2010-04-21 18:19:53

Papa në audiencën e përgjithshme, kushtuar shtegtimit në Maltë: plani i dashurisë së Zotit është më i madh se stuhitë.Thirrje për emigracionin.


(21.04.2010 RV)Ishte gëzim e ngushëllim për mua, vizita në Kishën e Maltës, ku u rrethova nga ngrohtësia e jashtëzakonshme e njerëzve. Me këto fjalë e nisi sot Papa katekizmin e audiencës së përgjithshme, gjatë të cilit kujtoi disa nga mbresat e shtegtimit të tij të fundit apostolik. Të pranishëm, në Sheshin e Shën Pjetrit, njëzet mijë besimtarë.
Ati i Shenjtë u ndal tek etapat kryesore të këtij shtegtimi dhe falënderoi popullin maltez për pritjen jashtëzakonisht të përzemërt. Në vijim nënvizoi traditën e krishterë të Ishullit, falë së cilës në vend nuk janë ligjëruar divorci e aborti; kujtoi takimin me viktimat e shpërdorimeve, foli për problemet e emigrantëve. Papa rikujtoi posaçërisht ftesën drejtuar të rinjve, të thirrur, si Shën Pali, për të rizbuluar bukurinë e dashurisë së Hyjit, që na dhurohet në Jezu Krishtin. Ati i Shenjtë i ftoi sërisht të rrokin misterin e Kryqit të Krishtit e të fitojnë pikërisht në çaste sprovash e trazirash, pa u trembur nga stuhitë e jetës, e as nga përmbytjet, sepse plani i dashurisë së Hyjit është shumë më i madh se stuhitë, se dallgët, se përmbytjet.
Nga Mesha në qytetin Floriana, tek festa me të rinjtë, në Portin La Valeta, duke kaluar përmes vuajtjes e emocioneve të thella të takimit me viktimat e shpërdorimeve seksuale nga ana e disa klerikëve, Papa ia kushtoi gjithë audiencën e përgjithshme shtegtimit të tij apostolik në Maltë.RealAudioMP3

