi i klerit.







All the contents on this site are copyrighted ©.