“Një ishull i krishterë” - ky është përkufizimi që i shkon më shumë për shtat Maltës, përtej emërtimit të tij gjeografik. Për Papën Malta është një vend, që i mbron prej dymijë vjetësh vlerat e Ungjillit, duke u bërë nismëtare për mbrojtjen e tyre edhe në Evropë e në botë, falë frymës së jashtëzakonshme misionare, që e mësoi nga Shën Pali, personifikim i ‘misionarit’. Nuk pati asnjë çast, ndërmjet së shtunës e së dielës, gjatë të cilit Papa nuk e preku me dorë një realitet të tillë. Veprat e Apostujve, që flasin për mbytjen providenciale të anijes së Shën Palit mes detit në stuhi, pranë brigjeve të Maltës, rreth viteve 60 pas Krishtit, theksojnë edhe ngrohtësinë e jashtëzakonshme njerëzore, që gjetën në ishull të shpëtuarit nga mbytja. Mikpritja e lashtë e maltezëve u shpreh me të njëjtën forcë në Meshën e së dielës paradite, në Sheshin e Hambarëve të Florianës:
Më gëzoi, por edhe më ngushëlloi ngrohtësia e veçantë e këtij populli, që të krijon përshtypjen e një familjeje të madhe, të bashkuar nga feja e nga vizioni i krishterë i jetës”.
Tejet e pritur nga mediat e mbarë botës, por larg vërshimit të tyre, pas Meshës në Floriana u mbajt një takim jashtë protokollit, të cilin Papa e përshkroi kështu:
“Pas kremtimit, desha të takoj disa njerëz, viktima të shpërdorimeve nga ana e anëtarëve të klerit. Vuajta me ta e, me emocion të thellë, u luta bashkë me ta”.
Papa theksoi edhe se në shpirtin e maltezëve të sotëm gjeti po atë besim e po atë shpresë, që Shën Pali diti t’ua transmetonte shokëve të tij të udhës, para e pas zbarkimit të jashtëzakonshëm në brigjet e Maltës, ku banorët vijojnë të përpiqen për t’i zgjidhur problemet e ndërlikuara të epokës bashkëkohore, me frymën e Ungjillit:
“Kjo natyrisht nuk është gjithnjë as e lehtë e as e sigurtë, por maltezët dinë të gjejnë në vizionin e krishterë të jetës, përgjigjet për të përballuar sfidat e reja. Shenjë e shembull është fakti që e ruajnë edhe sot e kësaj dite respektin për jetën ende të palindur e për shenjtërinë e martesës, duke zgjedhur rrugën e mospërfshirjes së abortit e të divorcit në sistemin juridik të vendit”.
Një nga çështjet më aktuale, që ka të bëjë me Maltën, është ajo e valëve të emigracionit, të cilat e shikojnë vendin si udhëkryq të lëvizjeve të tyre. Shumë njerëz, që ikin prej vatrave, për të shpëtuar nga dhuna ose nga persekutimet, kërkojnë strehim në Ishullin e vogël të Mesdheut – vërejti Benedikti XVI – e mbarështimi i këtij fenomeni krijon probleme, të cilat Papa i quajti të ndërlikuara në planin humanitar, politik e juridik:
Probleme, zgjidhja aspak e lehtë e të cilave, duhet kërkuar me durim e guxim, duke koordinuar ndërhyrjet në nivel ndërkombëtar. E kështu është mirë të bëjnë të gjitha kombet, që kanë vlera të krishtera në rrënjët e Kartave të tyre Kushtetuese e të kulturave të tyre”.
Para se t’i bënte thirrje Evropës dhe vetëdijes për rrënjët e saj të krishtera, përtej formulimit të vijave politike të përbashkëta, lidhur me temën e emigracionit, Papa kujtoi një meritë tjetër të Maltës. Ishulli – nënvizoi Ati i Shenjtë – nuk e tradhtoi kurrë vokacionin e vet më të thellë kristian, domethënë, dashurinë për paqe, ndonëse në rrjedhë shekujsh qe gjithnjë në qendër të vëmendjes të interesave politiko-ushtarake nga më të ndryshmet:
“Kryqi i njohur i Maltës, që i bashkon të gjithë anëtarët e këtij kombi, u shpalos shumë herë mes konfliktesh e kundërshtimesh, por për hir të Zotit, nuk e humbi kurrë kuptimin e vet të vërtetë e të pamort: mbeti shenjë dashurie e pajtimi, e kjo është edhe thirrja e vërtetë e popujve, që e pranojnë dhe e rrokin mesazhin e krishterë”.
Faqen e fundit të kujtimeve, Papa e shpalosi duke kujtuar turmën e cila, të dielën pasdite, e ndoqi hap pas hapi, derisa arriti me anije në Portin e Valetës, për t’u takuar me dhjetra mijëra të rinj, që po e prisnin, në festë:
“I shikova të rinjtë e Maltës si trashëgimtarë të fuqishën të aventurës shpirtërore të Shën Palit, të thirrur, si ai, për të zbuluar bukurinë e dashurisë së Hyjit, që na u dhurua në Jezu Krishtin (...) e për të qenë fitimtarë pikërisht në sprova e në trazira, pa frikë nga stuhitë e jetës, e as nga mbytjet e anijeve, sepse plani i dashurisë së Zotit është shumë më i madh se stuhitë e përmbytjet”.
Pasi kujtoi se Malta i dhuroi gjithnjë Kishës së përbotshme misionarë të shquar, Benedikti XVI e përfundoi audiencën me një përshëndetje të re, drejtuar meshtarëve. Në Sheshin e Shën Pjetrit, 400 meshtarë romakë, të sapokthyer nga shtegtimi në Ars të Francës, i bënë Benediktit XVI urimet për ditëlindjen dhe fillimin e përvjetorit të gjashtë të papnisë, kremtuar këto ditë. Duke ia kthyer përshëndetjen, meshtarëve e kardinalit mëkëmbës, Agostino Valini, që i kryesonte, Papa i falënderoi dhe u shprehu mirënjohjen e tij të thellë të gjithë meshtarëve të botës, të cilët vihen me zell apostolik në shërbim të popullit të Hyjit, duke dëshmuar kështu dashurinë e Krishtit. Sipas shembullit të Shën Gjon Maria Vianejt – përfundoi Papa – uroj të jeni barinj durimtarë e të papërtueshëm, për të mirën e shpirtrave, që ju janë besuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.